Numri i rritur i vdekjeve të regjistruara në javët e para të janarit në Angli dhe Uells nuk është rrjedhojë e vaksinimit kundër Covid, ashtu siç aludohet nga grupet antivaksinë. Arësyeja e këtyre fataliteteve në rritje lidhet me si vonesat e ambulancave në Britani dhe nevojave shëndetësore të papërmbushura gjatë pandemisë.
________________________
Konspiracionistët anti-vaksinë po përdorin rritjen e vdekjeve ‘të tepërta’ në Mbretërinë e Bashkuar për të pretenduar se këto vdekje janë shkaktuar nga vaksinimi anti-Covid. Në periudhën nga 7-13 janar 2023, u regjistruan rreth 17 mijë vdekje në Angli dhe Uells. Kjo shifër është rreth 2800 vdekje më shumë (vdekje ‘të tepërta’) se mesatarja vjetore për të njejtën periudhë. Kjo shkallë vdekjesh të tepërta është më e larta që nga Shkurti 2021, kur Anglia pa 3429 vdekje ‘të tepërta’, 37% e të cilave u shkaktuan nga Covid-19.
Këtë rritje të vdekjeve të tepërta, konspiracionistët anti-vaksinë ia ngarkojnë vaksinimit anti-Covid.
Ndërkohë, ekspertët, si Kolegji Mbretëror i Emergjencave Mjekësore (RCEM), kanë deklaruar se këto vdekje ‘të tepërta’ vijnë si pasojë e një sërë faktorësh, si vonesat e ambulancave, pritje të gjata në departamentet e urgjencës në spitale, nevoja shëndetësore të papërmbushura gjatë pandemisë, dhe punë të prapambetura për Shërbimin Kombëtar Mjekësor (NHS).
Kolegji Mbretëror i Emergjencave Mjekësore ka paralajmëruar se deri në 500 njerëz po vdesin në javë, si pasojë e vonesave të ambulancave dhe në trajtim mjekësor. Presidenti i RCEM, doktor Adrian Boyle, tha se “kemi të bëjmë me probleme serioze strukturore që dobësojnë aftësinë tonë për të dhënë kujdes urgjent në emergjenca.”
Sa i përket pretendimit se këto vdekje janë shkaktuar nga vaksinimi anti-Covid, nëse kjo do të ishte e vërtetë, do të pritej që personat e vaksinuar të kishin vdekshmëri më të lartë se ata që nuk janë vaksinuar.
Në fakt, nga të dhënat e botuar së fundmi nga Agjensia e Sigurisë Shëndetësore të Mbretërisë së Bashkuar, të cilat regjistrojnë statusin e vaksinimit për të gjitha vdekjet në vend, rezulton e kundërta, si tregohet në grafikun më poshtë.