.

.

BallinaProjekteRritja e kapaciteteve për fact-checking mbi çështjen integrimit në BERruga e paasfaltuar, problem i pazgjidhur për banorët e fshatit Skroskë

Rruga e paasfaltuar, problem i pazgjidhur për banorët e fshatit Skroskë

Në shtator 2019, në faqen online të Bashkisë Prrenjas njoftohej se po punohej intensivisht për rehabilitimin e rrugës së fshatit Skroskë. Por verifikimi në terren  3 vite më vonë, dëshmoi se rruga është në gjendje skandaloze, aq sa në periudhën e dimrit bëhet e pakalueshme nga makinat. Rruga e amortizuar bën që banorët të mbeten edhe pa ushqime për shkak të pamundësisë për të udhëtuar. Ky është një nga shkaqet e braktisjes masive të këtij fshati nga banorët.

 

Kristina Belba, studente

Leonela Sula, studente

Fshati Skroskë në Përrenjas ka një bukuri të rrallë, por rruga e paasfaltuar mbetet një problem i pazgjidhur i tij prej vitesh. Nëntë kilometrat që e lidhin atë me Përrenjasin janë ende të pariparuara e asfaltuar edhe pse banorët kanë bërë vazhdimisht kërkesa për të zgjidhur situatën në pesë vitet e fundit.

Kjo infrastrukturë e shkatërruar po ndikon jetën e banorëve dhe po shumëfishon kostot për sigurimin e shërbimeve.

Edhe pse një rrugë e shkurtër, në kohët me shi ajo bëhet e vështirë për t’u kaluar nga automjetet. Në ditët me borë dhe ngrica, banorët detyrohen të mbyllen në shtëpitë e tyre pa dalë jashtë fshatit,  ndonjëherë duke mbetur edhe pa ushqimet bazë.

Pjesë nga rruga e dëmtuar në fshatin Skroskë, Prrenjas dhjetor 2022

 

Në faqen zyrtare të Bashkisë Prrenjas, gjendet një njoftim Ii ilustruar me foto nga terreni, ku thuhet:

“Vijojmë intensivisht ndërhyrjet për rehabilitimin e rrugës së fshatit Skroskë!
Puna ka nisur me shtrimin e shtresës së çakullit(tampan) dhe më
pas me rrulimin, duke krijuar kështu një standart të ri për mirëmbajtjen e rrugëve.
Edhe pse ndërhyrja në këtë aks ka munguar nga pushteti lokali, tashmë me përfundimin e punimeve të kësaj rruge, puna do të shtrihet në të gjitha akset që kërkojnë ndërhyrje.

Vetëm vullneti për të punuar çdo ditë për banorët mund ta transformojë Prrenjasin!”

Në Skroskë jetojnë rreth 1700 banorë të cilët dita-ditës janë detyruar të braktisin shtëpitë duke tkurrur ndjeshëm numrin e rezidentëve.

Kryeplaku i fshatit, Hekuran Omeri tregon:

“Gjatë dy viteve të fundit nga Skroska janë larguar 20 familje dhe një ndër shkaqet për këtë është rruga e paasfaltuar. Familjet që disponojnë makinë e kanë të vështirë të udhëtojnë, qoftë edhe për pak kilometra”.

Braktisja e fshatit sjell për pasojë edhe reduktimin e numrit të nxënësve në shkollën 9-vjecare “Skroskë”. Nga 900 nxënës që ishte numri maksimal i saj vite më parë, tashmë kjo shkollë nuk ka më shumë se 120, duke bërë që disa klasa të kthehen në kolektive.

  1. B, ish-banor i fshatit rrëfen se është larguar nga ky vend pasi jetesa u bë tepër e vështirë sidomos për shkak të rrugës.

“E dua shumë fshatin tim; sa herë ndiej mall vij e shoh, por ishte e nevojshme të shpërngulesha në qytet pasi fëmijet e mi këtu nuk kishin të ardhme. Nëse rruga do të bëhet, nuk do ta mendoja dy herë për t’u kthyer me bashkëshorten time”, thotë E.B.

“Bashkia, të cilës i jemi ankuar dhe i kemi dërguar kërkesa të shumta për të na ndihmuar, edhe pse gjatë periudhës së zgjedhjeve na ka premtuar që problemi do të zgjidhet, së fundi na është përgjigjur se nuk ka fonde”, shton ai.

Nëse kërkon për të rinj në fshat vështirë se gjen me shumë se 4-5, pasi thuajse të gjithë janë larguar për një jetë më të mirë, disa në emigrim dhe të tjerë në qytet ku kanë gjetur edhe punë.

Banorët pa dritë jeshile në fund të tunelit presin ende nga institucionet, edhe pse shpresa po shuhet tashmë. Bashkia Prrenjas ende nuk i është përgjigjur kërkesës për informacion nëse do të ndërhyhet për rikontruksionin e rrugës në Skroskë.

Screenshot i kërkesës për informacion dërguar bashkisë Prrenjas, 15 dhjetor 2022

Ndërsa një tjetër kërkesë për të takuar përfaqësuesit e Bashkisë e për të folur për këtë çështje, ka hasur në vesh të shurdhër.

 

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img