Pretendimi: Partia Socialiste ka pësuar një rënie të forte në sondazhin e NotoSondaggi
Verdikti: Mungon konteksti, clickbait
—————————————————–
“Renie e forte e Edi Rames! Del Sondazhi i ri i News24! Ja ke do votojne shqiptaret” titullohet artikulli i botuar më 28 prill në portalin petravu.com.
Megjithatë, lexuesi kureshtar do të zhgënjehet kur të lexojë brendinë e artikullit, ku sqarohet se, sipas një sondazhi të kryer nga Notosondaggi, “PS ka humbur 0.5% të mbështetësve.”
Një rënie prej 0.5% zor se mund të quhet e fortë, sidomos nëse vendoset në kontekst, krahas subjekteve të tjerë zgjedhorë të përfshirë në sondazh.
Siç vërehet në tabelën e mësipërme, dy subjekte kanë rënë me 0.5% ndërsa njëri ka rënë me 1%.
Pretendimi se 0.5% është një rënie e fortë në këtë rast është i pasaktë edhe sepse marzhi i gabimit të sondazhit është 2%.
Qartazi, titulli i artikullit nuk reflekton brendinë e tij dhe keqinformon me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve duke provokuar kuriozitetin e lexuesve.