Konvikti i shkollës profesionale “Kolin Gjoka” në Lezhë ka hapur dyert për nxënësit dy javë me vonesë këtë vit shkollor. Rindërtimi i godinës nuk përfundoi në kohë, duke lënë dhjetëra nxënës të shkollës profesionale pa një “çati” mbi kokë. Nga verifikimi i Faktoje në Lezhë rezultoi se konvikti është hapur për nxënësit në fund të muajit shtator.
Esmeralda Topi
“E mbani mend konviktin e shkollës profesionale “Kolin Gjoka”? Një godinë e degraduar brenda dhe jashtë që i ngjante një kazerme lufte! Shikojeni godinën e re që po përfundon dhe që do jetë një ndër konviktet më të mira në vend.”– shkruante në një postim në rrjetin social Facebook, Kryetari i Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu në 30 gusht të këtij viti.
Nisur nga rëndësia që ka ky premtim për nxënësit e shkollës së mesme profesionale “Kolin Gjoka” të cilët banojnë larg qytetit të Lezhës, Faktoje vendosi të verfikojë premtimin e kryebashkiakut Pjerin Ndreu.
Ndonëse viti i ri shkollor nisi më 12 shtator, godina e konviktit “Kolin Gjoka” në Lezhë nuk i kishte hapur dyert për nxënësit. Për këtë arsye, më 20 shtator Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Lezhës, lidhur me përfundimin e punimeve në këtë objekt dhe vlerën e investimit të tij.
Më 13 tetor, pas një ankimimi në zyrën e komisionerit për të drejtën e informimit, Bashkia e Lezhës ndër të tjera shkruante:
“Ju informojmë se punimet janë në fazën përfundimtare të kompletimit me orendi dhe pajisje dhe së shpejti do të akomodohen edhe nxënësit.”
Përgjigjja e Bashkisë Lezhë, 13 tetor 2022
Pas kësaj, ne shkuam në Lezhë për të verfikuar nga afër nëse kishin përfunduar punimet në godinën e konviktit të shkollës profesionale “Kolin Gjoka”.
Faktoje ishte në Lezhë më 9 nëntor. Nga verfikimi në terren rezultoi se godina e konviktit ishte hapur për nxënësit, dy javë pasi kishte nisur viti i ri akademik.
Shkolla profesionale “Kolin Gjoka”, Lezhë 9 nëntor 2022
“Konvikti është hapur dy javë pasi nisi shkolla. Unë ndenja tek një i afërm që kam në Lezhë, pasi s’mund ta bëja vajtje-ardhje çdo ditë. Jetoj në një fshat që është larg nga këtu dhe transporti pasditeve mungon.” – na thotë një nxënës i shkollës profesionale “Kolin Gjoka” që është banor i konviktit.
“Këtë vit jemi më pak nxënës në konvikt, disa edhe prej këtij fakti. Një nxënës që njoh unë që do regjistrohej në vit të parë nuk u regjistrua pasi nuk kishte ku të rrinte.” – na sqaron një tjetër nxënës i shkollës “Kolin Gjoka”.
Aktualisht në konviktin e shkollës profesionale në Lezhë janë të regjistruar 25 nxënës, por vetëm 18 prej tyre e frekuentojnë rregullisht shkollën.
Godina e konviktit të shkollës profesionale “Kolin Gjoka”, Lezhë 9 nëntor 2022
Godina e konviktit kishte vite në gjendje të degraduar, por dëmtimet e para serioze i pësoi pas tërmetit të 26 nëntorit, për t’u bërë e pabanueshme në janar të 2020 nga një tjetër goditje e fortë tërmeti.
“Edhe pse muret ishin të çara nga tërmeti i 26 nëntorit, ne vazhduam të rrinim aty. Më pas në janar, natën kur ra një tjetër tërmet, ne kemi dalë dhe jemi shpërndarë nëpër shtëpitë e punonjësve të konviktit, apo tek të afërm, pasi godina u dëmtua shumë. Pas disa ditësh, Bashkia gjeti ambiente me qira dhe u zhvendosëm në to.” – rrëfen për Faktoje një nxënës.
Sipas Bashkisë së Lezhës, rindërtimi i godinës ishte pjesë e Programit të Rindërtimit, me një vlerë prej 151.500.000.00 lekësh.
Në vitin 2019-2020 në konviktin e shkollës profesionale “Kolin Gjoka” ishin të regjistruar 52 nxënës. Sot numri i tyre është përgjysmuar.
Nisur nga verifikimi në terren si dhe informacionet që kemi marrë nga Bashkia e Lezhës, premtimin e kryebashkiakut Pjerin Ndreu, do ta kategorizojmë të mbajtur.
“Faktoje”, e mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo, premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.