Pretendimi: Rastet e autizmit kanë ardhur duke u rritur nga viti 1986 kur ShBA u dha garanci gjithë prodhuesve të vaksinave
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————-
Një video e postuar në rrjetet sociale shqipfolëse pretendon se rastet e autizmit kanë ardhur duke u rritur nga viti 1986 kur ShBA u dha garanci gjithë prodhuesve të vaksinave, duke nënkuptuar kështu një lidhje mes rritjes së rasteve me autizëm dhe vaksinimit.
Është e vërtetë se rastet e autizmit janë rritur ndër vite. Megjithatë, kjo rritje nuk i atribuohet vaksinimit por përmirësimit të diagnostikimit të çrregullimeve të spektrit të autizmit dhe kritereve të zgjeruara.
Arsyeja tjetër për rritjen e rasteve të regjistruara të çrregullimeve të spektrit të autizmit është keqdiagnostikimi. Më parë, fëmijët me autizëm përfshiheshin në kategori të tjera, si kategoria e paaftësisë intelektuale.
Përveç kësaj, faktorët nën të cilët numri i çrregullimeve autike të identifikuara po rritet përfshijnë një rritje të ndërgjegjësimit për autizmin përmes mediave, përmirësimin e trajnimit të mjekëve dhe disponueshmërinë më të madhe të mjeteve të shqyrtimit dhe diagnostikimit për të identifikuar çrregullimet e spektrit të autizmit.
Sipas sociologes amerikane Catherine Tan, është bërë më e lehtë për prindërit të dallojnë kur fëmijët e tyre mund të jenë autik pasi ka pasur një ndërgjegjësim të publikut mbi natyrën e autizmit, si dhe një zgjerim të kritereve, që përdoren për të diagnostifikuar personat me autizëm.
Një sërë studimesh dëshmojnë se vaksinimi i fëmijëve nuk shkakton autizëm dhe rreziku për t’u prekur nga sëmundje, që mund të jenë edhe fatale, është shumë herë më i madh se çdo pasojë që mund të mendohet si pasojë e vaksinimit.
Sipas Autism Speaks hulumtimet tregojnë se gjenetika është e përfshirë në shumicën dërrmuese të rasteve. Fëmijët e lindur nga prindër të mëdhenj në moshë janë në rrezik më të lartë për të pasur autizëm. Prindërit që kanë një fëmijë me ASD kanë një shans 2% deri në 18% për të pasur një fëmijë të dytë, i cili gjithashtu është i prekur.
Studimet kanë treguar se midis binjakëve identikë, nëse një fëmijë ka autizëm, tjetri do të preket rreth 36% deri në 95% të rasteve. Tek binjakët jo identikë, nëse njëri fëmijë ka autizëm, atëherë tjetri preket rreth 31% të rasteve.