Në qershor të vitit 2024, Ministria e Arsimit miratoi rritjen e pagave për mësuesit, mesatarisht 18 mijë lekë të reja në muaj. Por ka pasur kundërshti nga sindikatat dhe ekspertët e arsimit, për disa kategori mësuesish. Sipas tyre, janë rreth 6 mijë mësues që (nga rritja) u është ulur ajo që quhet “paga e grupit”, deri në 5 mijë lekë në muaj.

Nëpërmjet një reagimi në Facebook, deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho shprehu shqetësimin se 6500 mësues paguhen më pak se kolegët e tyre. Sipas saj, paga e tyre është ulur me 10 mijë lekë të reja në muaj.

“Siç e kam denoncuar prej muajsh, të paktën 6500 mësues në të gjithë vendin paguhen më pak se kolegët e tyre, për shkak të një VKM të qeverisë që arsimin nuk e ka pasur kurrë prioritet. VKM për pagën e grupit penalizon mësuesit që japin mësim në klasat fillore. Jo vetëm që nuk u është rritur paga, por u është ulur me 10 mijë lekë të reja”, tha Xhixho.

Por, çfarë ka ndodhur realisht me pagat e mësuesve? Në qershor të vitit 2024, me anë të një VKM u përcaktua rritja e pagave për mësuesit. Kjo rritje nisi prej 1 korrikut të vitit që lamë pas. Nëpërmjet vendimit nr. 425, datë 16.6.2024 u përcaktua edhe struktura e pagës për punonjësit e arsimit parauniversitar.  Struktura me ndryshimet përbëhet nga: “Paga e grupit e cila parashikon katër nivele, përkatësisht: Diplomat e arsimit të mesëm të çdo niveli 8,000 lekë; Bachelor është 10,000 lekë; Master Profesional ose të barasvlershme 12,000 lekë; Master i Shkencave ose Profesional me 120 kredite, 14,000 lekë”.

Por sa ishte paga e grupit para se ky vendim të hynte në fuqi?  

VKM nr.175_dt.8.3.2017

M.D. mësuese e arsimit 9-vjeçar në Durrës prej më shumë se 25 vitesh thotë për Faktoje.al se paga e saj u rrit me 20 mijë lekë në muaj në korrik të 2024.

Mësuesja thekson se më parë merrte 63 mijë lekë në muaj dhe pas rritjes së pagave, ajo merr rreth 84 mijë lekë. Mirëpo sot, ajo thekson se kolegë të saj, të të njëjtin profil marrin diku të 5 mijë lekë më shumë.

Pse ka ndodhur kjo? 

Sindikatat

I pyetur nga Faktoje.al, Presidenti i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë, Nevrus Kaptelli, argumentoi se ka pasur rritje të pagave për të gjithë mësuesit, por ka ndryshuar vlera financiare e kategorisë së diplomës që ka mësuesi e cila përfshihet tek paga e grupit. 

“Nuk janë ulur pagat. Pagat me vendimin e qershorit të vitit 2024 janë rritur për të gjithë mësuesit, por për një kategori mësuesish ku janë rreth 6 mijë mësues në të gjithë Shqipërinë, i është ulur njëri element i pagës, është ulur paga e grupit, paga që jepet për diplomën. Ajo ka qenë 14 mijë lekë të reja dhe në VKM e re ka shkuar për ata që janë në parashkollor me Bachelor ka shkuar 10 mijë lekë nga 14 mijë lekë dhe për një kategori tjetër të mësuesve, sipas nivelit të diplomave që kanë mbaruar master profesional, është bërë 12 mijë lekë.

Është ulur kjo, se pagat janë rritur për të gjithë. Por këta që ishin trajtuar për shumë vite me pagë të barabartë me kolegët e tjerë dhe që ishin vlerësuar njëlloj diplomat, me 14 mijë lekë paga e grupit, tashmë paguhen një kategori prej 6 mijë mësuesish me 12 mijë lekë paga e grupit, ajo që vlerëson diplomën dhe një kategori tjetër paguhet me 10 mijë lekë”, sqaron Kaptelli.

Më tej ai shton se: “Nëse përshembull merrnin 50 mijë lekë pagë në muaj, u bë 60 mijë. Por, disa mësues marrin diku te 5 mijë lekë më shumë, për shkak të vlerësimit të diplomës”.

6000 apo 6500 mësues?

Presidenti i Sindikatës, Nevruz Kaptelli, sqaroi se nga ky ndryshim preken rreth 6 mijë mësues në të gjithë Shipërinë edhe pse ka raportime për më shumë, deri në 6500. Nga Ministria e Arsimit nuk ka një përgjigje konkrete sa është numri që preket, por Kaptelli sqaroi se të dhënat për këtë shifër (6 mijë) i kanë marrë nga komunikimi me Zyrat Vendore Arsimore.

Ekspertët

Ndërsa, eksperti i arsimit, Ndriçim Mehmeti shprehet se më këtë ndryshim të bërë, mësuesve ua morën edhe atë shtesë që u bënë në korrik të vitit të shkuar.

“Kur u bë VKM, këta ripërcaktuan grupet, pagën e grupit. U bënë VKM që u rriti pagat mësuesve, këta ua dhanë me të majtën dhe ua morën me të djathtën. Ligji e thotë qartë, nga klasa 6-9 duhet të ketë Master shkencor. Ky është problemi i atyre që kanë përfunduar ciklin 3-vjeçar. Pra, kanë qenë shumë që kanë përfunduar cikël 3-vjeçar dhe ata që kanë përfunduar këtë cikël llogariten me 100 mijë lekë, por nuk kanë bërë masterin, prandaj po bëjnë masterin tani ata”, thotë Mehmeti.

Në ligjin 80/2015, “Për arsimin e lartë” përcaktohet se diplomat e programeve të studimit që kanë zgjatur 3 vite (6 semestra), janë ekuivalente me diplomat “Bachelor”. Ndërsa diplomat e programeve të studimit, që kanë zgjatur së paku 4 vite akademike (8 semestra) janë ekuivalente me diplomat “Master i shkencave”.

Mehmeti shton se: “Penalizohen ata që kanë mbaruar në Gjirokastër, Elbasan, Shkodër dhe më pas edhe në Vlorë dhe Korçë 3-vjeçarin, këta penalizohen. Sepse këta nuk kanë faj, diploma këtyre u thotë mësues i arsimit parashkollor”.

Isa Halili nga Sindikata e Arsimit thekson se fillimisht u mendua si një lapsus nga ana e institucioneve, por edhe pas disa takimeve të bëra, mësuesit nuk janë paguar.

“Kjo ka ndodhur që në korrik 2024, ne në fillim e quajtëm lapsus. Kemi bërë disa takime, por mësuesit nuk i kanë marrë lekët. Kemi kërkuar që mësuesit të trajtohen te paga e grupit siç janë trajtuar deri në qershor”, thotë ai.

Por pse ky ndryshim? “Mendoj se kjo ka ardhur për efekt ekonomik. Buxheti për arsimin është i ulët, 2.4%”, shprehet Halili.

Nga ana tjetër, presidenti i Sindikatës së Arsimit, Nevrus Kaptelli, thotë se kanë bërë dy takime me Ministrinë e Arsimit për këtë cështje, por nuk kanë marrë zgjidhje.

“Ne jemi marrë vazhdimisht me zgjidhjen e këtij problemi dhe kemi bërë dy takime me MAS. Në takimin e dytë të zhvilluar në fund të muajit nëntor 2024, të gjithë ramë dakord se do ta rregullojmë këtë. Ende nuk është rregulluar problemi dhe në takimin që kemi bërë para pak ditësh na është thënë që ky problem nuk mund të zgjidhet tani, sepse bie ndesh me ligjin zgjedhor, por kjo nuk është në fakt e vërtetë, sepse rregullon një padrejtësi që u është bërë mësuesve. Po presim të kalojë dhe kjo periudhë”, bën të ditur Kaptelli.

MAS

Të kontaktuar nga Faktoje.al, burime zyrtare në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit deklarojnë se nuk ka ulje page për asnjë mësues, por nuk dhanë përgjigje për ndryshimet që janë bërë në atë që quhet “paga e grupit”

“Ka vetëm rritje me +180 mijë lekë në muaj mesatarisht”, thanë  burime në MAS.

Përfundim

Nisur nga informacionet e grumbulluara dhe verifikimet e kryera, vendosëm që deklaratën e zonjës Xhixho ta kategorizojmë pjesërisht të vërtetë. Është e vërtetë që një kategori mësuesish paguhen më pak se kolegët e tyre, por paga e tyre nuk është ulur nga sa merrin para së të hynte në fuqi vendimi i qershorit e aq më shumë me 10 mijë lekë të reja, siç deklaron deputetja e Partisë së Lirisë.

Artikulli paraprakPas asnjë bazë akuza se gruaja e Macron është babai i tij biologjik
Artikulli tjetërSPAK nuk kërkoi heqjen e imunitetit të Taulant Ballës
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.