Pretendimi: Një raport i Forumit Ekonomik Botëror parashikoi se 6 miliardë njerëz do të vdesin në vitin 2025
Verdikti: E pavërtetë
Postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë pretendojnë se një dokument i Forumit Ekonomik Botëror (WEF) konfirmon se 6 miliardë njerëz do të vdesin në vitin 2025.
Postimi i shpërndarë në rrjetet sociale
Artikulli është publikuar nga një faqe në internet e quajtur ‘The Peopes’s Voice’, më parë i quajtur si “NewsPunch”. Ky portal është cilësuar si një burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga “Buzzfeed”, “NewsPunch” ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.
Dhe në këtë rast, ndryshe nga çfarë pretendon portali, WEF nuk ka publikuar ndonjë raport se 6 miliardë njerëz do të vdesin në 2025.
Nëse Forumi Ekonomik Botëror do të kishte publikuar një raport të tillë, ai do të ishte pasqyruar gjerësisht në mediat e rëndësishme ndërkombëtare dhe sigurisht do të ishte shoqëruar me kritika dhe një reagim në të gjithë botën. Nëse do të shohim artikullin e “The People’s Voice” nuk ka asnjë provë për ndonjë raport të Forumit Ekonomik Botëror që pretendonte ose sugjeronte se 6 miliardë njerëz do të vdisnin në 2025.
Artikulli i portalit bazohet në një parashikim të vitit 2020 nga “Deagel.com”, një faqe interneti që nuk është pjesë ose në pronësi të WEF.
Ndër të tjera, në shkrimin e “The People’s Voice” thuhet se një gazetar i BBC u thirr në Davos për takimin me drejtuesin e WEF, Klaus Schwab. Mirëpo, në një kërkim të bërë online, nuk gjetëm asnjë raportim të BBC për komentet e Klaus Schwab mbi axhendën 2030 dhe shpopullimin
Veç kësaj, BBC nuk publikoi ndonjë histori që pretendonte ose sugjeronte se Klaus Schwab është në rrugën e duhur për të arritur qëllimin për të reduktuar popullsinë me më shumë se 6 miliardë.
Parashikimi i “The Deagel” nuk tregoi se 6 miliardë njerëz do të vdesin në 2025. Në raport u përfshinë 183 vende dhe parashikohet se popullsia në disa shtete do të rritej, ndërsa në të tjera do të bjerë. Shkak për këtë përmenden lëvizjet migratore nga një vend në tjetrin dhe lindjet e vdekjet.
Pra, ndryshe nga çfarë pretendohet, 6 miliardë njerëz nuk do të vdesin në 2025. Përkundrazi, popullsia e botës vazhdon të rritet nga viti në vit. Në fakt, popullsia e botës parashikohet të vazhdojë të rritet çdo vit derisa të arrijë një kulm prej rreth 10.3 miliardë njerëz në vitin 2080.
Faktoje ka përgënjeshtruar një sërë lajmesh të rreme që e kanë zanafillën tek portali “The People’s Voice”.