Reforma Zgjedhore, PS-PD mosbesuese për draftin final

46

Komisioni i Reformës Zgjedhore zgjodhi gjashtë ekspertë nga mazhoranca dhe opozita, të cilët do të hartojnë draftin bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR. Megjithatë, PS dhe PD mbeten mosbesuese për konsensusin final, duke rikthyer në kujtesë dështimet e marrëveshjes së vitit 2020.

Sebi Alla

Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, i kujtoi kundërshtarëve politik se socialistët i kanë votat për të miratuar çdo ndryshim në ligj, por kërkoi mbështetjen e opozitës për të arritur marrëveshje për draftin final.

“Detyrat që na ka dhënë Komisioni Evropian duhet të plotësohen. Pavarësisht se drafti i partive politike, kërkon 71 vota, mazhornca e ka thënë në fjalën e saj se këtë ligj, duam ta trajtojmë në mënyrë konsensuale”, tha Gjiknuri.

Nga ana tjetër, bashkëryetari i këtij komisioni Oerd Bylykbashi risolli në vëmendje marrëveshjen e vitit 2020 e cila u “gris” në fund nga mazhoranca dhe në mënyrë të njëanshme kaloi deri në ndryshime kushtetuese të ligjit zgjedhor.

“Nuk duhet përsëritur viti 2020 kur dakordësitë e arritura u prishën dhe në parlament u votua diçka tjetër”, tha Bylykbashi.

Dakordësi për ekspertët

Komisioni për Reformën Zgjedhore, përzgjodhi gjashtë ekspertë, tre nga mazhoranca dhe tre nga opozita të cilët do të punojnë për hartimin e një drafti që do u jepet palëve për diskutim dhe më pas për miratim në Parlament.

Nga PS u zgjodhën Viktor Gumi, Elena Xhina dhe Dardan Malaj, ndërsa nga PD Altin Kaziaj, Muharrem Çakaj dhe Arjan Madhi.

Të gjashtë ekspertët pritet të punojnë mbi raportin e OSBE/ODIHR i cila ka adresuar disa shqetësime, ku ndër më kryesoret lidhet me përdorimin e administratës dhe resurseve shtetërore në fushatë zgjedhore.

Diskutimet

Përfaqësuesi i PD-së Oerd Bylykbashi qartësoi qëndrimin e opozitës duke u përmbajtur kryesisht në rekomandimet e OSBE/ODIHR, referuar raportit të zgjedhjeve të 11 majit 2025.

“Ky Komision ka për objekt dhe detyrë që t’i trajtojë rekomandimet e OSBE/ ODIHR me konsensus. Duhet që ky Komision të marrë më të mirën e proceseve të shkuara, të lërë mënjanë faktorët që kanë çuar në dështimin e proceseve”, tha Bylkbashi.

Ai shtoi se kjo mbetet parakusht që reforma të ketë sukses. “Kjo do të jetë korniza që ne si opozitë, të jetë kjo që na udhëheq. Çdo gjë tjetër do të ishte e papranueshme”, tha ai.

Në kundërpërgjigje të Bylykbashit mbajti qëndrim jo pa ironi anëtari i Komisionit përfaqësuesi i PS-së Ulsi Manja.

“I dimë sfidat, i dimë çështjet, i dimë edhe rekomandimet e OSBE/ODIHR. Sa mbarojmë një palë zgjedhje, fillojmë menjëherë reformën për të tjerat. Madje ky Komision, në nivel ekspertize, nuk e di si mendojnë shqiptarët, por ndoshta duhet të sillnim edhe ekspertë nga OKB-ja”, tha ai.

Pas dy muajsh bojkot opozita mori pjesë në këtë komision, ndërsa pritet të ndiqet e njëta rrugë edhe për Komisionin e Refromës Territoriale.