Dy vite më parë, kryeministri Edi Rama premtoi se pranvera e këtij viti do ta gjente Shqipërinë me një pagë minimale në vlerën e 45 mijë lekëve. Por premtimi u harrua. Verifikimet e Faktoje.al tregojnë se qeveria nuk ka në plan të rrisë pagën minimale për këtë vit.
Esmeralda Topi
Në prill të vitit 2023 paga minimale në Shqipëri u rrit nga 34 mijë lekë në 40 mijë lekë. Fill pasi kishte lajmëruar rritjen me 17,6%, kryeministri Edi Rama premtoi se kjo nuk do të ishte e fundit. Asokohe, Rama tha se paga minimale do të rritej me 5 mijë lekë pranverën e vitit 2025.
“Në fund të prillit 2025 paga minimale do jetë 45 mijë lekë…” premtoi kryeministri Edi Rama më 13 mars të 2023.
Fakt
Aktualisht, paga minimale në Shqipëri rezulton 40 mijë lekë. Qeveria nuk ka ndërmend ta rrisë më tej vlerën e pagës minimale, as në fund të muajit prill dhe as në fund të këtij viti.
Në një përgjigje zyrtare për Faktoje.al, ministria e Ekonomisë thotë se “në bazë të performancës ekonomike, do të analizohet dhe do të iniciohet procesi i shqyrtimit të pagës minimale për vitet e ardhshme”
“Ky proces do të mbështetet në të dhënat makroekonomike që do të dalin nga analiza e gjashtëmujorit të dytë të vitit 2025, përfshirë indikatorët kryesorë si inflacioni, rritja e produktivitetit dhe zhvillimet e tregut të punës”, thekson MEKI.
Sipas ministrisë së Ekonomisë, viti dhe vlera e mundshme e rritjes së pagës minimale do të varet nga treguesit ekonomik, në mënyrë që rritja të jetë në përputhje me zhvillimin ekonomik dhe qendrueshmërinë e tregut të punës.
Të dhënat e fundit nga INSTAT tregojnë se nga totali i të punësuarve që paguajnë sigurime shoqërore, 24,5% e tyre kanë page minimale 40 mijë lekë.
Alban Zusi që drejton Qendrën Shqiptare të Eksportuesve thotë se bizneset private e kanë tejkaluar minimumin e 45 mijë lekëve.
“Ne i kemi rritur pagat sepse po punojmë në një mjedis të sforcuar, sidomos eksportuesit. Ajo çfarë do të duhej është që qeveria të heqë TAP-in mbi këtë pagë. Pavarësisht se ne i japim më shumë pagë minimale, punonjësit marrin më pak lekë sepse shteti takson”, thotë Zusi.
Të fundit në rajon dhe Evropë
Ndonëse dekadën e fundit paga minimale është rritur 6 herë, sërish Shqipëria mbetet e fundit në rajon sa i përket nivelit të kësaj page.
Mali i Zi mban vendin e parë me 670 euro, më tej vjen Serbia me 618 euro dhe Maqedonia e Veriut me 540 euro. Në Bosnje Hercegovinë paga minimale rezulton 510 euro në muaj.
Edhe referuar të dhënave të fundit nga EUROSTAT Shqipëria renditet e fundit në Evropë për nivelin e pagës minimale, veçanërisht kur vjen puna tek standardet e fuqisë blerëse.
Teksa çmimet në Shqipëri janë ndër më të lartat në rajon, dhe shumë produkte kushtojnë dhe më shtrenjtë se në Evropë, fuqia blerëse mbetet e ulët, duke e renditur Shqipërinë të fundit në Europë.
Sipas Eurostat, këtë fillimviti paga minimale në vendet e BE-së varionte nga 551 € në muaj në Bullgari deri në 2 638 € në muaj në Luksemburg.
Përfundim
Nisur nga verifikimi i kryer, premtimin e kryeministrit Edi Rama se në fund të prillit 2025 paga minimale do të jetë 45 mijë lekë, do ta kategorizojmë të pambajtur.