Esmeralda Topi

Çfarë do të mendonit nëse do të kishit 200 hektarë sera me domate, luleshtrydhe e tranguj, dhe një ditë ju njoftojnë se afër fshatit do ndërtohet një termocentral me gaz?

Në Roskovec, kjo nuk është pyetje hipotetike. Është realitet i hidhur që rrezikon jo vetëm tokat bujqësore, por edhe të ardhmen. Kjo është historia e një zone rurale me mbi 6,000 banorë që jeton nga toka dhe tani mund të jetojë me helm prej saj.

Në fshatin Suk 1, ku bujqësia dhe blegtoria janë fryma e ekonomisë për banorët, qeveria ka miratuar ndërtimin e një termocentrali me gaz natyror. Projekti me kapacitet 170 MW, ka hasur në kundërshtimin e fortë të banorëve, ekspertëve dhe organizatave mjedisore.

Fotografi nga Atdhe Mulla

“E kemi ngritur këtë jetë me mund e djersë,” thotë Tofik Metushi, 68 vjeç, teksa shikon serat që zënë horizontin edhe pranë vendit ku planifikohet të ndërtohet TEC-i.

Vendi ku do të ndërtohet TEC-i fshati SUK 1 ( Fotografi nga Atdhe Mulla)

Tofiku nuk flet si aktivist. Ai flet si një burrë që ka mbjellë me duart e tij çdo metër tokë që zotëron, dhe që sot pyet me zë të mekur:

“Kush do na i blejë më prodhimet nesër, kur emri i fshatit të lidhet me gaz e ndotje?”

E shkuara i ka dhënë një mësim: “Po të thoshe që ishe nga Marinza, s’të blinte njeri bulmetin. Nëse termocentrali ngrihet, gjithçka merr fund”

Ai nuk është i vetëm. Qindra banorë të fshatrave përreth Roskovecit kanë protestuar, kanë mbledhur firma dhe i janë drejtuar dyerve të gjykatave që TEC-i të mos ndërtohet.

“Edhe shtëpinë të ma prishin, veç ajo të mos bëhet. Është katastrofë për ne”, thotë Tofiku me zë të dridhur.

Por zëri i tij dhe i banorëve ka rënë në vesh të shurdhër. Protesta e tyre është përballur me një sistem që ecën përpara, edhe kur e gjithë zona thërret: “Ndal!”

Një lapsus që djeg tokën

Vendimi i qeverisë, i marrë dhjetorin e shkuar, e quan impiantin “fotovoltaik”. Një lapsus frojdian për t’u arkivuar pasi TEC-i do të funksionojë me gaz natyror. Termocentrali do të furnizohet nga gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP) dhe do të shfrytëzohet nga privati për një periudhë 49-vjeçare.

“Është një projekt i zhvilluar nga një subjekt privat, i cili do të realizojë veprimtari në prodhimin e energjisë elektrike nga impiant Termik, prodhim ky që do të tregtohet privatisht në tregje nga ana e zhvilluesit”, sqaron Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në një përgjigje për Faktoje.al.

Vendi ku do të ndërtohet TEC-i fshati SUK 1 ( Fotografi nga Atdhe Mulla)

Termocentrali do të ndërtohet nga kompania ‘FIER THERMOELECTRIC” SH.A.’, një bashkim kompanish shqiptaro-greke. 30% të aksioneve janë të kompanisë shqiptare ‘Gener 2’ dhe 70% janë të ndara mes grekëve të ‘GEK TERNA S.A.’ dhe ‘DEPA Commercial S.A.’- Korporatës Publike të Gazit në Greqi. Ky projekt nuk është një koncesion klasik. Në këmbim, shteti do të marrë 2% të prodhimit vjetor si “royalty” ndërsa privati detyrohet t’i shesë pjesë të energjisë, shpërndarësit publik.

Mjedisi në letër, ndotja në ajër

Raporti i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis është përgatitur nga një kompani e kontraktuar nga vetë investitori. Ekspertët mjedisorë flasin për manipulime flagrante të të dhënave, për ndotje të fshehur me kujdes nën shifra të bukura.

“75 herë më pak ndotje se realiteti, për të thënë që jemi brenda një standardi,” thotë Gjergj Simaku, ekspert energjetik dhe ish-zv.ministër.

Edhe Lavdosh Feruni nga Lëvizja për Energjinë dhe Klimën thekson se shkarkimet në ajër do të jenë më të larta nga ç’deklarohet në letra.

“Për 3,500 orë pune në vit, TEC-i do të nxjerrë mbi 240 mijë tonë CO2, dhe në rast operimi të plotë, mbi 590 mijë tonë” përllogarit Feruni.

Në vend të energjisë së pastër, kemi një “goditje klimatike” të mbështetur nga shteti një projekt që, sipas Simakut, nuk shërben as për Shqipërinë, por për strategjinë e dekarbonizimit të Greqisë.

“Projekti i Roskovecit është pjesë e një strategjie për të ndërtuar termocentrale në tokë shqiptare, që do të përmbushin nevojat e dekarbonizimit të Greqisë. E njëjta qeveri fitoi në arbitrazh kundër TEC-it të Korçës për ndotjen në mjedis. Tani pse pranon këtë projekt?!” thotë Simaku.

Brukseli dëgjon, Tirana nuk ka veshë

Komisioni Evropian është shprehur i shqetësuar për mënyrën si është miratuar ky projekt. Përmes një reagimi të posaçëm për Faktoje.al Brukseli i kujton Shqipërisë se si vend kandidat duhet të kërkojë vlerësime shkencore të ndikimit dhe të garantojë pjesëmarrjen e publikut.

Me fjalë të tjera: jo të ndërtojë TEC në fshehtësi, në një nga zonat më bujqësore të vendit.

“Angazhimet e financuara publikisht nga Shqipëria, përfshirë mbështetjen nga WBIF, i japin përparësi energjisë diellore, asaj me erë, rehabilitimit të hidrocentraleve ekzistuese dhe përmirësimit të linjave të transmetimit”, thekson një zëdhënës i Komisionit Evropian.

Ndërkohë, edhe Plani Kombëtar për Energjinë dhe Klimën flet për energji diellore, me erë, për përmirësim të hidrocentraleve. Por në terren, flet gazi dhe kumbon heshtja e institucioneve.

“Investimi alternativ me fotovoltaikë do të kishte kosto më të ulët, ndikim më të vogël mjedisor dhe do të mbështeste përmbushjen e Direktivës së BE për Energjinë e Pastër dhe Klimën,” sugjeron Eduard Gjokutaj, ekspert energjie.

“Kjo është një goditje klimatike për Shqipërinë jo për Greqinë. Sepse ne s’jemi vend anëtar, por aspirojmë 2027 dhe kemi disa detyrime për të përmbushur që i kemi të vendosura në letra. Ky është morali,” argumenton Gjergj Simaku.

***

Më 27 shkurt 2025, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi ndërtimin e termocentralit në Suk 1. Tani gjithçka është në letër për t’i hapur rrugën ndërtimit të termocentralit. Por rezistenca nuk është shuar. Shpresa, si çdo filiz në serat e Roskovecit, është ende gjallë.

“Unë kam besim që nuk do të bëhet,” pëshpërit Tofiku, me zërin e një njeriu që ka parë shumë, por nuk ka parë kurrë që drejtësia të vijë me gaz.