Pretendimi: Në avionin që u rrëzua në Brazil ndodheshin 8 doktorë onkologë, të cilët po merreshin me lidhjet midis vaksinës dhe kancerit

Verdikti: E paprovuar

——————————————-

Rrëzimi i fluturimit Voepass 2283 në Brazil më 9 gusht 2024, i cili vrau 62 persona, po përdoret nga konspiracionistët në rrjet për të shpërndarë narrativa antivaksinim.

Një nga pretendimët që po qarkullon në këto rrjete është se doktorët që po udhëtonin në këtë avion ishin onkologë, që po studionin lidhjet mes vaksinave dhe kancerit.

Si zakonisht, pretendimi nuk shoqërohet me asnjë provë, dhe e vetmja referencë është një artikull në gjuhën portugeze, i cili është përkthim i një artikulli të botuar në portalin amerikan The People’s Voice, më parë i quajtur NewsPunch. Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, NewsPunch ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit. Faktoje ka përgënjeshtruar edhe më parë lajme të rreme që e kanë zanafillën tek ky portal.

Artikulli i The People’s Voice pretendon se “mjekët ishin rrugës për një konferencë ndërkombëtare në Sao Paolo ku do të prezantonin gjetjet e tyre se vaksinat mRNA dhe Covid-19 janë përgjegjëse për shpërthimin e turbo kancereve dhe sëmundjeve autoimune që po bëjnë kërdinë në mbarë botën sot.”

Pretendime të tilla të jashtëzakonshme duhet, detyrimisht, të shoqërohen me prova të jashtëzakonshme. Artikulli nuk ofron asnjë provë, aq më pak të jashtëzakonshme.

Ky pretendim nuk shoqërohet nga ndonjë detaj mbështetës si për shembull emri i konferencës, titulli i studimit që pretendohet se do prezantohej, apo as emrat e mjekëve në fjalë. Sa i përket burimit të këtij pretendimi, artikulli i referohet vetëm si “një koleg.”

Në të vërtetë, 8 nga 62 personat në bord që humbën jetën ishin mjekë. Sipas një deklarate nga Këshilli Mjekësor i Parana, të paktën dy prej tyre ishin duke udhëtuar drejt një konference onkologjie, specifikisht një konferencë mbi efektet mjekësore dhe sociale të kancerit të gjirit.

Artikulli identifikon gjithashtu si një nga viktimat radiologun Leonel Ferreira. Megjithatë, ky është lajm i rremë. Në listën e viktimave të publikuar nga Voepass nuk përfshihet Ferreira. Më 12 gusht, vetë Ferreira tha për Reuters se ai nuk ishte në avionin që u rrëzua.

Pretendimi se këta mjekë do të ekspozonin lidhjen mes vaksinave dhe kancerit, duket se është një shpikje e konspiracionistëve anti-vaksinë që i është bashkëngjitur një tragjedie të vërtetë për t’i dhënë besueshmëri një pretendimi të pabazë.