Gjetje

  • NATO në shënjestrën e dezinformimit rus:

Moska ka përsëritur akuzat se NATO po përgatitet për sulme bërthamore kundër Rusisë, një narrativë që riciklohet nga mediat

  • Riciklimi i propagandës nga gjeneralë rus

Deklaratat e gjeneralëve rusë përdoren për t’i mëshuar narrativës së brendshme se Rusia është e rrethuar nga Perëndimi dhe se populli duhet të jetë i përgatitur për një luftë të gjatë

  • Kërcënimet ‘nukleare’ përdoren nga Rusia si presion ndaj Perëndimit

Putin dhe zyrtarë të tjerë rusë përdorin kërcënimet bërthamore si mjet presioni ndaj Perëndimit

  • Krizat dhe zgjedhjet ‘momenti i arte’ i Rusisë për të dezinformuar

Pas nisjes së sulmit në Ukrainë dhe në periudha zgjedhore, sic ishin ato për Parlamentin Europian, u shtua frekuenca e përhapjes së këtyre narrativave në media

Akuzat e hedhura së fundmi në drejtim të NATO-s nga Moska për mundësinë e një sulmi bërthamor ndaj kësaj të fundit janë përsëritur shpesh në median e shkruar dhe atë vizive në Shqipëri, duke i dhënë zë një narrative sa të vjetëruar aq edhe të pa-gjasë.

Moska: NATO po përgatitet për sulme bërthamore kundër Rusisë – shkruajtën mediat duke cituar kreun e Shërbimit të Inteligjencës Kufitare të Federatës në një intervistë për median ruse Ria Novosti. Lajmi u përhap me shpejtësi duke ricikluar narrativën akuzuese ndaj aleancës euroatlantike, shpesh në mungesë të kontekstit apo historikut të këtyre pretendimeve të mëparshme.

Deklarata të tilla janë të përsëritura dhe rezultojnë me një frekuencë të konsderueshme, sidomos prej nisjes së luftës në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.

Narrativa që Perëndimi dhe Rusia janë në luftë, është bërë zakonshme tashmë në Rusi, thekson studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledion Krisafi.

“Rusia predikon që kjo është një luftë mes Perëndimit të ‘’degjeneruar’’, ‘’jo moral’’ dhe Rusisë së ‘’shenjtë’’, ‘’tradicionale’’, ‘’konservatore’’, si bastion i fundit i atyre vlerave që Perëndimi, sipas Rusisë i ka humbur ose harruar. Kështu që fjalët e gjeneralit rus shërbëjnë për të përforcuar këtë narrative, që Rusia tashmë është e rrethuar nga NATO dhe Perëndimi dhe për ta përgatitur popullin rus për një luftë të gjatë dhe ndoshta të drejtpërdrejtë me Perëndimin.” – Ledion Krisafi.

Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara thotë për Faktoje se Rusia dhe Putin i përmendin armët bërthamore dhe përdorimin e tyre pasi ky është i vetmi mjet me të cilin Rusia mund të kërcënojë botën.

Prandaj gjithmonë, në momente krize, Putini apo gjeneralët e tij kërcënojnë në përdorimin e armëve bërthamore. Thjesht presion.” – vlerëson Nesho i cili na kujton se Rusia edhe pse përbën rrezik për Perëndimin për shkak të politikave të saj, në aspektin ekonomik nuk mund të matet me të.

Rusia sot përbën një rrezik për Perëndimin nga politikat e saj revanshiste për revizionimin e rendit ndërkombëtar të bazuar në ligj dhe institucione në një rend që bazohet në forcën e më të fortit dhe zonave të influencës. Por Rusia nuk është një fuqi ekonomike që mund të matet me Perëndimin. GDP e saj është më pak se Kalifornia apo se disa shtete europiane.”thekson Nesho.

Studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledion Krisafi shpjegon për Faktoje se edhe pse “vijat e kuqe” të vendosura rreth luftës në Ukrainë po kalohen, si rasti i përdorimit nga Ukraina të armëve të ardhura nga Perëndimi për të goditur brenda territorit rus, stërvitjet e NATO-s afër kufirit me Rusinë nuk tregojnë se aleanca ka për qëllim të sulmojë Rusinë, e aq më pak me armë bërthamore.

“Stërvitjet e NATO-s afër kufirit me Rusinë janë pasojë e kërcënimeve bërthamore të Rusisë dhe jo e kundërta. Fjalët e gjeneralit rus janë për popullin rus, pra janë për konsum të brendshëm, për të rritur mobilizimin e popullit rus dhe përgatitur atë për një luftë të mundshme me NATO-n në të ardhmen e afërt.” – vlerëson Krisafi.

Historiku i kërcënimeve bërthamore ruse

Prej nisjes së luftës në Ukrainë në shkurt 2022, Presidenti rus Vladimir Putin ka folur shumë herë për kërcënime bërthamore. Këto kërcënime kanë ndryshuar në intensitet dhe kontekst, shpesh të lidhura me pengesat ushtarake të Rusisë ose objektivat strategjike.

Pak pas fillimit të pushtimit, më 27 shkurt 2022, Putin njoftoi se forcat bërthamore ruse ishin vendosur në “gatishmëri speciale luftarake.” Ky ishte një përshkallëzim i rëndësishëm, megjithëse nuk u raportuan ndryshime të menjëhershme në posturën bërthamore të Rusisë nga Pentagoni​.

Gjatë vitit 2022, Putin dhe zyrtarë të tjerë rusë, përfshirë Ministrin e Jashtëm Sergey Lavrov dhe ish-Presidentin Dmitry Medvedev, shpesh aluduan për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore nëse Rusia ndjente se integriteti i saj territorial ishte i kërcënuar. Për shembull, në shtator 2022, gjatë një fjalimi për aneksimin e territoreve ukrainase, Putin theksoi se Rusia do të përdorte “të gjitha mjetet që kemi në dispozicion” për të mbrojtur këto rajone, duke nënkuptuar një opsion bërthamor dhe duke theksuar se ky nuk ishte një “bllof”​.

Mediat shtetërore ruse kanë luajtur gjithashtu një rol në amplifikimin e këtyre kërcënimeve. Shembull janë simulimet e sulmeve bërthamore mbi vendet perëndimore si Mbretëria e Bashkuar.

Por këto kërcënime janë reduktuar dukshëm drejt fundit të vitit 2022. Ky ndryshim ka të ngjarë të jetë ndikuar nga reagimet ndërkombëtare, përfshirë nga Kina, e cila nuk miratoi kërcënimet bërthamore, dhe konsideratat praktike brenda Rusisë për pasojat e një përshkallëzimi të tillë​.

Në përgjithësi, kërcënimet bërthamore të Putinit kanë qenë të shumta dhe të shtrira në kohë strategjikisht për të përkuar me momentet kritike në konflikt, duke shërbyer si një mjet frenimi për Perëndimin dhe një mjet për përdorim politik.

Deklarata më e fundit e Putin ku ai quan çmenduri aludimet se Rusia mund të sulmojë NATO-n janë një tjetër tregues se përdorimi i armëve bërthamore është një narrativë ruse që fsheh të tjera qëllime nga pas.

Përfundim

Përmendja e një lufte të mundshme bërthamore mes perëndimit dhe Rusisë është kthyer në një “kartë” që përdoret për qëllime politike. Prej nisjes së luftës në Ukrainë, veçanërisht Rusia e ka risjellë në “tavolinë” këtë mundësi me qëllim ushtrimin e një presioni ndaj perëndimit për të mos ndërhyrë. Sipas ekspertëve kjo narrativë risillet nga Rusia në momente krizash, por edhe zgjedhjesh pasi është e vetmja gjë me të cilën Rusia mund të kërcënojë dhe trazojë Perëndimin.

Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli