Rama refuzon dorëheqjen nga rruga

Ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa kërkoi dialog dhe reforma, ndërsa kryeministri Rama refuzoi dorëheqjen dhe denoncoi ndërhyrjet e jashtme në protesta.

20
Ambasadorja e BE në Shqipëri, Maria Moreira De Sousa dhe kryeministri Edi Rama

Ambasadorja e delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka përcjellë shqetësimet e Brukselit mbi klimën e polarizuar politike në vend, mungesën e dialogut kuptimplotë dhe problematikat e evidentuara në progres-raportin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. 

Ajo kërkoi konsensus politik dhe debat të hapur në Kuvend për reformat e integrimit europian, duke theksuar se përparimi i Shqipërisë do të varet nga ritmi i miratimit dhe zbatimit të tyre.

“Këto reforma nuk synojnë të kënaqin Brukselin, por të ndërtojnë një Shqipëri të fortë dhe demokratike, të gatshme për t’u bërë pjesë e BE-së. Shqipëria ka ecur përpara, por ende nuk kemi mbërritur në fund të këtij rrugëtimi”,  deklaroi ambasadorja Sofia Moreira de Souza.

Dialog, jo dhunë

Në reagimin e saj, diplomatja europiane theksoi se protestat paqësore janë një e drejtë demokratike, por dhuna nuk ka vend në jetën demokratike, pavarësisht se nga kush ushtrohet.

“Ishin pikërisht shqetësimet mjedisore ato që nxitën protestat paqësore, të cilat nisën në fund të muajit maj. Protestat më pas u shndërruan në një lëvizje më të gjerë që kërkonte transparencë, llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe qeverisje të mirë. Protestat paqësore janë pjesë e jetës demokratike, por në këtë jetë demokratike, dhuna nuk ka vend dhe çdo reagim ndaj akteve të dhunës, duhet të mbetet proporcional dhe në përputhje me ligjin, por e përsëris, dhuna nuk ka vend në jetën demokratike të vendit. Pakënaqësitë duhet të zgjidhen përmes një dialogu të mirëfilltë, ndërsa ajo që u takon institucioneve demokratike, është që të krijojnë hapësirën e nevojshme për zhvillimin e këtij dialogu”.

Në mesazhin e saj, ambadasorja e BE, vlerësoi punën e Prokurorisë së Posaçme. “SPAK ka vijuar të dëshmojë pavarësi dhe të japë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të lartë. Këto përpjekje duhet të vijojnë pasi korrupsioni mbetet një sfidë reale. Pikërisht për këtë arsye është kaq e rëndësishme që të punohet më tej edhe për parandalimin e korrupsionit”.

Ajo kërkoi që polarizimi politik të luftohet përmes mekanizmave demokratikë dhe jo përmes përshkallëzimit të tensioneve. 

Në vlerësimin e BE-së, Shqipëria ka shënuar përparim në rrugën e integrimit, por mbetet ende punë për t’u bërë. 

Pikat kritike

Një ndër shqetësimet e evidentuara ner progres raport lidhet me lirinë e medias, ku, pavarësisht dekriminalizimit të pjesshëm të shpifjes, raportohen raste të përdorimit joproporcional të procedurave ligjore ndaj gazetarëve dhe mediave. Ambasadorja nënvizoi nevojën që këto raste të hetohen me përparësi.

Një tjetër pikë e rëndësishme lidhet me projektet madhore, përfshirë ato në zonat e mbrojtura si Zvërneci, të cilat, sipas qëndrimit të BE-së, duhet të vlerësohen në përputhje me standardet europiane, veçanërisht sa i përket mbrojtjes së mjedisit.

Ambasadorja Moreira de Sousa vlerësoi se përparimi i qeverisë shqiptare në fushën e mjedisit ka qenë i kufizuar.

Pas qëndrimit të ambasadores, kryeministri Edi Rama iu përgjigj interesit të gazetarëve për protestat, tensionet politike dhe kërkesat e opozitës për largimin e tij nga detyra.

Akuzat e Veliajt

I pyetur drejtpërdrejt nëse e kishte kërcënuar kryebashkiakun Erion Veliaj përmes ministrit Toni Gogu, Rama e cilësoi pyetjen si të parëndësishme, duke u shprehur: 

Objektivin historik të bashkimit të vendit tonë me Europën dhe moslejimin e humbjes së një mundësie historike që e kemi krijuar me shumë punë, por që është ndihmuar edhe nga rreshtimi i yjeve në favor të Shqipërisë. Të tjerat janë si këto zhurmat e makinave që shkojnë e vijnë në bulevard. Aq sa janë ato të rëndësishme për ne që jemi këtu, aq janë të rëndësishme për mua ato që pyetët ju”,  tha Rama.

Dorëheqje, jo me imponim nga rruga

Duke folur për protestat dhe kërkesën për dorëheqjen e tij, kryeministri deklaroi se largimi i një qeverie të dalë nga zgjedhjet demokratike nuk mund të imponohet përmes protestave të dhunshme.

“Unë nuk kam marrë shënim nga protestuesit asnjë ide, asnjë program e asnjë mision për Shqipërinë dhe në asnjë rast dorëheqja e një kryeministri të zgjedhur në mënyrë demokratike nuk imponohet nga rruga”.

Kreu i qeverisë i cilësoi protestat e dhunshme si të paligjshme, duke iu referuar episodeve me gurë dhe zjarr në bulevard. 

Ai argumentoi se qeveria ka ndërmarrë hapa drejt transparencës për projektet e Sazanit dhe Zvërnecit, ndërsa hodhi poshtë krahasimet mes situatës politike në Shqipëri dhe asaj në Serbi.

Ndërhyrjet nga Irani?

Rama foli gjithashtu për pretendimet mbi ndërhyrjet e aktorëve të huaj dhe luftën hibride, duke deklaruar se ka prova për përfshirjen e interesave të jashtme në zhvillimet politike dhe se prania e elementëve të lidhur me Iranin në protestat në bulevard është, sipas tij, e dokumentuar. 

“Është e lehtë të bësh ironi me përfshirjen e aktorëve të huaj, por përfshirja e tyre është reale dhe nuk isha unë apo një përfaqësues i institucioneve tona, por një personalitet i Francës për ndërhyrjet malinje në vendet demokratike që para pak ditësh tha që Shqipëria ka qenë pjesë e kësaj lufte hibride”.

Ai sqaroi se nuk ka pretenduar se protestat janë organizuar nga Irani, por se ka folur për praninë e ndikimit Iranian në bulevard.

“Çuditërisht, ushtria digjitale iraniane, e identifikuar prej nesh si shumë aktive në shpërndarje videosh me zogj, u shfaq aktive në goditjen e Parisit. Këto janë fakte”, – shtoi ai.

Takimi i bllokuar me studentët

Në fund, Rama njoftoi se nesër do të hapë një dritare dialogu online për të gjithë ata që duan të bashkëbisedojnë me të.

Ai pretendoi se tre grupe studentësh janë penguar dhe kërcënuar, online dhe fizikisht, në përpjekjet për të zhvilluar takime me të në kryeministri. Sipas tij, studentët janë bullizuar pasi emrat e tyre janë bërë publikë.

Kreu i qeverisë paralajmëroi se ndaj personave që përdorin kërcënime dhe dhunë do të ndërmerren masa ligjore, penale dhe administrative. 

Ai u shpreh gjithashtu se do të ketë reagim ndaj atyre që bllokojnë rrugët apo ushtrojnë dhunë ndaj policisë.