Kinematografi Stanley Kubrick nuk pranoi se ndihmoi qeverinë amerikane të inskenonte zbarkimin e njeriut në Hënë para se të vdiste. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se video që po qarkullon në internet tregon në të vërtetë një aktor që po luan Kubrick në një film.
————————————
Si një prove e mëtejshme e teorive konspiracioniste se njerëzit nuk kanë zbritur asnjëherë në sipërfaqen e Hënës, përdorues të mediave sociale, përfshi edhe ata shqipfolës, po shpërndajnë një intervistë të fundit të kineastit amerikan Stanley Kubrick. Në videon që qarkullon së fundi në rrjet, Kubrick rrëfen ndihmën që i ka dhënë qeverisë së ShBA dhe NASA për inskenimin e misioneve në Hënë.
Në video, një burrë me mjekër të bardhë deklaron:
“Kam kryer një mashtrim të madh kundrejt publikut amerikan, për të cilin tani do hyj në detaje, që përfshin qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe NASA, që zbarkimet në hënë kanë qenë të inskenuara, që zbarkimet në hënë kanë qenë të gjitha të inskenuara, dhe unë isha personi që i xhiroi.”
Megjithatë, burri në video nuk përngjason me dhe nuk tingëllon si Stanley Kubrick, i cili ndërroi jetë në Mars 1999. Për krahasim, gjeni më poshtë një pamje të Stanley Kubrick në 1998.
Postimi pretendon se menjëherë pas këtij rrëfimi regjizori i njohur vdiq papritur, duke aluduar edhe për një zhdukje të qëllimshme të dëshmitarit.
Kështu, Faktoje vendosi të verifikojë vërtetësinë e kësaj ‘interviste’ të Kubrick.
Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, zbuluam se klipi që po shpërndahet nga konspiracionistët është shkëputur nga një film i vitit 2015 i quajtur “Shooting Stanley Kubrick”, i prodhuar nga T. Patrick Murray.
Sipas të dhënave mbi filmin në databazën e të dhënave IMDB, ‘Stanley Kubrick’ që rrëfen inskenimin e zbarkimit në Hënë është në fakt aktori Tom Mayk.
Aktori Tom Mayk në 2012
Në 2015, një zëdhënës i së vesë së Kubrick, Christiane Kubrick, tha se “intervista është një gënjeshtër, Stanley Kubrick nuk është intervistuar kurrë nga T. Patrick Murray, e gjithë kjo histori është e sajuar, mashtruese dhe e pavërtetë.”