Pretendimi: Sëmundja që transmetojnë rriqnat është e prodhuar në laborator në ShBA në vitet ‘70.

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————–

Një video e emisionit të komentatorit amerikan Tucker Carlson që pretendon se sëmundja Lyme është prodhuar në laborator si armë biologjike po qarkullon edhe në rrjetet konspiracioniste shqipfolëse.

Në video, një grua shpjegon se “sëmundja Lyme nuk ka qenë problem deri në momentin e pikut të programit të armëve biologjike në ShBA në mes të viteve ‘70.” 

Sëmundja Lyme, ose Lyme borreliosis, është një sëmundje e bartur nga rriqnat. Ajo shkaktohet nga bakteri Borrelia dhe transmetohet nga rriqna gjakpirëse të gjinisë Ixodes tek njerëzit.

Pretendimi se sëmundja Lyme u bë problem vetëm në mes të viteve ‘70 është i rremë. 

Përshkrimi i parë i detajuar i sëmundjes Lyme mendohet të jetë shfaqur në shkrimet e John Walker pas një vizite në një ishull skocez më 1764. Studimi i parë i asaj që sot njohim si sëmundja Lyme daton që në vitin 1883.

Më tej, specimenë rriqnash të ruajtur nga viti 1945 u gjet të ishin infektuar me bakterin e sëmundjes Lyme. Specimenë minjsh nga viti 1896 janë zbuluar gjithashtu të infektuar me bakterin Borrelia burgdoferi.

Në 2010, autopsia e Ötzi, një mumje 5300 vjeçare, tregoi prezencën e ADN-së së bakterit Borrelia burgdoferi duke e bërë atë njeriun më të hershëm në histori me sëmundjen Lyme.

Sëmundja Lyme mund të shkaktojë simptoma të rënda tek disa njerëz. Rastet e patrajtuara mund të çojnë në artrit ose probleme neurologjike. Megjithatë, sëmundja rrallëherë është vdekjeprurëse. Kjo do e bënte një armë biologjike jo shumë efektive.