Banorët e fshatrave Gërdec dhe Prezë në Bashkinë Vorë, duket se edhe këtë vit do ta vuajnë problemin e bllokimit të rrugëve për shkak të rrëshqitjes së dherave. Faktoje ishte në këto fshatra ku pa nga afër situatën. Banorë na bënë të ditur se ka edhe mjaft banesa që rrezikohen për shkak të rrëshqitjes së dherave.
……………………….
“Ka disa zona të caktuara në bashkinë e Vorës, të cilat pas reshjeve pësojnë rrëshkitje dheu duke u bllokuar dhe vështirësuar lëvizjen. Të tilla ishin Preza dhe Gërdeci, por që me anë të ndërhyrjes u bë e mundur pastrimi i dheut dhe hapja e rrugës për të vijuar normalisht aktiviteti. Puna në bashkinë e Vorës vijon çdo ditë me ritme të shpejta dhe shumë përkushtim, në mënyrë që të marrim sa më parë rezultate”, njoftonte Bashkia Vorë nëpërmjet një postimi në Facebook në 2 shkurt të vitit 2021.
Screenshot nga postimi i Bashkisë Vorë
Në lidhje me këtë problematikë, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Bashkisië Vorë, ku e pyetëm në lidhje me masat e marra për të shmangur përsëritjen e rasteve të tilla.
Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Vorë
Në përgjigjen zyrtare të Bashkisë për Faktoje theksohet se rrëshqitjet e dherave janë një fenomen prezent në disa zona të Vorës. Ndër të tjera bëhet e ditur nga Bashkia se ka pasur edhe raste ku shumë banesa rrezikonin dëmtimin nga rrëshqitjet.
“Në 4 vitet e fundit territori i Bashkisë Vorë është prekur nga reshjet e shumta të shoqëruara me përmbytje dhe rrëshqitje të dherave, ku zonat më të prekura nga rrëshqitjet janë:
Njësia Administrative Prezë, fshati Gjokaj, fshati Marikaj. Faktorët kryesorë që shkaktojnë rrëshqitje përfshijnë mungesën e infrastrukturës mbrojtëse, investimet parandaluese në shpatet kodrinore, ku janë me risk të lartë rrëshqitje.
Në Bashkinë Vorë kemi raste aktuale ku shumë banesa rrezikojnë dëmtimin nga rrëshqitjet dhe faktorët kryesorë janë reshjet e dendura të shiut. Rrëshqitjet sjellin pasoja të rënda ekonomike, pasi kemi të bëjmë me dëmtim prone, banesa apo humbje të kulturave bujqësore.
Qytetarët, të cilët kanë pasur rrëshqitje dherash, janë drejtuar pranë Bashkisë Vorë duke bërë kërkesë për verifikim të rasteve.
Pasi verifikohen rastet nga grupi komisionit merren masat e nevojshme për të parandaluar vazhdimin e një rrëshqitje dhe ndjekjen e proçedurave për ndihmë financiare në rastet kur rrezikon banesa duke u bazuar në ligjin për Mbrojtjen Civile 45/2019, VKM 329”, thuhet në përgjigjen e Bashkisë Vorë.
Faktoje ishte në Gërdec dhe Prezë, fshatra pjesë të bashkisë Vorë më 15 tetor 2021. Nga vëzhgimi në terren në Gërdec, vumë re që kishin nisur rrëshqitjet e dherave. Në rrugën e fshatit dalloheshin dherat që kishin zënë një pjesë të saj, por pavarësisht kësaj, rruga ishte e kalueshme për automjetet dhe qytetarët.
Rrëshqitje dherash në Gërdec, tetor 2021
Banorët e këtij fshati i thanë Faktoje se me nisjen e shirave situata bëhet problematike, pasi një pjesë e rrugës kryesore bllokohet vazhdimisht.
“Është një pjesë e rrugës kryesore këtu ku rrëshqet dheut sa herë që bie shi. Bllokohet rruga, vjen ndonjë nga bashkisë që e pastron, sa sa për të kaluar banorët e zonës. Është gjithmonë problem ajo pjesë e rrugës”, – tha një banore 35-vjeçare që banon në Gërdec.
Rrëshqitje dherash në Gërdec, tetor 2021
Një tjetër banor na tha se për shkak të rrëshqitjeve të dherave janë të rrezikuara edhe disa banesa në këtë zonë.
“Këtu në Gërdec ka edhe shtëpi që janë të rrezikuara për shkak të rrëshqitjes së dherave. Brenda këtyre shtëpive jetojnë njerëz”, na tregoi një tjetër banor.
Banesa në Gërdec të rrezikuara nga rrëshqitjet e dherave
Edhe në Prezë dalloheshin rrëshqitjet e dherave dhe situata bëhet më problematike gjatë dimrit, kur shirat janë të rrëmbyeshëm.
Pamje nga Preza, tetor 2021
Nga informacionet e Bashkisë Vorë dhe monitorimi që Faktoje bëri në terren, rezulton se problemi i rrëshqitjes së dherave është ende prezent në fshatrat e bashkisë Vorë, ndaj këtë premtin do ta kategorizojmë TË PAMBAJTUR.
*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.