Rama ‘thyen’ premtimin, rriten pagat për zyrtarët

930

Në mars të 2021, kryeministri Edi Rama krenohej me faktin që gjatë qeverisjes së tij, pagat e qeveritarëve dhe parlamentarëve nuk ishin rritur asnjë qindarkë. Edhe një vit më vonë, Rama zotohej se pagat e funksionarëve të lartë nuk do të rriteshin sa të ishte ai në pushtet. Por ndryshe nga ç’kishte premtuar, në maj parlamenti votoi rritjen e pagave për zyrtarët e lartë të shtetit.

Esmeralda Topi

‘…pagat e qeveritarëve dhe parlamentarëve as janë rritur qysh nga viti 2013 dhe as do të rriten asnjë qindarkë deri në vitin 2025.’, theksonte kryeministri Rama teksa prezantonte Planin e Veprimit për pagat, taksat dhe biznesin për vitet 2021-2025.  

Të njëjtin qëndrim kryeministri e përforcoi edhe një vit më pas. Në tetor të 2022 gjatë një ndalesw në Elbasan, në kuadër të një turi takimesh me qytetarët në mbarë vendin, Rama premtonte se pagat e funksionarëve nuk do të rriteshin për sa kohë të ishte ai në pushtet.

‘Që në vitin 2013 nuk janë rritur asnjëherë pagat e ministrave, nuk janë rritur asnjëherë pagat e deputetëve dhe nuk kanë për tu rritur as nuk diskutohet as paga e kryeminsitrit sa të jem unë këtu.’, shprehej Rama.

‘Kurrë mos thuaj kurrë!’

Në 25 maj të këtij viti parlamenti miratoi me 97 vota pro, rritjen e pagave për funksionarët e lartë publik. Ndryshe nga dy vite më parë, kryeministri këtë herë ndihej krenar për rritjen e pagave të deputetëve, ministrave dhe zyrtarëve të tjerë me mbi 50%.

‘Unë për rritjen e pagave jam shumë krenar dhe dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë deputetët sepse është puna e deputetëve në radhë të parë e gjithë këtyre viteve, sepse është rezultat reformash, është rezultat ligjesh, është rezultat përpjekjesh, dua të falënderoj të gjithë anëtarët e kabinetit qe kanë punuar qysh nga dita e parë e vitit 2013 deri më sot, se ky është rezultat i përpjekjeve shumë të madhe.’, tha Rama pak përpara votimit të ndryshimeve ligjore që i hapnin rrugën rritjes së pagave. 

E vetmja pikë me të cilën Rama nuk ra dakord ishte rritja e menjëhershme e pagave. Sipas tij, shtesa e pagave për zyrtarët e shtetit duhet të niste në fund të vitit 2024.

‘Dua t’ju them që tek pika e pagës për deputetët dhe për ministrat, mua më keni kundra që ajo të hyjë menjëherë. Ajo duhet të hyjë në fuqi në momentin që hyn në fuqi e gjithë paketa e rritjes së pagave, por unë një jam, bashkë me Erion Braçen, pastaj kush bëhet tjetër, të shohim.’, pohoi Rama në parlament.

Për këtë arsye, kryeministri nuk mori pjesë në votim.

Pse rrogat e politikanëve duhet të jenë të larta?

Eduard Gjokutaj, ekspert i politikave fiskale thotë për Faktoje se vendimi për rritjen e pagave të zyrtarëve të lartë publik nuk ka justifikim ekonomik apo moral, por lidhet me rritjen e mirëqenies personale.

‘Në rastin e rritjes së pagave të funksionarëve të lartë publikë dhe politikë duhet të jepeshin arsye të bazuara mbi moralin dhe etikën politike nëse rritja e pagës së tyre përputhej me performancën e prezantimit të secilit prej tyre në favor të çështjeve publike, konflikti i interesit të këtij vendimi me përdorimin e të drejtës publike kundrejt detyrimit qytetar për të justifikuar pozicionin e tyre publik, me problematikat që shoqërojnë integritetin e tyre kundrejt favoritizmit, kronizmit dhe nepotizmit, përfitimit të dhuratave dhe të mirave të tjera nga lobimet, transparenca jo e plotë e nivelit të jetesës së tyre.’, thekson Gjoktuaj teksa shton se një vendim për rritjen e pagave për veten do të kishte vlerë politike vetëm pasi gjithë sa përmenden më lart do të shoqëroheshin me justifikimin moral dhe ekonomik.

Për analistin Lutfi Dervishi rritja e pagave të politikanevë thellon pabarazinë mes ‘shërbëtorëve të popullit’ me popullin.

‘Dyfishimi i rrogave të ministrave, deputetëve, Presidentit, Kryeministrit dhe kryetares së Parlamentit nuk është bërë për faktin se kjo shtresë po vuante, por është bërë për të thelluar hendekun “e shërbëtorëve të popullit” me popullin.  Dyfishimi i rrogave të “shërbëtorëve të popullit” nuk është bërë sikundër mediat kritike me qeverinë e paraqesin si një garë kush e ka rrogën më të lartë në rajon. Jo. Dyfishimi i rrogave është bërë për të thelluar pabarazinë.’, shkruan ndër të tjera në një postim në rrjete sociale Dervishi.

Përfundim

Dy vite më parë kryeministri premtonte se sa të ishte ai në pushtet, pagat e zyrtarëve të lartë shtetëror nuk do të rriteshin asnjë qindrakë. Koha tregoi se Rama nuk e mbajti fjalën. Përkundrazi, ai bëri rritjen më të lartë historike të pagave për shtetarët. Nga asnjë qindarkë, pushtetarët dhe zyrtarët e tjerë po marrin gati dyfish më shumë.