.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëRama shkel premtimin dhe u kthehet kritikuesve në rrjetet sociale

Rama shkel premtimin dhe u kthehet kritikuesve në rrjetet sociale

Në mars të këtij viti Kryeministri Edi Rama premtoi se nuk do të ndërhynte ndaj ndjekësve, me komente apo replika në rrjetet sociale. Por teksa fushata zgjedhore po afron, aktiviteti i tij në rrjetet sociale është rritur, veçanërisht në Facebook. Së fundmi, Kryeministri i është përgjigjur përmes një statusi disa komentuesve kritikë mbi largimet masive të të rinjve nga Shqipëria. Me këtë veprim Rama dëshmoi se shkeli premtimin e 8 muajve më parë se do t’i ndiqte në heshtje reagimet e komentuesve.

Esmeralda Topi

 “Këtu jam dhe patjetër do të vazhdoj t’i ndjek komentet tuaja, por në heshtje, sepse shqetësimet tuaja janë ushqimi im me energji për të luftuar çdo ditë për ju.” – deklaroi përmes një statusi në Facebook më 21 mars të këtij viti Kryeministri Edi Rama, duke informuar ndjekësit mbi vendimin për të mos ndërhyrë nëpër komente.

Por tetë muaj më vonë, premtimi për të mos replikuar me ndjekësit në rrjete e tij sociale u thye.

“Nuk është as Austri, as Zvicër, po Voskopoja e Rilindur si shembëlltyrë e një transformimi mbresëlënës – shkruante ndër të tjera Kryeministri më 1 nëntor, në një postim që shoqërohej me një fotografi nga Voskopoja, në kuadër të turit të takimeve që po zhvillon nëpër Shqipëri.

30 minuta më vonë, Kryeministri ndau një tjetër postim në Facebook që ishte përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj disa komentuesve që shkruanin mbi shqetësimin e largimit masiv të të rinjve nga vendi në postimin ku Rama promovonte Voskopojën.

“Po kush do t’i mirëmbajë se kanë ikur të gjithë?”, thoshte një, a thua se ata që e kanë kthyer Voskopojën në një spektakël investimesh në shtëpitë e vjetra janë alienë, fantazma apo të marrë që i hedhin lekët në tym!

Nga verfikimi i Faktoje rezulton se Rama jo vetëm që theu premtimin për të mos replikuar me ndjekësit, por ai e bëri këtë reagim për t’iu përgjigjur vetëm tre komentuesve.

Nga 334 komente që kishte postimi promovues pwr Voskopojën, në 30 minutat e para, numëroheshin vetëm tre persona që komentonin të shqetësuar mbi largimin e të rinjve dhe shpopullimin e vendit.

Ndërkohë që 331 komentet e tjera ishin nga ndjekës që ndanin mbështetje apo përgëzime mbi punën e qeverisë dhe veçanërisht atë të Kryeministrit. Postimi ishte shpërndarë nga 240 persona, ndërkohë që ishte pëlqyer nga 4500 ndjekës.

“Replikimi që Kryeminstri bën jo thjesht me lexuesit e tij në rrjetet sociale, por edhe me mediat për lajmet që publikojnë në raport me punën e qeverisë apo me aktivitete që zhvillon ai personalisht janë një fenomen që kanë qënë gjithmonë të pranishme në mënyrën se si ka menaxhuar Kryeministri apo zyra e tij e komunikimit marrëdhëniet me publikun. Mendoj që Kryeministri është paksa i fiksuar le të themi pasi edhe pse ka premtuar se nuk do të replikojë më me qytetarët/komentuesit po e bën.” – argumenton për Faktoje gazetari dhe eksperti për çështjet e komunikimit Mentor Kikia, duke shtuar se e sheh si zhvillim negativ qëndrimin e kreut të qeverisë.

“Unë e shoh si një zhvillim negativ le të themi faktin që një Kryeministër i përgjigjet çdo informacioni, çdo lajmi që publikohet në media. Replikimi që bën me lexuesit është gjithashtu për mendimin tim jo etik, sepse qytetarët kanë mendimin dhe të drejtën e tyre të jenë mbështetës apo kritikë ndaj qeverisë. Madje ata që janë kritikë do të duhet të respektohen më shumë.” – thekson Kikia.

Kryeministrit Edi Rama numëron 1.6 milionë ndjekës në faqen e tij zyrtare në Facebook dhe është shumë aktiv. Postimet e tij nisin prej orës 08:00 të mëngjesit dhe vijojnë deri në orët e vona të natës. Mesatarisht në faqen e tij zyrtare ndahen 5 deri në 6 postime çdo ditë që marrin qindra pëlqime dhe komente. Por javët e fundit, aktiviteti i Kryeministrit në rrjetin social Facebook është rritur dhe kap mesatarisht 10 postime në ditë, të cilat kryesisht përkojnë me takimet e ndryshme që Rama po mban nëpër Shqipëri.

 

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img