Grupet anti-vaksinim aplikojnë lexim selektiv të kërkimeve shkencore për të argumentuar kundërshtimin e tyre ndaj masave të marra nga qeveritë gjatë pandemisë së Covid-19. Një raport i hershëm i qeverisë britanike mbi vaksinimin e grave shtatzëna është risjellë së fundi në rrjet për të krijuar keqinterpretimin e radhës të fakteve.
Patris Pustina
“Në Mbretëri të Bashkuar qeveria me qetësi përditësoi raportin e vlerësimit publik,” shkruan më 30 gusht faqja e Facebook “Rezistenca”. Autori citon agjencinë qeveritare britanike të shëndetit publik, në të cilën gjendet pohimi: “Konsiderohet se garancia e mjaftueshme e përdorimit të sigurtë mbi gratë shtatzëna, nuk mund të mundësohet në kohën aktuale.”
Fjalia pasardhëse pretendon se “kjo vjen pas mijëra raportime[ve] të grave që dështojnë shtatzanitë dhe që bebet e tyre po vdisnin në bark”. Për këtë pretendim të fundit, autori zgjedh të mos citojë ndonjë burim britanik, por të arrijë vetë në përfundime të zymta.
Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se të gjitha burimet zyrtare qeveritare të Mbretërisë së Bashkuar vazhdojnë të rekomandojnë vaksinimin për gratë shtatzëna, dhe pretendimi se vaksina anti-Covid shkakton vdekje të fetusit gjatë shtatzanisë është përgënjeshtruar nga studimet shkencore.
Faqja qeveritare e cituar nga “Rezistenca” është një përmbledhje e Raportit të Vlerësimit Publik për vaksinën Pfizer/BioNTech botuar në dhjetor 2020. Një shënim në kokën e këtij postimi deklaron qartë datën e botimit. Ai paralajmëron gjithashtu se teksti i raportit mbetet i pandryshuar, dhe e drejton lexuesin në një faqe tjetër ku botohen përditësimet e këtij raporti. Për më tepër, në periudhën në fjalë, dy vite më parë, nuk ekzistonin ende hulumtime të plota dhe të detajuara për efektet që mund të kishte vaksina anti-Covid tek gratë shtatzëna. Kjo edhe si pasojë e faktit që ato u përjashtuan nga provat e para të vaksinave që kreu Pfizer dhe kompani të tjera.
Faqja e përditësuar e përmbledhjes së këtij raporti, përditësuar më 1 shtator 2022, nuk këshillon mosvaksinimin e grave shtatzënë. Përkundrazi, gratë shtatzëna, paralajmërohet, janë po aq të rrezikuara sa gratë jo shtatzëna për t’u infektuar me Covid, por ato rrezikojnë të vuajnë simptoma më të rënda. Si pasojë, vaksinat anti-Covid rekomandohen për gratë shtatzëna, dhe lloji i vaksinës së preferuar, krahas Moderna, është pikërisht Pfizer/BioNTech.
Për më tepër, kjo faqe specifikisht deklaron se nuk ka prova që tregojnë se vaksinat anti-Covid të përdorura në Mbretërinë e Bashkuar rrisin rrezikun e dështimit të shtatzanisë, apo komplikacioneve gjatë lindjes. Gjithashtu, nuk ka prova se vaksinimi gjatë periudhës së ushqimit me gji dëmton fëmijën apo aftësinë e nënës për ta ushqyer me gji.
Të gjitha burimet zyrtare të përditësuara të qeverisë britanike këshillojnë vaksinimin e grave shtatzëna. Kjo këshillë është në të njëjtën linjë me këshillat e OBSh dhe autoritetit mjekësor të qeverisë amerikane (CDC). Një studim kanadez i Gushtit 2022, ku morën pjesë dhjetëra mijëra gra shtatzëna, konfirmoi parrezikshmërinë e vaksinës anti-Covid mRNA gjatë shtatzanisë. Një sërë studimesh më të hershme kanë arritur në të njëjtin konkluzion.
Keqinformimi dhe lajmet e rreme rreth vaksinimit anti-Covid janë përgjithësisht të dëmshme duke qenë se këshillojnë njerëzit të mos mbrohen nga një sëmundje vdekjeprurëse, duke rrezikuar si veten, dhe komunitetet e tyre. Në rastin e grave shtatzëna, ky dëm shumëfishohet. Frika madhore e humbjes së fëmijës, e përhapur shkujdesur nga konspiracionstët anti-vaksinë, mund të ndikojë ndjeshëm në mosvaksinimin e grave shtatzëna, një grup që është veçanërisht i rrezikuar nga Covid-19.