Serbia si model për Shqipërinë? Narrativat pas fitores së studentëve

Një vështrim mbi ndikimin politik dhe pasojat e zgjedhjeve në Serbi për opinionin publik në Shqipëri.

8
Foto ilustruese nga Levizja Studentore ne Serbi

Nga Jona Cenameri

“Ku ndryshojnë dy vitet e protestave në Serbi nga dy javët në Tiranë?” 

“Mundën Vuçiçin pas 12 vitesh në pushtet, por asnjëri nuk është student!” 

“Nga Open Society i Sorosit te fondacioni i Partisë Demokratike: Biografitë pas listës ‘studentore’ të Serbisë”

“Dy vite protesta paqësore studentët duartrokasin policinë në Serbi“

“Studentët në Serbi i fituan zgjedhjet por respektin për policinë e ruajtën gjithmonë!“

“Zgjedhjet në Serbi, Berisha: Rama të ikë si Padrinoja i tij! Veliaj: Studentët, jo fundi i botës por fundi i një bote!” 

Këto janë disa prej mënyrave se si fitorja e Listës Studentore u lexua në hapësirën shqiptare.

Përpara votimeve, Faktoje analizoi se si fushata e 25 tetorit kishte hyrë në debatin shqiptar.

Pas zgjedhjeve, pyetja ndryshoi: Çfarë mund të mësojë Shqipëria nga zgjedhjet në Serbi? 

Fitorja

Pas përsëritjes së votimit në 53 qendra, komisioni zgjedhor nw Serbi (RIK) publikoi rezultatet nga të gjitha 8,392 qendrat: Lista Studentore me 53.01%, kundrejt 38.98% për “Aleksandar Vučić – Serbia e bashkuar”.

Sipas përllogaritjes së mandateve pas përsëritjes së votimit, Lista Studentore ka 140 vende, lista e Vuçiçit 103, ndërsa shtatë mandatet e tjera u takojnë listave të pakicave. Koalicioni Shqiptar, që bashkoi tetë parti, siguroi dy mandate në Kuvendin e Serbisë, njw mw shumw se legjislaturwn e kaluar. Ndarja formale e mandateve nga RIK vijon sipas procedurës.

Në natën e zgjedhjeve Vuçiçi pranoi humbjen.

Në Shqipëri rezultati u lexua përmes politikës vendase.

“Radha jonë”

Të nesërmen e 26 tetorit, në rrjetet sociale të studentëve shqiptar, u shfaqën disa postime që shpjegonin si fituan studentët në serbi. 

Shumë protestues u përpoqën të kuptonin dhe mbase edhe të ngjasonin me  atë që i bëri bashkëmoshatarët e tyre serb fitues. 

Shumë shpejt u krijuan disa lëvizje studentore kombëtare ku mund të anëtarësoheshe dhe po ashtu edhe një “listë” e studentëve.

Politika Shqiptare

Sali Berisha e paraqiti humbjen e Vuçiçit si paralajmërim për Edi Ramën. 

Erion Veliaj shkroi se studentët mund të sillnin jo “fundin e botës”, por “fundin e një bote”; Pandeli Majko dhe Elisa Spiropali e lidhën gjithashtu rezultatin me ndryshimin e pushtetit. 

Pas fitores, lidhja Rama-Vuçiç u shfaq edhe në protestën e studentëve shqiptarë. 

Para Kryeministrisë u vendosën imazhe të Ramës dhe Vuçiçit të krijuara me inteligjencë artificiale dhe më pas iu vu flaka. 

Rezultati serb u kthye në një analogji të drejtpërdrejtë shqiptare: nëse një lëvizje studentore rrëzoi Vuçiçin, mund të rrëzohet edhe Rama.

“Dy vite protestuan paqësisht”

Krahasimi më i fortë me Shqipërinë lidhej me dhunën.

Në rrjetet sociale u shpërndanë postime që argumentonin se studentët serbë fituan sepse protestuan për dy vjet paqësisht dhe ruajtën “respektin për policinë”.

Edhe në media u publikuan analiza “Ku ndryshojnë dy vitet e protestave në Serbi nga dy javët në Tiranë?”, ku një nga përfundimet ishte se “protestat e studentëve serbë nuk prodhuan dhunë”.

Pjesa e parë e këtij krahasimi qëndron: lëvizja serbe ishte kryesisht paqësore. Kështu e përshkruajnë Reuters, Amnesty International dhe raportet ndërkombëtare për protestat.

Por “kryesisht paqësore” nuk do të thotë “pa dhunë për dy vjet”.

Nga protesta paqësore te përplasjet me policinë

Më 28 qershor 2025, protesta masive në Beograd u pasua nga përplasje mes demonstruesve dhe policisë. Në javët që pasuan pati qindra arrestime dhe pretendime për përdorim të tepruar të forcës nga policia. Amnesty International foli për goditje të demonstruesve kryesisht paqësorë, për arrestime dhe raste të të rinjve të shtruar në spital pas ndërhyrjeve policore.

Parlamenti Evropian, duke përmbledhur periudhën e protestave, përmendi mbi 1,028 arrestime dhe të paktën 340 incidente të dhunshme, duke theksuar gjithashtu raste dhune policore, arrestime arbitrare dhe sulme ndaj protestuesve.

Në gusht 2025 pati përplasje të tjera. Në Valjevo, një nga episodet më serioze, shumë qytetarë u plagosën; një vit më pas, 27 persona kishin kallëzuar 28 policë dhe efektivë të paidentifikuar për sjellje të paligjshme.

Në Novi Pazar, në 12 gusht 2025 policia ndërhyri gjatë bllokimit të gjykatës dhe dy studentë u raportuan të plagosur lehtë. Në Novi Sad në 27 gusht 2025 pati shtyrje, përdorim mjetesh piroteknike dhe spreji irritues gjatë përplasjeve para Fakultetit Filozofik. 

Kuse në 5 shtator 2025, po në Novi Sad, N1 raportoi se një grup sulmoi efektivët me mjete piroteknike dhe shufra metalike. Policia më pas përdori shkopinj dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e tubimit. Në pamje shihen edhe pjesëmarrës të tjerë që përpiqen t’i ndalojnë sulmuesit.

Më 31 mars 2026, studentët dhe qytetarët u përplasën përsëri me policinë pas hyrjes së policisë kriminale në Rektoratin e Universitetit të Beogradit. Reuters raportoi përdorimin e shkopinjve të gomës nga policia, ndërsa N1 dokumentoi edhe raste kur demonstruesit hodhën sende drejt efektivëve.

Edhe protesta e 23 majit 2026 në Slavija ishte kryesisht paqësore, por pas përfundimit të saj një grup personash të maskuar hodhi mjete piroteknike ndaj policisë, e cila u përgjigj me gaz lotsjellës. Studentët u distancuan nga incidentet dhe thanë se ato ndodhën pas përfundimit të tubimit.

Protesta ishte në themel paqësore, por marrëdhënia me policinë u përkeqësua ndjeshëm gjatë vitit 2025 dhe 2026. Dhuna nuk ishte karakteristika kryesore e lëvizjes, por as nuk mungoi.

Po “respekti për policinë”?

Më 14 maj 2026, në një protestë të thirrur nga studentët para RTS-së, turma brohoriti “Kerovi!” – “Qentë!” kur përmendej policia. 

Studentët atë ditë akuzonin drejtues të Ministrisë së Brendshme dhe SNS-së se kishin urdhëruar policinë të mos siguronte protestat e tyre.

Edhe nata e fitores tregoi se tensioni nuk ishte zhdukur. Aljazeera dokumentoi një grup të rinjsh duke hedhur gurë drejt një kolone automjetesh policore që po tërhiqeshin.

Këto incidente nuk e përmbysin karakterin përgjithësisht paqësor të lëvizjes. Por e bëjnë të vështirë të mbrohet narrativa se studentët fituan sepse për dy vjet “gjithmonë respektuan policinë”.

Studentët serbë arritën të ruanin karakterin kryesisht paqësor të një mobilizimi shumë të gjatë, edhe pse raporti me policinë u bë konfliktual dhe pati incidente nga të dyja anët.

Kush do ta marrë pushtetin?

Fitorja e 25 tetorit nuk e bëri automatikisht Ilija Srdanovićin, të parin e listës studentore, kryeministër.

Në intervistën e parë të gjatë pas zgjedhjeve, kandidati i parë i Listës Studentore tha se emrat për kryeministër dhe ministra do të përcaktohen nga grupi parlamentar i shumicës së Listës Studentore, pasi të përfundojë procesi zgjedhor dhe të konstituohet Kuvendi.

Kur Radio Evropa e Lirë e pyeti nëse do të pranonte vetë kandidaturën për kryeministër, Srdanović nuk e përjashtoi, por theksoi karakterin pa lider të lëvizjes: kandidatët për çdo post do të zgjidhen kolektivisht.

Një nga lajmet që qarkulloi në Shqipëri pas fitores së studentëve serbë ishte: “Mundën Vuçiçin pas 12 vitesh në pushtet, por asnjëri nuk është student!”

Mes 250 kandidatëve të Listës Studentore nuk ka asnjë student.

Vendimi u morr nga vetë studentët gjatë formimit të listës. 

Në shtator, një përfaqësues i lëvizjes i shpjegoi gazetës Danas se çdo fakultet kishte propozuar kandidatët e vet, të cilët më pas kalonin në proces votimi dhe vetoje nga studentët. Lista quhej “studentore” jo sepse kandidatët ishin studentë, por sepse studentët kontrollonin procesin e përzgjedhjes.

Kandidatët e zgjedhur prej tyre ishin profesorë, mjekë, ekonomistë, juristë, artistë, shkencëtarë dhe profesionistë të fushave të ndryshme.

Nga këtu doli edhe një shifër tjetër që u përdor gjerësisht në rrjetet shqiptare: 160 doktorë shkencash.

Para zgjedhjeve, kandidati Radomir Saičić deklaroi në televizionin publik serb RTS se në listë kishte 160 persona me doktoraturë dhe e paraqiti këtë si dëshmi të ekspertizës së kandidatëve.

Nga “160 doktorë” te “Soros”

Të njëjtat biografi që u përdorën për të idealizuar Listën Studentore nisën më pas të lexoheshin nga një kënd tjetër.

Më 29 tetor, një media online publikoi shkrimin: “Nga Open Society i Sorosit te fondacioni i Partisë Demokratike: Biografitë pas listës ‘studentore’ të Serbisë”.

Shkrimi pretendon të dokumentojë lidhjet mes kantidatëve të listës studentore dhe “Sorosit”.

Fakti që kantidatë të listës studentore kanë pasur projekte apo botime ku financues ka qenë OSF, nuk tregon se Open Society ka financuar, krijuar apo kontrollon Listën Studentore.

Çfarë ndryshon në politikën e jashtme?

Ilija Srdanović pas zgjedhjeve tha se Serbia do të vazhdojë integrimin në BE dhe dialogun me Kosovën, përfshirë zbatimin e marrëveshjeve të arritura, por brenda kuadrit të Kushtetutës serbe. Për marrëdhëniet me Rusinë dhe mundësinë e sanksioneve, ai tha se drejtimi duhet të vendoset përmes një debati publik dhe vullnetit të qytetarëve, jo nga një person i vetëm.

Për Bosnjë-Hercegovinën, Srdanović premtoi vazhdimin e bashkëpunimit me Republikën Srpska dhe dialog për zgjidhjen e problemeve brenda BiH. Kur u pyet për Srebrenicën, ai tha se qëndrimi është përcaktuar nga gjykatat dhe nga dokumentet e miratuara nga parlamenti serb në vitin 2010.

Ai tha se kandidatët e Listës Studentore dhe brezi i ri nuk mund të mbajnë përgjegjësi për ngjarjet e viteve ’90, por shtoi se pushteti i mëparshëm kishte përgjegjësi.

Grafitet: çfarë ndryshoi në rrugët e Beogradit?

Një nga pamjet simbolike të ditëve pas zgjedhjeve erdhi nga fasadat e Beogradit.

Qytetarë, aktivistë dhe artistë nisën të mbulonin grafite kundër studentëve, murale kushtuar Ratko Mladićit dhe mesazhe nacionaliste. Radio Evropa e Lirë e renditi këtë mes ndryshimeve të para të dukshme pas humbjes së Vuçiçit.

Mes tyre ishte edhe grafiti: “Kad se vojska na Kosovo vrati” – “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.

Më 29 tetor, aktivisti Miodrag Kapor dhe bashkëpunëtorët e tij e mbuluan një grafit të tillë në qendër të Beogradit. Kapor shkroi se aksioni po vazhdonte pas zgjedhjeve sepse tani ishte “më e sigurt” për ta bërë. 

Por ky nuk ishte një aksion zyrtar i Listës Studentore.

Madje vetë Kapor e lidhi grafitin edhe me programin e fituesve, sepse Lista Studentore, njësoj si SNS-ja, vazhdon ta trajtojë Kosovën brenda rendit kushtetues të Serbisë.

Me 30 tetor tifozët e “Cervena Zvezdës”, e ripikturuan mesazhin nacionalist, duke pranuar edhe autorësinë e tij. 

Fitorja e studentëve e preku dhe median serbe. Pas fitores së studentëve, në protalet pro-qeveritare u dokumentua ndryshimi i gjuhës fyese ndaj studentëve.

Më 26 tetor, Radio-Televizioni i Vojvodinës nisi edicionin informativ me pamjet e festimeve të Listës Studentore dhe kërkoi publikisht falje për mënyrën se si kishte raportuar ndër vite.

Prezantuesi Goran Eror pranoi se transmetuesi publik kishte heshtur për tema, kishte raportuar në mënyrë të njëanshme dhe nuk kishte bërë pyetjet që duhej. Kjo u dokumentua gjerësisht dhe nga media shqiptare.

Arrestimi i Marko Kričak

Pak ditë më vonë, një tjetër zhvillim krijoi përshtypjen se strukturat e sistemit të vjetër po shpërbëheshin.

Më 1 nëntor u arrestua Marko Kričak, drejtuesi i Policisë Kriminale, i konsideruar figurë e afërt me Vuçiçin dhe i akuzuar më herët nga studentët për brutalitet gjatë protestave. Rasti mori zë edhe në Shqipëri.

Por akuza penale për të cilën u arrestua ishte tjetër.

Prokuroria tha se Kričak dyshohet për shpërdorim detyre, keqtrajtim dhe torturë në lidhje me hetimin e një vrasjeje në Beograd. 

Kryeprokurori Nenad Stefanović deklaroi shprehimisht se arrestimi “nuk ka asnjë lidhje me procesin zgjedhor dhe rezultatet e zgjedhjeve parlamentare” dhe tha se veprimet paraprake të prokurorisë kishin nisur që në maj.

Një ditë më vonë, ish-inspektori i Policisë Kriminale Milan Dumanović deklaroi për N1 se, sipas tij, arrestimi kishte “absolutisht” lidhje me rezultatin zgjedhor dhe se pjesë të sistemit po përpiqeshin të pozicionoheshin përpara ndërrimit të pushtetit. 

Në Shqipëri, arrestimi u raportua duke u lidhur me përplasjet e mëparshme të Kričak me studentët (i akuzuar për brutalitet nga ata) dhe me afërsinë e tij me Vuçiçin. Ai u prezantua si “polici i preferuar i Vuçiçit”, duke e vendosur arrestimin në klimën e krijuar pas humbjes së tij. 

Një fitore, disa narrativa

Fitorja e Listës Studentore u kthye në Shqipëri në simbol të ndryshimit dhe model për t’u ndjekur. Por Serbia tregon se fitorja është vetëm fillimi: ajo që vjen më pas do të tregojë sa ndryshon realisht sistemi…

Artikulli paraprakRruga Shirokë-Zogaj-Kufi përfundon, por me vonesë
Jona Cenameri
Jona Cenameri është gazetare, fact-checker. Ajo ka përfunduar studimet në degën Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës, ku u vlerësua me certifikatë ekselence për arritjet akademike. Punon në Faktoje.al, ku merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Përvoja e saj profesionale përfshin gazetari investigative, raportim të thelluar dhe ndërkufitar, si edhe monitorim e analizë mediatike, përmes bashkëpunimeve me ACQJ, BIRN Kosovo, IDMC, Thomson Media dhe Canal France International. Në vitin 2024 fitoi çmimin e parë në konkursin “Memoria dhe të Drejtat e Njeriut”, ndërsa në vitin 2025 ishte pjesë e ekipit fitues të konkursit rajonal të CFI-së “Balkan Voices 2”. Ajo është gjithashtu përfituese e bursës së KAS Media Programme South East Europe, e akorduar për studentë të talentuar të gazetarisë.