Pretendimi: Stuhi të ngjashme me ato në Valenica do të godasin Shqipërinë në ditët në vijim
Verdikti: Mungon konteksti
—————————————————————————
Parashikimi i prishjes së motit në gjysmën e dytë të muajit nëntor është raportuar nga disa media shqipfolëse në mënyrë sensacionaliste duke kaluar në dezinformim.
Titujt e artikujve japin alarmin për stuhi të ngjashme me ato në Valencia në Spanjë, ku humbën jetën mbi 200 persona.
Në brendinë e tyre, artikujt citojnë meteorologen Tanja Porja, e cila në një shfaqje televizive në A2-CNN më 5 nëntor ka folur për parashikimin e reshjeve prej “50-70 mm në një interval kohor 3 orësh.”
Megjithëse këto nivele intensiteti klasifikohen si reshje të forta dhe mund të shkaktojnë përmbytje në disa qytete të Shqipërisë, ato nuk janë pjesë e të njëjtës stuhi që shkaktoi përmbytjet në Valencia. Vetë meteorologja Porja në parashikimin e saj flet për rreshje të dendura, por jo DANA, fenomenin që goditi Spanjën dy javë më parë.
Fenomeni i rreshjeve të forta në Spanjë është i njohur për shkak të pozicionit të saj midis Oqeanit Atlantik dhe Detit Mesdhe. Masat ajrore të ngrohta dhe të lagështa dhe frontet e ftohta takohen në një rajon ku malet favorizojnë formimin e reve të stuhisë dhe reshjeve. Pasi shkarkohen në territorin e Spanjës dhe Francës, rrymat Atlantike e humbin fuqinë e tyre në brendësi të Mesdheut.
Më 29 tetor në Spanjë u regjistruan mbi 400 mm shiu në 8 orë në disa pjesë të Valencias si Turis, Chiva ose Bunol.
Siç tregohet në grafikun e krijuar nga El Pais, matësi i shiut i Konfederatës Hidrografike Júcar regjistroi 160 mm/h, duke ilustruar ashpërsinë e shiut të rrëmbyeshëm: deri të martën në mëngjes, leximi më i lartë ishte 34 mm/h. Deri në orën 13:00, një stacion matës shiu në Sierra del Ave regjistroi mbi 100 mm/h. Deri në fund të ditës, rreth 20 stacione të tjera e kishin tejkaluar këtë nivel. Intensiteti maksimal i stuhisë erdhi pasdite; ndërmjet orës 18:00 dhe 19:00, matësi i shiut Chiva regjistroi mbi 120 mm/h. Grafiku më poshtë tregon intensitetin e reshjeve në të gjithë provincën e Valencias.
Shënim: Data 5 dhjetor 2024 website NOA e ka korrigjuar lajmin, pas verfikimit të të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.