Mbi 1 mijë familje në Durrës ende nuk kanë marrë banesat e reja, edhe pse kanë kaluar pesë vite nga tërmeti shkatërrimtar. Këtë e konfirmon zyrtarisht Bashkia e Durrësit për Faktoje.al. Ndërkohë, banorët thonë se u janë ndarë numrat e apartamenteve, por nuk kanë asnjë informacion se kur do të hyjnë në shtëpitë e tyre.
Në 5-vjetorin e tërmetit shkatërrimtar që goditi vendin, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, foli sërish për procesin e rindërtimit. Kësaj here, Sako premtoi dorëzimin e banesave për familjet e prekura nga tërmeti, në dhjetor 2024 ose janar 2025.
“Ne sigurisht që kemi 2024 objektivin e dorëzimit të apartamenteve të lagjes së re, aty ende ka disa punime në lidhje me infrastrukturën, rrjetet e OSHEE-së dhe ujësjellës kanalizime, të cilat janë drejt fundit. Do i qëndrojmë këtij objektivi, besojmë dhjetori dhe janari do të jetë një datë për të bërë dorëzimin e banesave”, deklaroi Sako më 26 nëntor 2024.
Faktoje.al iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Durrësit në lidhje me çështjen e rindërtimit. Ndër të tjera e pyetëm institucionin për numrin e familjeve të prekura nga tërmeti, të cilat ende nuk e kanë marrë banesën.
Zyrtarisht Bashkia e Durrësit bën të ditur se janë ende mbi 1 mijë familje që nuk janë futur në shtëpitë e tyre, edhe pse kanë kaluar 5 vite nga tërmeti tragjik.
“Të pa akomoduar akoma janë 1189 apartamente tek zona e Re për zhvillim në Spitallë, pallati Kastrati dhe zona e Re për zhvillim Ishëm”, shkruan institucioni në përgjigjen zyrtare për Faktoje.al
Më tej, thekson: “Procesi i rindërtimit është drejt përfundimit së bashku me banesat e të dëmtuarve nga tërmeti. Bashkia do të mundësojë dorëzimin e banesave sa më parë, me qëllim akomodimin e familjeve në banesat e tyre të reja.
Duke qenë se ka ende objekte të rindërtimit, që kanë nevojë për financim, Bashkia “Durrës” në buxhetin e vitit 2025, ka marrë masa t’i japë prioritet investimeve”
Nga ana tjetër, Bashkia e Durrësit pranon faktin që familjet nuk marrin bonus qiraje prej gati 2 vitesh.
“Referuar ankesave në drejtim të Bashkisë Durrës, në lidhje me bonusin e qirasë për familjet e prekura nga tërmeti, ju bëjme me dije se nga momenti i ndodhjes së fatkeqësisë natyrore dhe deri në muajin mars të vitit 2023, bonusi i qirasë është financuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë sipas Aktit Normativ nr.9, datë 16.12.2019 ‘Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore ‘
Ndodhur në këto kushte Bashkia Durrës ka bërë vetëm miratimin e listës përfituese të banorëve me vendim këshilli bashkiak”, argumenton institucioni.
Mirëpo, Bashkia e Durrësit nuk jep përgjigje nëse qytetarët do i marrin bonuset e prapambetura të qirasë.
“Nëpërmjet shkresës nr.5897 të Ministrisë e Financave dhe Ekonomisë, të gjitha bashkitë janë njoftuar se subvencionimi i qirasë mbas muajit mars 2023, nuk do të financohet më nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, por duhet parashikuar nga buxheti i Bashkisë”, thuhet më tej në përgjigje.
Banorët: Presim zgjedhjet që të marrin apartamentet
Bashkim Gjika është prej banorëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-s. Tërmeti ia bëri të pabanueshëm apartamentin në lagjen 5 në Durrës. Prej asaj nate, Bashkimi ende nuk ka një çati mbi krye. Ai tha për Faktoje.al se banesën e re do ta marrë në Spitallë dhe jo në zonën ku e kishte. Veç kësaj, i moshuari tregon se është bërë vetëm ndarja e numrave për personat që do marrin apartamentet.
“Nuk janë ndarë shtëpitë, na kanë dhënë vetëm numrat. Më kanë dhënë vetëm në letra një apartament 2+1, jo në lagjen ku e kisha, por në Spitallë. Kanë një të mirë, nuk flasin hic, nuk na janë informacion fare. Shtëpitë kanë përfunduar se i kam parë, por nuk kanë ardhur votimet akoma që të na i japin. Isha një ditë dhe i pashë, kishin ngel pa vënë sahatet e ujit dhe ato të dritave. Iku janari, erdhi shkurti, asgjë nuk kemi marrë”, thotë i shqetësuar Bashkimi, i cili prej 5 vitesh endet dyerve të institucioneve për një përgjigje.
Faktoje.al ka raportuar në një sërë artikujsh në lidhje me shkeljen e premtimeve për rindërtimin në Durrës.
Përfundim
Nga informacionet e grumbulluara, vendosëm që premtimin e kryetares së Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, për dorëzimin e banesave për familjet e prekura nga tërmeti brenda janarit, do ta kategorizojmë Të Pambajtur.