Raportimi i feminicidit nën etiketën “krim pasioni”

Pakujdesia dhe tendenca e fajësimit të viktimës në median shqiptare

793

“Krim pasioni” është etiketa e përdorur zakonisht në mediat shqiptare, kur raportohet vrasja apo dhunimi i një gruaje. Me këtë lloj përshkrimi gazetarët e kthejnë një akt dhune me motive mizogjene, në ushqim për portalet, shpesh duke injoruar faktet për hir të klikimeve. Kjo duket se ka ndodhur edhe në raportimin e vrasjes së dyfishtë të kryer nga një shqiptar në Itali.

Barbara Halla

Më 9 Maj 2023, mediat shqiptare raportuan se një burrë shqiptar që jetonte në Torremaggiore, një qytet në juglindje të Italisë, vrau të bijën 16-vjeçare dhe një burrë italian si dhe plagosi rëndë të shoqen.

Që në raportimet e para të bazuara në përkthimin e lajmeve nga mediat italiane, u ndërtua skema e krimit dhe narrativa në media e portale, edhe pse mungonin të dhënat e sakta zyrtare. Më 6 Maj, Taulant Malaj, me origjinë nga Vlora dhe që jetonte prej 18 vitesh në Itali, tentoi të vriste gruan Tefta, duke e akuzuar për lidhje jashtëmartesore me fqinjin italian. Kur vajza e tij kishte tentuar të ndërhynte për të shpëtuar të ëmën, ai kishte sulmuar vajzën në vend të saj. Pas agresionit Malaj ishte vënë në ndjekje të fqinjit, Massimo De Santis, 51 vjeç, duke e lënë të vrarë. Malaj filmoi skenën e krimit dhe e shpërndau tek kontaktet i tij në WhatsApp.

Edhe pse identiteti i viktimave dhe faktet kryesore të ngjarjes dukeshin të qarta, shumë detaje dhe motivi i krimit mbeteshin të paqarta. Nga një monitorim i disa mediave shqiptare, rezultoi se që në raportimet e para, përcollën informacione kontradiktore. Disa pretendonin se Malaj kishte vrarë vajzën dhe kishte plagosur gruan në shtëpi, pasi e kishte parë gruan duke i dërguar mesazhe 51 vjeçarit italian. Të tjera media raportonin se autori ishte takuar me burrin që e akuzonte për marrëdhënie jashtëmartesore pasi ishte kthyer nga puna dhe e kishte vrarë para se të hynte në shtëpi. Megjithatë, pavarësisht paqartësisë që mbuloi ngjarjen, mediat shqiptare publikuan shumë artikuj me të dhëna të pakonfirmuara. Në këto rrethana, dezinformimi u përhap me shpejtësi nëpër portale dhe kanalet informtive, duke përzier faktet dhe spekulimet dhe duke vendosur gruan në qendër të akuzave mizogjene dhe gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale.

Disa nga faqet kryesore të mediave vendase publikuan artikuj ku vendosnin në ligjëratë të drejtë motivin që e kishte shtyrë burrin të kryente krimet. Në një titull shkruhet ndër të tjera: “Gruaja më tradhtonte me italianin prej më shumë se një viti…….”.” Një portal tjetër pretendon se gruaja kishte pranuar marrëdhënien: “Ajo pranoi marrëdhënien e saj me italianin-rrëfen burri që vrau vajzën dhe plgosi të shoqen”-shkruan një tjetër portal.

Megjithatë, dëshmi të tilla (që gruaja kishte pasur një marrëdhënie jashtmartesore për më shumë se një vit) vijnë vetëm nga autori i krimit, të cituar nga mediat dhe janë të pakonfirmuara. Edhe kur fjalët e burrit nuk ishin në ligjëratë të drejtë, tradhëtia e supozuar e gruas ishte në qendër të  titujve sensacionalistë të mediave.

Pothuajse çdo raportim mbi këtë tragjedi, në titujt apo përmbatje në median shqiptare përfshiheshin akuza se gruaja kishte një marrëdhënie jashtmartesore. Duke e paraqitur krimin si një akt të motivuar nga xhelozia, mbulimi i mediave mbi këtë akt femicidi, vetëm sa përforcoi dhe justifikoi edhe pse në mënyrë të paqëllimshme krimet e tij duke i asociuar dhunën me marrëdhënien jashtmartesore.

Pas ngjarjes, pretendimet e Taulant Malajt në lidhje me marrëdhënien e pretenduar të gruas së tij, të shpallura me bindje nga media shqiptare, u hodhën poshtë nga vetë gruaja. Në një intervistë për median shqiptare, Teuta tha se kurrë nuk kishte dëgjuar akuza nga i shoqi për marrëdhënie jashtëmartesore, deri në mbrëmjen e ngjarjes. “Kjo ishte hera e parë që ai më akuzoi për tradhëti,” tha ajo duke konfirmuar se nuk kishte asnjë lloj marrëdhënieje tjetër me 51 vjeçarin italian, përveç njohjes si fqinj.

Vëllai i viktimës Massimo De Santis, gjithashtu mohoi pretendimet për një marrëdhënie jashtmartesore mes viktimës dhe gruas shqiptare. “Nuk kishte asgjë mes tyre, vëllai im nuk kishte asnjë shans të takohej me të, madje madje as në lokalin e tij”, tha Gianluca De Santis për median italiane. “Massimo ka jetuar në atë ndërtesë për 43 vjet me nënën tonë, që është 80 vjeç dhe e dërrmuar. Marrëdhëniet me familjen shqiptare ishin shumë të mira, marrëdhënie normale midis fqinjëve, ata përshëndeteshin dhe respektonin njëri-tjetrin,” shtoi ai. Avokati i Teuta Malajt, Michele Sodrio mohoi ndërkohë pretendimet se vrasja e vajzës ishte aksidentale, duke ngritur hipotezën se krimi ishte i paramenduar.

Edhe pse hetimet ishin në zhvillim e sipër dhe policia italiane nuk kishte dhënë një deklaratë përfundimtare, kjo nuk e ka ndaluar median shqiptare të spekulojë dhe të përhapë dezinformim mbi ngjarjen, që nga momenti i publikimit të lajmit në median italiane.

Një problem i gjerë mediatik

Në Shqipëri dhuna në familje është një problem i madh. Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, “më shumë se gjysma e grave dhe vajzave shqiptare në moshën 15-74 vjeç kanë përjetuar një ose më shumë nga pesë llojet e ndryshme të dhunës, gjatë jetës.” Femicidi – vrasja e një gruaje ose vajze nga një burrë për shkak të gjinisë së saj – është rezultati më i ekstrem i periudhave shpesh të gjata të dhunës në shtëpi.

Ndërsa UN Women i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare të marrë masa në lidhje me feminicidin si krim, statistikat zyrtare nuk janë të rregullta. Sipas një raporti, ndonëse Kodi Penal përmban dispozita që ndëshkojnë dhunën në familje, “ligjshmëria penale e Republikës së Shqipërisë nuk përmban asnjë dispozitë të shprehur që rregullon vrasjet me bazë gjinore.” Shifrat e vetme të disponueshme për femicidin janë mbledhur nga gazetarët ose OJQ-të, si Qendra për Nisma Ligjore Qytetare (The Center for Legal Action from Citizens). Raporti i tyre mbi femicidin në Shqipëri përmban të dhëna për periudhën midis 2017 dhe 2020.

Ky raport tregon se në shumicën e rasteve, nëse një grua ose vajzë është viktimë e një vrasjeje, krimi mund të kategorizohej si femicid, me partnerët intimë (bashkëshortë, të dashur ose madje përndjekësit) që janë më të prirur të jenë autorët. Gjithashtu, studimi konfirmon se pikpamjet tradicionale mbi rolet gjinore ishin përgjithësisht edhe motivi i krimit. Siç është rasti në Itali, superioriteti I burrit ndaj gruas shpesh përdoret si argument nga partneri mashkull. Burrat e burgosur për femicid shpesh përmendin shpërfilljen, xhelozinë, dyshimet për tradhëti, kërkesat për divorc ose edhe urdhrat për mbrojtje të kërkuara nga gratë e tyre, si arsyet kryesore të femicidit.

Kjo qasje mbi të drejtat e burrit ndaj gruas dhe trupit të saj dhe se çfarë nënkupton  një marrëdhënie e pretenduar jashtmartesore për statusin e tij si “burrë shqiptar”, mund të kenë luajtur rol në rastin e Italisë. Edhe dyshimi i thjeshtë për një marrëdhënie jashtmartesore mund të shihej si një ofendim për autoritetin e tij si burrë që ai të kërkonte hakmarrje sipas një mendësie patriarkale. Një sondazh mbi qëndrimin e shqiptarëve ndaj ndarjes së roleve në bazë të gjinisë tregon se shqiptarët presin që gratë “të sillen brenda roleve tradicionale të gjinisë dhe të nënshtrohen ndaj burrave”, dhe se “Burrat perceptohen si dominues ndaj grave.” Nisur nga këto perceptime, nuk është çudi të zbulohet se rreth 23% e burrave shqiptarë besojnë se “edhe dyshimi për tradhti ishte një ‘arsye e mirë’ për një burrë që të godiste partneren e tij.”

Mediat shqiptare luajnë një rol të qartë në ekuilibrimin e këtyre stereotipeve. Në rastin e vrasjes së vajzës dhe plagosjes së gruas, portalet dhe kanalet informative ndihmuan në përhapjen e dezinformacionit duke aluduar për një marrëdhënie tradhëtie ose duke raportuar fjalët e Malajt (të akuzuarit si autor të krimit) si fakte. Siç ka ndodhur edhe në raste të tkjera të feminicidit (ku mediat shqiptare theksuan “xhelozinë” ose “pasionin” si motiv), kjo kornizë i jep përparësi perspektivës së burrit.

Rezultati i kësaj fushate dezinformimi (edhe në rast se është e paqëllimtë) nga ana e mediave shqiptare ishte i dukshëm. Teuta Malaj u persekutua në mediat sociale, tashmë e akuzuar pa prova. “Ajo ndihet e persekutuar nga të gjithë ata që e sulmojnë rëndë në media sociale, sikur të ishte faji i saj për atë që ka bërë Taulanti,” i tha avokati i saj medias italiane.

Një shqyrtim i komenteve në media sociale në lidhje me këtë rast konfirmon pretendimet e Sardo-s. Një pjesë e mirë e komenteve në një postim në Facebook, për shembull, i justifikon veprimet e Taulantit. Një person shkruan: “Mirë për të. Ai punonte ndërsa gruaja dhe vajza kishin marrëdhënie treshe pa asnjë problem”.

“Ishte në të drejtën e tij. Nëna dhe vajza fjetën me italianin dhe ai punonte. Është e padrejtë.”-thuhet në një tjetër koment.

 Edhe komentuesit që nuk justifikonin dhunën, dënonin vdekjen e vajzës pa treguar keqardhje për nënën: “Janë të dyja fajtore, por nëse nuk duhen, divorcohu. Sa keq për vajzën e tyre.”

Çfarë vërejmë këtu është se publiku shqiptar ka përvetësuar këto narrativa të nxitura nga mediat (së bashku me shoqërinë) ku zemërimi i një burri është si një reagim natyral, biologjik dhe i arsyeshëm, dhe gruaja është fajtore edhe kur faktet mungojnë.

Pas ngjarjes, mediat shqiptare – të etura për klikime – e bënë nxtimthi të besueshëm versionin e të akuzuarit si autor të krimit. Ato publikuan fotot dhe videot ku ai shfaqej i gjakosur, por “arsyetuan” veprimet e tij në titujt e publikuar.  Shumë shikues dhe lexues e besuan dhe madje deri diku u treguan të pandjeshëm.

Pasi ka humbur vajzën e saj, Teuta Malaj po përpiqet të ringrihet dhe të verë në vend reputacionin. Ndërkohë, burra të tjerë vijojnë të shfryjnë zemërimin në faqet dhe komentet e portaleve shqiptare apo dhe të ftuar në emisione televizive. Derisa cikli përsëritet pas disa muajsh, ose ndoshta edhe javësh.