Asnjë trafikant hebre fëmijësh nuk është vetëdorëzuar së fundmi. Konspiracionistët kanë marrë për të vërtetë një foto virale të komedianit amerikan Sam Hyde.
—————————————-
Në rrjetet konspiracioniste po shpërndahet lajmi se dikush i quajtur Sam’uel Hydeberg, përshkruar si “kreu i bandës dhe koordinatori i tunelit të nëndheshëm hebre” është vetëdorëzuar “me akuzën e trafikimit dhe rrëmbimit të të miturve”.
Duket se postimi i mësipërm është frymëzuar nga zbulimi, para pak ditëve, i një tuneli të fshehtë nëntokësor nën një sinagogë të New York, ShBA, e cila shërbente si seli e sektit hebre Chabad-Lubavitch. Ky tunel i fshehtë ka ngjallur një sërë teorish kundër aktivitetetit të sinagogës, mes të cilave edhe atë për “rrëmbimin e fëmijëve për rite flijimi” apo akuza të tjera që kanë shoqëruar prej shekujsh komunitetet hebreje në botë.
I ashtuquajturi Sam’uel Hydeberg nuk është vetëdorëzuar për ndonjë akuzë trafikimi fëmijësh. Kjo sepse ai nuk ekziston.
Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se foto e mësipërme tregon komedianin amerikan Sam Hyde.
Foto e Hyde, postuar më 20 gusht 2023 në llogarinë e tij në Twitter, është kthyer në një format shakaje në internet. Hyde synon të krijojë rrengje të tilla mbi personazhe reale, si përshembull sulmues me armë në shkolla dhe vende të tjera publike, me qëllim që mediat apo portalet të bien pre dhe të publikojnë foton e tij si atë të atentatorëve. Ky mesa duket është edhe rasti i personazhit të gërrmuesit të tunelit nën sinagogën e New York, që është ndarë në rrjetet sociale si i vwrtetë.
Foto që po qarkullon në rrjetet konspiracioniste, gjithashtu, është një postim satirik që përdor foton e Hyde, duke i shtuar mbi kokë kësulën karakteristike hebraike të quajtur kippah.