Në rrjete sociale po qarkullon një video e resë toksike të shkaktuar nga dalja nga shinat e një treni mallrash në Ohajo më 3 shkurt. Verifikimet tregojnë se bëhet fjalë për një fenomen natyror të zakonshëm të regjistruar muaj më parë në një tjetër shtet.
Më 15 shkurt 2023, një video e postuar në Facebook tregonte një re të madhe të errët, të xhiruar nga një makinë në lëvizje. Pamjet shoqërohen me një koment, ku shkruhet: “Re toksike në Ohajo”.
Këta përdorues e lidhin fenomenin natyror me një ngjarje të ndodhur në 3 shkurt në Ohajo të Shteteve të Bashkuara, ku një tren mallrash që transportonte kimikate ka dalë nga shinat dhe si pasojë është përfshirë nga zjarri.
Ngjarja ngjalli shqetësimin e banorëve për pasojat e mundshme në shëndet nga derdhja e kimikateve dhe ndezja e zjarrit. Por, autoritetet lokale mjedisore kanë raportuar se as uji dhe as ajri nuk janë kontaminuar në nivele të dëmshme për shëndetin e njeriut, nga dalja e trenit nga të mallrave nga shinat.
E njëjta video është publikuar në të njëjtën ditë edhe nga një përdorues Facebook-u në Shqipëri me mbishkrimin:“ Ohio… @zgjohuni”
Videoja është e vërtetë, por nuk ka asnjë lidhje me daljen nga shinat e trenit të mallrave në Ohajo në shkurt 2023.
Pamjet në fjalë u shpërndanë nga një përdorues në TikTok në nëntor 2022 me një mbishkrim ku thuhej se skena ndodhi në Oregon. Kolegët e Reuters e kanë lokalizuar videon, duke konfirmuar se vendi i marrë është një rrugë në qytetin e Portland, Oregon.
Ndërkaq, Larry O’Neill, profesor i asociuar dhe drejtor i shërbimeve klimatike në Oregon në Universitetin Shtetëror, tha se reja e kapur në video mund të ishte lidhur me një stuhi ose mund të ishte një lloj reje me lartësi mesatare që shpesh zë gjithë qiellin. O’Neill vuri në dukje se ky lloj fenomeni ndodh rregullisht në Oregon.