Rruga e Bregdetit në Kavajë, ende pa nisur punimet

Projekti ka avancuar në procedura, por puna ende nuk ka nisur

51
Bregdeti i Kavajes

Jona Cenameri

Tre vjet pasi Fisnik Qosja e shpalli “Rrugën e Bregdetit” një nga projektet kryesore të mandatit të tij, punimet ende nuk kanë nisur. Bashkia Kavajë njofton se projekti është ndarë në tri faza: e para është ende në fazën e hartimit të projektit, ndërsa dy të tjerat ndodhen në procedura tenderimi.

Premtimi

Gjatë fushatës së vitit 2023, Fisnik Qosja premtoi ndërtimin e një rruge që do të lidhte Kavajën me vijën bregdetare. 

Premtimi i Fisnik Qoses

Në maj 2023, Qosja e përshkruante projektin si një rrugë panoramike prej rreth 4.5 kilometrash, nga Kisha e Shna Premtës drejt bregdetit, me një kosto të parashikuar prej rreth 11 milionë eurosh. Ai deklaronte se synonte ta realizonte brenda mandatit të tij katërvjeçar. 

Verifikimi në 2025

Kur Faktoje e verifikoi projektin në shtator 2025, Bashkia Kavajë konfirmoi se punimet nuk kishin nisur dhe se ishte “në bashkëbisedim me qeverinë për ndërtimin e kësaj rruge”.

Edhe verifikimi në terren nuk gjeti kantierë apo shenja të nisjes së punimeve përgjatë gjurmës së parashikuar. 

Rruga e Bregdetit

Çfarë thotë Bashkia në 2026

Një vit më vonë, Bashkia Kavajë bën të ditur se “Rruga e Bregdetit” është ndarë në tri faza.

Faza I, e quajtur “Rruga e Bregdetit”, është në procedurën për ngritjen e një urdhri pune për hartimin e projektit dhe, sipas Bashkisë, nuk ka ende një afat të përcaktuar.

Faza II, nga shinat e trenit deri te Kisha e Shën Premtes, e ka projektin të hartuar dhe ndodhet në proces tenderimi pranë KPP-së. Pas shpalljes së fituesit, Bashkia parashikon që punimet të zgjasin 6 muaj.

Edhe Faza III, që përfshin Rrugën Egnatia, e ka projektin të hartuar dhe ndodhet në proces tenderimi. Sipas Bashkisë, punimet parashikohen të përfundojnë brenda 8 muajve nga nisja e tyre.

Krahasuar me vitin 2025, projekti ka avancuar në fazën administrative, por punimet fizike nuk kanë nisur ende.

Kjo duket edhe në verifikimin në terren.

Rruga qe te lidh me bregdetit

Çfarë thonë banorët

Në qendër të Kavajës, të rinjtë e pyetur nga Faktoje thanë se nuk kishin informacion për projektin.

Në Karpen, një banor i zonës u shpreh skeptik se rruga do të realizohej. Për të, megjithatë, projekti i rrugës mbetet më pak urgjent krahasuar me probleme të tjera të përditshme të zonës, veçanërisht mungesën e ujit në rubinet.

“Rrugën nuk kanë për ta bërë ndonjëherë”, tha ai, ndërsa rendiste shqetësime të tjera të banorëve.

Përfundimi

Tre vite pas premtimit, ndërsa mandati katërvjeçar është drejt fundit, punimet fizike për rrugën  e bregdetit ende nuk kanë nisur. Për fazën e parë nuk ka as një afat të përcaktuar, ndërsa për dy fazat e tjera pritet përfundimi i procedurave të tenderimit. 

Faktoje, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon zbatimin e premtimeve të dhëna nga kryebashkiakët. 

Artikulli paraprakBonusi 5 mijë lekë për bebet në Kavajë, jashtë buxhetit edhe në 2026
Jona Cenameri
Jona Cenameri është gazetare, fact-checker. Ajo ka përfunduar studimet në degën Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës, ku u vlerësua me certifikatë ekselence për arritjet akademike. Punon në Faktoje.al, ku merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Përvoja e saj profesionale përfshin gazetari investigative, raportim të thelluar dhe ndërkufitar, si edhe monitorim e analizë mediatike, përmes bashkëpunimeve me ACQJ, BIRN Kosovo, IDMC, Thomson Media dhe Canal France International. Në vitin 2024 fitoi çmimin e parë në konkursin “Memoria dhe të Drejtat e Njeriut”, ndërsa në vitin 2025 ishte pjesë e ekipit fitues të konkursit rajonal të CFI-së “Balkan Voices 2”. Ajo është gjithashtu përfituese e bursës së KAS Media Programme South East Europe, e akorduar për studentë të talentuar të gazetarisë.