Gazetarë nga 6 qytete të vendit, kanë një mundësi unike për të ndalur lajmet e rreme dhe për të dhënë kontributin e tyre në ndihmë të komuniteteve lokale!
Qendra “Faktoje” e mbështetur nga US State Department’s Global Engagement Center dhe e monitoruar nga USAID do të nisë zbatimin e projektit “Forcimi i komuniteteve lokale për të luftuar dezinformimin dhe propagandën gjatë pandemisë COVID-19”. Për zbatimin e këtij projekti do të kërkohet angazhimi dhe bashkëpunimi me gazetarë lokalë në 6 rajone të vendit: Durrës, Elbasan, Vlorë, Shkodër, Korce, Gjirokastër. Ky projekt do të zbatohet përgjate periudhës Maj-Korrik 2020. Monitorimi dhe raportimi me fakte dhe me profesionalizëm në këtë kohë pandemie është shumë i rëndësishëm. Faktoje si organizata e parë Fact-Checking në Shqipëri, pjesë e rrjetit Ndërkombëtar të IFCN, do të kërkojë zbatimin e një metodologjie profesionale nga të gjithë gazetarët në mënyrë që të realizohet identifikimi i fakteve të rreme, ndalja e dezinformimit dhe propagandës në këtë periudhë pandemie, ku lajmet e rreme jo pak herë kanë vënë në rrezik jetën e qytetarëve.
Objektivat e projektit:
1. Raportim mbi rolin dhe qasjen e institucioneve vendore, për marrjen e masave ndaj pandemisë dhe cilësinë e zbatimit të këtyre masave, me fokus në verifikimin e fakteve dhe ekspozimin e lajmeve të rreme,
2. Raportim mbi mënyrën se si grupet më të rrezikuara: komuniteti rom dhe/ose egjiptian, familjet që duhet të kujdesen për persona të sëmurë, personat me aftësi të kufizuara, familjet që jetojnë vetëm me asistencë sociale, personat e moshuar që jetojnë vetëm, etj, po e përballojnë këtë situatë, nevojat me të cilat hasen dhe adresimin e këtyre nevojave tek institucionet përkatëse.
3. Prodhimin e shtatë videove ndërgjegjësuese, pjesë të një fushatë ndërgjegjësimi që ka si qëllim luftën ndaj dezinformimit dhe rritjen e kapaciteteve te qytetarëve me mjete të thjeshta, për të dalluar lajmet e rreme dhe propagandën. Përgjatë këtyre dy muajve në shumë media online por edhe tradicionale qarkullojnë me dhjetëra informacione të rreme që lexohen dhe shpërndahen me shpejtësi nga audienca. Përmes kësaj fushatë do të synohet jo vetëm rritja e kapaciteteve të audiencës, por edhe të rrisë përgjegjeshmërinë e zyrtarëve të lartë, dhe të institucioneve publike në luftën kundër dezinformimit dhe propagandës, në këtë periudhë pandemie por edhe infodemie.