Kilometri i pa-fundëm i Sali Berishës…

Diskursi i Sali Berishës gjatë muajve të fundit është ndërtuar mbi idenë e një përballjeje finale me qeverinë kur flet për “kilometrin e fundit”

12

Nga Jona Cenameri 

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, prej muajsh po përpiqet të mbajë të mobilizuar bazën e tij elektorale përmes një diskursi të qëndrueshëm dhe të përsëritur: “Përballje me qeverinë”. 

Që nga 22 dhjetori 2025 e deri më 17 prill 2026 janë zhvilluar shtatë protesta kombëtare, ndërsa një tjetër është paralajmëruar më 8 maj. 

Ky mobilizim i vazhdueshëm është shoqëruar nga një narrativë e dyfishtë: kërkesa për qeveri teknike dhe arritja tek “kilometri i fundit i qeverisjes aktuale”.

Qeveria teknike

Qeveria teknike nuk është një koncept i ri në diskursin e opozitës. Ajo është artikuluar prej vitesh si mekanizëm për garantimin e zgjedhjeve të lira, por në fazën aktuale është shndërruar në kusht të panegociueshëm. 

Në shkurt 2026, Berisha e përkufizoi qartë këtë pozicion: “O qeveri teknike, ose përballje. Këtë qeveri nuk e pranojmë kurrë më”. 

Paralelisht me këtë qëndrim, në fund të muajit shkurt 2026, kryeministri Edi Rama ndryshoi shtatë nga ministrat e kabinetit qeveritar. 

Për opozitën, lëvizjet në thelb nuk sollën ndryshimin e kërkuar  

“Kilometri i fundit”

Që nga janari 2026, me intensifikimin e protestave dhe me qëllim mobilizimin e demokratëve, Berisha ka futur në diskursin e tij politik një tjetër mesazh.

 “Jemi në kilometrin e fundit… një qeveri që del nga farsa elektorale nuk e meriton të rrijë në pushtet”, deklaronte ai më 21 janar, ndërsa në protestën e 24 janarit, Berisha shtonte: “Sot ne jemi në kilometrin e fundit… asgjë nuk do na ndalë drejt fitores tonë”. 

Në vijim, kjo shprehje e tij përcillet si “prova e fundit”, “leksioni i fundit” apo “kilometri i fitores”, duke e paraqitur situatën politike në kufi të një ndryshimi të madh.

Ironi mes demokratësh

Megjithatë, ky mesazh i përsëritur, sa herë lajmërohet një protestë e PD-së nuk ka kaluar pa shpotitje brenda vetë opozitës. 

Ish-deputeti, Ervin Salianji, aktualisht përballë lidershipit aktual, e ka ironizuar drejtpërdrejt këtë diskurs. 

“Ne jemi në kilometrin e fundit… Ka një muaj që është kilometri i fundit… mund të jenë metrat e fundit, se u bë një muaj”, është shprehur  ai.

Salianji ka kritikuar edhe strategjinë e protestave, duke theksuar mungesën e një plani të qartë për arritjen e objektivit politik. 

Sipas tij, lidershipi i PD “ka një paqartësi strategjike” dhe rritja e pritshmërive për rrëzim të shpejtë të qeverisë pa rezultate konkrete rrezikon të demotivojë mbështetësit. 

Nga njëra anë, PD artikulon një fazë përfundimtare të betejës politike, nga ana tjetër, brenda saj shfaqen zëra që e vënë në dyshim këtë synim duke  kërkuar një strategji të qartë.