Rama vë në shënjestër drejtësinë, ende pezull imuniteti i Ballukut

Në fjalimin e gjatë 105 minuta, kryeministri Edi Rama tha shumë në “sulme” dhe “sugjerime” ndaj drejtësisë

16
Ne foto: Kryeministri Edi Rama gjate mbledhjes se grupit parlamentar te PS

Sebi Alla – Në fjalimin e gjatë 105 minuta, kryeministri Edi Rama tha shumë në “sulme” dhe “sugjerime” ndaj drejtësisë, por e la ende pezull vendimin që do të marrë PS për dhënien ose jo të autorizimit për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Ndërsa fliste për drejtësinë që sipas tij ka devijuar duke hedhur akuza për “terror” nga ana e tyre mbi administratën shtetërore; masat ekstreme të sigurisë, apo ndërhyrje në pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ, në të njëjtën kohë Komisioni i Jashtëm në Parlementin Europian ngrinte shqetësimin se qeveria shqiptare po pengon drejtësinë në lidhje me çështjen Balluku.

Në përmbedhje të qëndrimeve të tij Rama tha se “… antikorrupsioni është bërë një kurë më e dëmshme sesa vetë sëmundja e korrupsionit”.

Gjithçka pezull

Në ditën kur për të varet jo vetëm fati politik, por edhe ai juridik në raport me drejtësinë, Belinda Balluku preferoi të mos ishte e pranishme në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, por Rama foli për të.

“Nuk do të merrem me procesin që ka nisur në Kuvend sepse normalisht do pres raportin e Këshillit të Mandateve përpara se të them fjalën time shteruese për temën e imunitetit”, tha Rama.

Në vijën logjike të qëndrimit të tij, kryeministri la të nënkuptuar se mund të rrefuzohet kërkesa e SPAK për arrestimin e saj, por orët dhe ditët në vijim do të jenë vendimtare.

“Belinda Balluku mua ma ka dorëzuar dorëheqjen tre herë, që kur iu ngrit akuza në fillim, jo për korrupsion. Akuza nuk është për korrupsion, por për pabarazi në tendera, pastaj ma ka sjellë përsëri me shkrim dorëheqjen kur u bë pezullimi dhe pastaj edhe një herë të tretë kur u ripezullua nga mos vendimi i Kushtetueses, e kam hedhur unë poshtë idenë e dorëheqjes”, tha Rama, duke shtuar: “Nuk mund të hyjmë në vallen e dorëheqjeve, sa herë del një akuzë. Ne do bëjmë punën tonë, drejtësia të vetën”

Drejtësia

Shpesh me tone të ashpra e herë në citime të funksionimit të demokracisë për ndarjen e pushteteve, kryeministri kritikoi SPAK dhe gjykatat për mënyrën e hetimit dhe ashpërsisë dhe sipas tij duke harruar prezumimin e pafajësisë.

“… ka filluar dhe një lëvizje sportive prokurorësh lartë e poshtë nëpër Shqipëri të cilët janë turrur në garën për mandatin e ardhshëm të afërt të SPAK, duke prerë fletë arreste në tufa për çështje që në rastin më të mirë nuk janë fare çështje penale dhe në rastin më të keq, kudo në botën që na rrethon hetohen në gjendje të lirë, siç ishte rasti emblematik i Durrësit ku vetëm prokurori mbeti pa i prerë vetes fletën e arrestit”, tha Rama.

Në kundërpërgjigje të qëndrimeve se po ndërhyn në sistemin gjyqësor kryeministri tha se ishte pikërisht gjyqësori që ndërhyn në punën e legjislativit apo ekzekutivit.

“Unë këtu sot do them një të njëmijtën e atyre që  kam në fakt për të thënë për ndërhyrjet, jo vetëm të pajustifikueshme, por dhe të panevojshme të gjyqësorit në punët e ekzekutivit dhe të legjislativit bashkë. Të pajustifikueshme sepse shteti ka tre pushtete të pavarur nga njeri-tjetri dhe nëse njëri prej tyre hyn në punët e tjetrit, shteti nuk funksionon si duhet”, tha Rama.

Hetimet

Prokuroria Speciale (SPAK) më 16 dhjetor të vitit të kaluar, i kërkoi zyrtarisht Kuvendit dhënien e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut, e akuzuar për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera në nëntë raste.

Më herët SPAK në tetor të vitit të kaluar i kishte komunikuar akuzën dhe më vonë edhe GJKKO vendosi masën “pezullimin nga detyra dhe ndalim për daljen jashtë vendit.

Partia Socialiste e shtyu në kohë vendimarrjen në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila la në fuqi vendimin për pezullimin e saj. Seanca për dhënien ose jo të autorizimit për arrestimin e Ballukut pritet të merret në ditët në vijim.