.

.

BallinaPertejRimbursimi i recetave anti-Covid, shumë zhurmë për "pak gjë"

Rimbursimi i recetave anti-Covid, shumë zhurmë për “pak gjë”

ELISA GJERANI

Në nëntor të 2020-s, Ministria e Shëndetësisë njoftoi rimbursimin e barnave për pacientët e sëmurë me Covid-19, përmes një pakete prej 1.2 miliardë lekë. Thuajse dy muaj nga ky vendim, rezultojnë se shumë pak pacientë janë rimbursuar, çka pohohet nga mjekë të familjes, pacientë që kanë kaluar Covid-in dhe farmacistë. Një farmaci në qendër të Tiranës konfirmon se ka marrë vetëm 4 receta rimbursimi për pacientë me Covid. Teksa ekspertët rendisin disa arsye për zbatueshmërinë e ulët të rimbursimin të recetave, institucionet nuk tregojnë sesa pacientë me Covid-19 janë rimbursuar prej nëntorit e deri sot.


Rimbursimi i ilaçeve për pacientët me Covid-19 ishte një hap i kërkuar me kohë nga ekspertët e shëndetësisë, nga pacientët, por edhe nga opozita.

Më 13 nëntor 2020, Komisioni i Ekonomisë teksa kishte shqyrtuar projektbuxhetin e vitit 2021 në Kuvend, në të cilin parashikohej fondi 12 milionë dollarë për subvencionimin e ilaçeve anti-Covid, artikuloi fillimin e rimbursimit të ilaçeve Covid më 1 janar 2021.

Më 19 nëntor 2020, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastlirliu gjatë një komunikimi me mediat njoftoi se rimbursimi do të niste menjëherë.

“Qeveria shqiptare ka marrë vendimin për të rimbursuar të gjithë pacientët me Covid-19 që trajtohen në mënyrë ambulatore në shtëpi. Do të përfitojnë të gjithë qytetarët, qoftë nëse janë të siguruar, qoftë nëse nuk janë të siguruar. Nga sot ka filluar të funksionojë si skemë mjekimi në të gjithë strukturat tona të kujdesit parësor.”- tha ministrja Manastirliu.

Ajo theksoi tha se qeveria shqiptare ka financuar 1.2 miliard lekë për rimbursimin e trajtimit ambulator. Paketa e barnave për trajtimin ambulator në banesë të pacientëve të diagnostikuar me Covid-19 përbëhet nga dy skema trajtimi, në përputhje me formën e sëmundjes, sipas udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve dhe do të financohet 100% nga shteti.

Paketa e mjekimit bazë përmban vitaminoterapi, antipiretikët, antibiotikët, antikoagulantët dhe kortizonikët, por është mjeku i familjes ai që përcakton se çfarë mjekimi duhet të marrë pacienti i diagnostikuar me Covid-19.  Paketa anti-Covid e financuar nga qeveria, përmban barna që janë aktualisht në listën e rimbursimit, por edhe barna të reja të cilat janë shtuar në paketë, për t’u përfituar nga të gjithë të prekurit me Covid, sipas vlerësimit të mjekut të familjes.

 “Paketa e miratuar është buxhetuar në fondet e alokuara që në fillim të kësaj pandemie. Janë 25 milionë euro të dedikuara Ministrisë së Shëndetësisë për përballimin e epidemisë, për rritjen e kapaciteteve, por edhe për mbulimin e rimbursimit. Edhe paketa e rimbursimit nuk ishte një paketë e cila u mendua dje dhe u financua sot. Në strategjinë tonë të vjeshtë-dimrit, edhe në strategjitë e mëparshme, paketa e mbështetjes së qytetarëve me terapitë e barnave në spitale është falas, por edhe përsa i përket rimbursimit ambulator, u vlerësua sipas udhëzimit të përcaktuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Por lista aktuale e rimbursimit ka gjithashtu terapi, apo klasa barnash të cilat rimbursohen edhe për infeksionet virale”- tha ministrja Manastirliu.

Sipas Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, aktualisht mundësinë e rimbursimit të barnave e kanë 927 farmaci nga 1500 farmaci që ka në total në të gjithë Shqipërinë.

Por çfarë ndodh sot, kur kanë kaluar rreth 3 muaj nga ky vendim?

Hapi i parë që një pacient i konfirmuar me Covid-19 kryen, është kontakti me mjekun e familjes, për të përfituar kodin e recetës me rimbursim, sipas nivelit të sëmundshmërisë, a ose b. Ndërsa i afërmi i pacientët kujdeset që të shkojë në farmaci e të marrë medikamentet e nevojshme, sipas shkallës së agravimit të virusit.

Majlinda është mjeke familjeje në poliklinikën nr. 9 në zonën e 21 dhjetorit në kryeqytet.

“Je ende në ditën e dytë dhe nuk mund të nisim menjëherë trajtimin me antibiotik, të shohim çfarë do të ndodhë nga dita e 5-të, pasi pak temperaturë është normale që të kesh, fundja je konfirmuar pozitiv me Covid 19 dhe ky është një nga simptomat që manifeston ky virus”- i thotë ajo një pacienteje në telefon.

Teksa mbyll telefonin, kthehet nga ne dhe thotë:

“Megjithëse është ora 9 e mëngjesit, kjo është telefonata e shtatë që bëj me pacientë të konfirmuar me Covid-19. Dita ime mbaron në 11-12 të natës, pasi gjatë të gjithë kohës jam në kontakt me ta. Që nga 15 janari e tutje, mund të them se ka filluar vala e tretë e virusit, pasi ka një trend të frikshëm, gjithnjë në rritje”, konfirmon ajo.

Përsa i përket recetave të rimbursueshme, mjekja na shpjegon se ato aplikohen online në E-Albania nga mjeku përkatës i familjes.

“Gjatë gjithë këtyre muajve kam zhvilluar vetëm 3 receta me rimbursim, kjo pasi edhe për ne mjekët është angari e shtuar. Organizo planifikimet e analizave, regjistro këtë, bëj atë, të gjitha online dhe s’na del koha, por nga ana tjetër edhe pacientët nuk presin këto burokraci, pasi vijnë nga lloj-lloj analizash të bëra në privat dhe duan thjesht të mbarojnë punë. Plus nuk janë ndonjë palë ilaçe kushedi se çfarë të rimbursueshme, pra dikush që ka harxhuar 100 mijë lekë për skanerin në privat a më shumë, pasi në shtet ky shërbim vjen vetëm me planifikim dhe vonon në kohë, atëherë nuk pyet më ai pacient për një rimbursim deri në 20-30 mijë lekë të vjetra nga shteti, por kërkon ilaçet më të mira për veten, duke shmangur burokracitë”- përfundon Majlinda për Faktojen.

Mjeku i familjes përshkruan barnat sipas protokolleve dhe udhëzimeve të përcaktuara, në varësi të stadit të sëmundjes së pacientit. Kohëzgjatja e mjekimit është deri në 1 muaj dhe receta e rimbursuar përfitohet sipas sistemit aktual të rimbursimit, në farmacitë e rrjetit të hapur me kontratë me Fondin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.

Agimja, një zonjë 42-vjeçare rrëfen për Faktojen se ka pasur një gjendje të rënduar nga Covid-19. Teksa vuajti stadin 2 të kësaj sëmundjeje, ajo kishte nevojë për antibiotikë dhe hollues gjaku dhe ende sot pas një muaji nga momenti i rezultatit negativ të tamponit, s’e ka marrë veten plotësisht.

“Kisha të gjitha simptomat, ndërsa tamponi vononte. Fillova mjekimin me rekomandimin e një prej mjekëve infeksionistë të njohur në spitalin Infektiv. Kur doli përgjigjja, u interesova bashkë me mjeken e familjes, ndërsa më bëri me dije se nuk përfshiheshin një sërë antibiotikësh të rëndësishëm për këtë sëmundje në stadin që unë vetë isha, teksa nuk bëhej fjalë të përfshihej në skemën e rimbursuar nga shteti, as holluesit e gjakut, që kushtojnë më shumë”- tha ajo.

Pata një faturë që i tejkaloi 800-900 euro, por ama për shkak se u bëmë një sërë rastesh në kompaninë private ku unë punoj aktualisht, pronari m’i dha ato para të harxhuara për shëndetin. Të ishte për shtetin, unë sot nuk do isha në jetë”- përfundon Agimja.

Farmacistët: Shumë pak receta të rimbursuara

Linda punon në një farmaci në zonën e Pazarit të Ri. Ajo rrëfen për Faktojen se këto 3-4 muajt e fundit ka pasur vetëm 4 pacientë që kanë ardhur me receta të rimbursuara.

Ka një interes shumë të ulët të pacientëve me Covid-19 për të përfituar nga kjo skemë. Arsyet janë disa. Ilaçet e listuara në listën e rimbursimit jo gjithnjë rekomandohen edhe nga mjeku, teksa ka variante të tjera pa fund edhe më të mira dhe pacienti në këtë pikë, midis dy alternativave të dhëna nga mjeku, zgjedh atë që është më e favorshme për shëndetin e tij. Shto këtu që shumica e pacientëve të stadit 2 kanë nevojë për hollues gjaku, të cilët kushtojnë shumë, dhe që në njëfarë mënyre ata janë të detyruar t’i marrin, qoftë kjo edhe jashtë listës, pasi nuk janë në skemën e barnave të rimbursueshme”- tregon ajo.

Të gjithë klientët e farmacisë, sipas Lindës, që në fillimet e pandemisë kanë blerë vitaminat C dhe D, të cilat në fakt janë përfshirë në skemën 1, por ajo është diçka parandaluese që çdokush e ka bërë me kohë.

Teuta është një tjetër farmaciste që operon në qendër të Tiranës. Ajo thotë për Faktoje:

“Ne kemi pasur gjithsej 3 receta Covid-i gjatë të gjithë kësaj periudhe dhe duket sikur mjekët nuk kanë dëshirë të japin rimbursim për Covid-in. Arsyen pse, nuk e di. Edhe në rastet kur u japin receta pacientëve për Covid-19, përsëri nuk ia japin nga lista e barnave të rimbursueshme. Unë di që në farmacinë time recetat për pacientët që kanë kaluar Covid kanë qenë shumë të pakta. Unë dyshoj të ketë të bëjë me faktin që mjekët e familjeve kanë një limit në shifrat që mund të përshkruajnë sëmundje jo kronike”- konstaton ajo.

Diana Toma nga Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë gjithashtu konfimon faktin se pak qytetarë kanë përfituar barna të rimbursuara në farmacitë e vendit. Ajo shprehet se mund të jenë disa arsye që ka pak receta të rimbursuara. Së pari, shumica e qytetarëve të infektuar me Covid nuk shkojnë tek mjeku i familjes, dhe së dyti, në receta nuk parashikohet rimbursimi i medikamenteve që janë me peshë në trajtimin e Covid-19.

Përgjithësisht, medikamentet e Covid-it merren me receta, por në shumë raste ato nuk kalojnë fare tek mjeku i familjes. Pastaj, vlera e rimbursimit është shumë e ulët. Medikamentet që kanë peshë nuk parashikohen në paketat e rimbursimit. Numri deri tani është shumë i ulët, pothuajse i papërfillshëm”-shprehet ajo.

Ndërsa mjeku Erion Dasho, veçon arsye të tjera të interesit të ulët të qytetarëve për të përfituar medikamentete të rimbursuara ndaj Covid-19.

Receta ka pasur gabime thelbësore, siç ka qenë përmendja e medikamenteve me emrin e tyre komercial dhe jo gjenerik. Në mënyrë të çuditshme rimbursohen vitaminat, Vitamina C e cila nuk ka ndonjë studim që kanë ndonjë rol.

Nga ana tjetër, ne kemi pozitiv gati 25% të rasteve që testohen, që flet për një shkallë të ulët të testimit. Pra nga njëra anë premtohet rimbursim dhe nga ana tjetër nuk testohet. Kjo është një lojë ‘veza apo pula’ që nuk të çon në asnjë vend dhe me sa di unë qytetarët i kanë bojkotuar këto receta. Ndërkohë medikamentet për Covid-19 janë shumë të shtrenjta.”- thotë mjeku Dasho.

Recetat me medikamentet anti-Covid aplikohen te portali e-Albania

Ne kontaktuam në telefon edhe me Shpresa Mezinin, zëdhënësen e Agjencisë Kombëtare të Informacionit, institucion që menaxhon platformën e-Albania. Ne pyetëm për numrin e saktë të aplikimeve në portal, meqë mjekët do të duhet ta depozitojnë aty kërkesën e tyre për një pacient të konfirmuar pozitiv me Covid 19 për të përftuar rimbursimin. Pavarësisht pritjes disaditore, në fund na thanë se e-Albania nuk mund të japë shifra lidhur me këtë çështje, pasi nuk e kanë në kompetencë.

“Ka një numër të madh aplikimesh dhe pranimesh për recetën e rimbursueshme, por nuk është në kompetencën tonë dhënia e këtyre shifrave, ndërsa ka interes edhe për kryerjen e skanerit nga qytetarët gjithashtu”- tha Mezini.

Faktoje iu drejtua edhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor me një kërkesë për informacion mbi numrin e recetave të rimbursuara deri më tani, në kuadër të pandemisë së Covid-19 dhe për vlerën e tyre, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk mori një përgjigje nga ky institucion. Më 2 shkurt 2021, patëm një komunikim telefonik me koordinatoren për të drejtën e informimit në këtë institucion, e cila premtoi se do të na kthejë përgjigjen.

*Foto e parë është realizuar nga Getty Images

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img