Rama: Të rinjtë po ekstremizohen nga fryma e ANTIFA-s, shpërblim 2.500 euro për çdo efektiv

Kryeministri Rama akuzoi opozitën se po përdor të miturit si "mish për top" dhe po u jep strehim politik dhunuesve, me synim rikthimin e një tjetër "21 Janari". Përmes një guri të treguar në konferencë, ai deklaroi se me dhunën nuk negociohet dhe paralajmëroi se shteti do ta fitojë këtë betejë. Nga ana tjetër, ministri Demo theksoi se protesta ka kaluar çdo vijë të kuqe.

41
Kryeministri Edi Rama duke treguar nje gur te hedhur ne proteste

Kryeministri Edi Rama akuzoi PD se mbështet dhe bëhet strehë e të rinjve pas sulmeve të dhunshme kundër policisë, pronës publike dhe private në Tiranë.

I shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Ervin Demo, Rama erdhi sërish me një gur në konferencë, duke deklaruar se dhuna nuk ka vend në demokracinë shqiptare.

“Me këtë gur, që është një dhunë e pastër, nuk negociohet. Me atë që vë përpara këtë gur, nuk negociohet. Në momentin kur fiton ky, atëherë logjika e këtij guri bëhet vetë shteti”, – shtoi kryeministri.

Sipas Ramës, ata që qëndrojnë pas protestave ëndërrojnë që policia t’i marrë jetën një të mituri për të rikthyer një tjetër “21 Janar” dhe për të vendosur shenjën e barazimit.

“Ata që mbrëmë u dhanë strehim politik, duke bërë të njëjtën gjë edhe kur ishin në kohë të tjera, refuzimin për ta lënë policinë të bëjë punën e vet. Por s’e kishin deri në fund kurajën të bënin këtë që po bëjnë sot. U gjetën të miturit, që merren dhe vihen përpara me shufra hekuri dhe çohen atje mish për top, duke ëndërruar që një polici t’i shpëtojë dora dhe t’i marrë jetën një të mituri, që pastaj të justifikohet e keqja edhe më e madhe. Duke ëndërruar që të kthehet këtu prapë ’21 Janari’, për të bërë shenjën e barazisë mes meje dhe nesh, që e kemi sjellë Shqipërinë deri këtu dhe e kemi ndërruar faqen e këtij vendi dhe e kemi ngritur dinjitetin e këtij vendi, me ata që në bulevard i vrisnin protestuesit”.

Sipas tij, “kjo masë ka nevojë për psikolog. Pas protestave ka armiq të Shqipërisë. Rusia nuk është një vend që ia do të mirën vendit tonë. Nuk është rastësi që del Rusia e përshëndet kombin shqiptar, që më në fund po tregojnë se kush janë në të vërtetë dhe po i përgjigjen Europës”, deklaroi Rama. Kryeministri Edi Rama tha se të rinjtë që marrin pjesë në protestat e dhunshme janë të ideologjizuar dhe të ekstremizuar nga fryma e Antifa-s, të cilën, siç theksoi ai, presidenti amerikan Donald Trump e ka shpallur organizatë terroriste. Rama u shpreh se kjo nuk do të thotë që të rinjtë janë terroristë, por se janë pengje të një ideologjie që synon të shkatërrojë dhe të përmbysë gjithçka.

“Kjo nuk do të thotë që vajzat dhe djemtë që mendojnë se jeta është TikTok dhe se me TikTok dhe pa lidhur dot shtatë fjalë bashkë mund ta bëjnë Shqipërinë më të mirë, janë terroristë. Aspak! Janë studentë dhe studente? Po, patjetër. Janë nxënës dhe nxënëse? Po, patjetër. Por janë pengje të një fryme, të një ideologjie të re, e cila ka vetëm një mision: shkatërro, ktheje të gjithën përmbys, rrëno gjithçka. Bëje rrafsh se do ta fillojmë nga e para.

“Natyrisht që kjo nuk do të thotë aspak që kush sot proteston paqësisht, edhe pse janë shumë pak ata që protestojnë paqësisht, sepse edhe vajzat dhe djemtë që i bashkohen këtij, në thelb nuk duan paqe, duan përmbysje. Janë të rinj e të reja të ideologjizuar, të ekstremizuar, nën trysninë apo nën frymëzimin e asaj force të errët dhe të re që është shfaqur në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara, të cilën presidenti i Shteteve të Bashkuara e ka shpallur organizatë terroriste, Antifa-n. Organizatë terroriste e ka shpallur presidenti i Shteteve të Bashkuara”. Ai u shpreh se është i gatshëm për dialog në çdo kohë dhe me këdo, përveç forcave politike që, sipas tij, qëndrojnë pas dhunës dhe nuk distancohen prej saj.

“Kushdo tjetër është i mirëseardhur, ose te kushdo tjetër jam gati të shkoj dhe të dëgjoj dhe të kuptoj se si dhe ku gjendet kjo zgjidhje.

Dialog në çdo orë, në çdo ditë, në çdo vend, me këdo, përveç forcave politike që janë mbrapa dhunës dhe që nuk distancohen nga dhuna. Përveç atyre që gjuajnë me gurë Policinë, përveç atyre që duartrokasin kur digjet një polic”, tha ai.

Me tej, Rama shtoi: Zgjidhje politike me ndryshime artificiale të lidershipit, me ndryshime artificiale të rrugës së këtij vendi, me përzierje të njomit me të thatin, gjoja në emër të qetësisë, në emër të dashurisë, në emër të paqes, nuk ka dhe nuk ka.

Jo se s’dua unë. Nuk është këtu pushteti im personal. Nuk ka lidhje fare. Unë nuk e kam pushtet personal. Për mua zyra e Kryeministrit nuk është vend pune.

Jam ngarkuar nga 800 e kusur mijë shqiptarë, në bazë të një kontrate që mbaron në 2029, për të bërë një punë. Unë nuk i kam lëvizur asaj kontrate dhe deri tani të gjitha programet e reja të premtuara janë vënë në lëvizje.

Dhe ne, ndërkohë, A-ja dhe Z-ja e gjithë kësaj historie, aty ku faktikisht bashkohen të gjitha të këqijat dhe të mirat ballë për ballë, nuk kemi lëvizur asnjë metër nga objektivi dhe nga rruga për ta ngritur flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit atje në Bruksel, në oborrin e shtëpisë europiane”.

Kryeministri nënvizoi se paga e policëve do të rritet nga 1 janari 2027 dhe se do të jepet shpërblim 2.500 euro për çdo efektiv që është në këtë front.

Rama tha se shteti do ta fitojë betejën përballë protestave të dhunshme, ndërsa paralajmëroi se kush mendon se mund të marrë pushtetin përmes dhunës, do të zhgënjehet.

Ndërsa ministri i Brendshëm, Ervin Demo theksoi se protesta ka kaluar vijën e kuqe. “Komisariati nr 3 është sulmuar, jo vetëm si godinë, por janë plagosur edhe efektivët. Elementët e dhunës kanë arritur në nivele që tregojnë se kjo nuk është më protestë studentore, madje nuk mund të quhet as protestë. Kemi pasur edhe sulme të dhunshme ndaj selisë së partive dhe një pjesë e atyre gjetën ‘azil’ tek një seli partie politike”- tha Demo.