Në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit, kandidati socialist për Bashkinë e Shkodrës Benet Beci, premtoi investim të menjëhershëm në tregun kryesor të qytetit, në lagjen Rus.
“Kjo zonë tregtare ka nevojë për kualifikim dhe investim të menjëhershëm. Duhen plotësuar kërkesat e tregtarëve, por dhe të blerësve, në mënyrë që të kenë kushte higjieno-sanitare dhe të denja për ta kryer veprimtarinë tregtare në këtë zonë.”, premtoi Beci.
Në zgjedhjet vendore të 14 majit, Benet Beci u votbesua nga 34,531 shkodranë. Kjo ishte hera e parë që socialistët fituan Shkodrën, që njihet si bastion i demokratëve prej vitit 1991, kur në Shqipëri u vendos pluralizmi politik.
Verifikim
Punimet për rehabilitimin e tregut në lagjen Rus nisën në fund të korrikut, një vit pasi Beci mori zyrtarisht detyrën e kryebashkiakut te Shkodrës.
“Sot është ditë shumë e mirë për ne me thënë të drejtën, që ia arritëm ditës me fillu tregun e Rusit se më beter s’ka si me qënë. Ka qënë turp.”, u shpreh Beci në çelje të punimeve.
Sipas tij, markata e re pritet të jetë gati këtë fundvit.
“Shpresoj shumë që në katër muaj ne të kemi tregun me kushte cilësore shumë të mira, të pastrimit, të pastërtisë, të ndriçimit, të tregtimit.”, premtoi Beci.
Mirëpo, në një përgjigje zyrtare për Faktoje të muajit shtator, Bashkia e Shkodrës jep tjetër afat.
“Në tregun e lagjes rus, kanë filluar punimet të cilat sipas grafikut të punimeve janë parashikuar të zgjasin 1 vit.” – Bashkia Shkodër.
Edhe në tabelën e punimeve në hyrje të tregut të Rusit, investimi planifikohet të përfundojë në 12 muaj- verën e vitit të ardhshëm.
‘Nga qendra në periferi’
Kohëzgjatja e punimeve prek aktivitetin e 52 tregtarëve që zhvillonin tregti në markatën e lagjes Rus. Prej muajit korrik ata u zhvendosën nga qendra në periferi, në afërsi të Sheshit Ura e Maxharrit (kryqëzimi për Dobraç).
“Ata na kanë thënë për katër muaj, se sa zgjat s’di gjë. Ata ndoshta e bëjnë edhe më shpejt, ndoshta e bëjnë edhe më ngadalë.”, i tha Faktoje tregtari Fadil Cekaj.
Life Smakaj, një tjetër tregtare e zhvendosur nga tregu i Rusit në Dobraç, ndan mirëkuptim.
“Ne nuk mërzitena, ta bëjnë kur të dojnë se ajo shtëpia e re ka punë. Ne fort keq nuk jena…”, pohon tregtarja.
Tregu i ri në lagjen Rus është pjesë e projekteve të financuara nga Agjencia për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor. Kosto totale e investimit parashikohet prej 36 milionë lekësh, nga të cilat 7,4 milionë janë nga buxheti i Bashkisë Shkodër.
Fakt
Punimet për markatën e Rusit përfunduan përpara afatit zyrtar të kontratës. Tregu u hap më 15 dhjetor para festave të fundvitit sikurse premtoi kryebashkiaku Beci.
Përfundim
Nisur nga informacionet e mbledhura dhe verifikimi në terren, premtimin e kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, për investim të menjëhershëm në tregun Rus, e vlerësojmë të mbajtur.
Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.
Shënim
Më 27 dhjetor Faktoje.al rishikoi artikullin duke reflektuar ndryshime në përmbajtjen e tij, pasi tregu i ri u hap brenda dhjetorit, sikurse kishte premtuar kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci.