Video e një sulmi ajror po shpërndahet në rrjet sikur tregon një sulm izraelit pranë një cisterne uji në Gaza. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se pamjet janë xhiruar në fakt pranë aeroportit Khartoum në Sudan.

—————————————————–

Ndërsa konflikti Izrael-Hamas vijon, në rrjete sociale, përfshi edhe ato shqipfolëse, po shpërndahet një video që tregon goditjen me predhë të një grupi njerëzish. Ajo shoqërohet me pretendimin se tregon bombardimet e “fëmijëve palestinezë të mbledhur rreth një depo uji.” Video është vërtetë shqetësuese dhe krijon një irritim tek përdoruesit që e shikojnë. 

Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se video ishte publikuar në faqen e medias turke Haber7 si pamje të sulmit të ushtrisë sudaneze kundër forcave të grupit paramilitar RSF ndërkohë që militantët po mbushnin me karburant motorrët e tyre.

Njësoj, faqja zyrtare e Al Jazeera Sudan në Facebook kishte postuar videon e mësipërme në 12 tetor, me përshkrimin: “Një aksion i ushtrisë sudaneze bombardoi një cisternë karburanti që i përkiste RSF në Khartoum.”

Disa përdorues në Twitter pretenduan se sulmi ndodhi pranë aeroportit të Khartoum.

Në fakt, me anë të Google Maps, Faktoje arriti të lokalizojë një depo karburanti pranë aeroportit të Khartoum që duket se përkon me cisternën në video.

Video që pretendohet se tregon Gazën (sipër) dhe depo e karburantit pranë aeroportit të Khartoum, Sudan

Konflikti mes Ushtrisë së Sudanit dhe RSF ka nisur që në Prill 2023, si pasojë e mosmarrëveshjeve mes dy grupeve gjatë negociatave për formimin e një qeverie të re, pasi e vjetra u rrëzua nga RSF dhe Ushtria Sudaneze në Tetor 2021. Mbi 5 mijë civilë janë vrarë, 12 mijë jane plagosur, dhe 5.7 milionë persona janë zhvendosur pa vullnetin e tyre në këto gjashtë muaj. Një raport i Amnesty International nënvizon se një numër i madh grash dhe vajzash, disa 12 vjeç, janë dhunuar seksualisht.

Ndërkohë, sipas Ministrisë së Shëndetit të Gazës, bombardimet izraelite kanë vrarë mbi 6500 palestinezë në më pak se 3 javë, që nga fillimet e tyre në 7 tetor 2023.