.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookRiciklim i lajmit për gabimin drejtshkrimor në kartëmonedhat shqiptare

Riciklim i lajmit për gabimin drejtshkrimor në kartëmonedhat shqiptare

Prerjet e reja të kartëmonedhave shqiptare kanë korrigjuar një gabim drejtshkrimor që ndodhej në prerjet e mëparshme. Riciklimi i një lajmi të vjetër në portale ka nxjerrë jashtë kontekstit denoncimin e një gabimi të Bankës së Shqipërisë.

Shkrimet që kanë në përmbajtje paranë janë ndër më të klikuarat ndaj dhe portalet nuk ia ‘kursejnë’ publikut këto lajme. I tillë është dhe rasti i artikullit të publikuar nga portali www.shqip-lajme.com.

“Si nuk e paskemi ‘vënë’ re! Ja gabimi që kanë bërë me Lekun që e përdorim në çdo moment”.

Me këtë titull që ngjall kureshtje shkrimi që është publikuar më 17 nëntor ka marrë 474 pëlqime.

Screenshot nga portali shqip-lajme.com

“Këtu nuk po flasim vetëm për mosshkrimin e “ë”-së dhe “ç”-së, sepse këtë mund ta justifikojmë me çështje dhe aftësi teknike, që në ditët e sotme edhe ky korrigjim është shumë i lehtë, por flasim për shkrimin gabim të numërorëve shprehje, si: “Pesë mijë lekë”, “Një mijë lekë”, “Dy mijë lekë”, që shkruhen ndaras, por që në paratë tona e gjejmë: “Pesëmijë lekë”, “Dymijë lekë”, “Njëmijë lekë” etj.” – sqarohet më tej në brendësi të shkrimit që vë në dukje gabimet drejtshkrimore që janë në disa prerje kartëmonedhash të lekut në Shqipëri.

Duke verifikuar më tej lajmin rezulton se kemi të bëjmë me një riciklim nga viti 2019, kohë kur Banka e Shqipërisë prezantoi serinë e re të përmirësuar të kartëmonedhave shqiptare me kurs ligjor.

Në atë kohë, redaktorja e shtëpisë botuese “Albas”, Sevi Lami, publikoi me të drejtë shkrimin me titull “Leku… një shekull i shkruar gabim!”duke vënë në dukje gabimet drejtshkrimore në kartëmonedhat me prerje dy mijë lekë, pesë mijë lekë, dhjetë mijë lekë dhe njëzet mijë lekë.

Ky denoncim ishte i saktë në vitin 2019, por nga ajo periudhë e deri më sot situata ka ndryshuar. Banka Kombëtare, e kuptoi gabimin dhe në seritë e prerjeve të reja të këtyre kartëmonedhave e korigjoi atë. Nga një verifikim që “Faktoje” bëri me serinë e re të prerjeve të kartëmonedhave që janë hedhur në treg, rezulton se ky gabim është korrigjuar.

Madje edhe lajmi i portalit shqip-lajme.com ka si fotografi ilustruese një prerje të kartëmonedhës pesë mijë lekë, e cila është e shkruar siç duhet.

Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img