Rama nuk udhëtoi në ShBA për hetimet ndaj McGonigal

10

Pretendimi: Kryeministri Edi Rama udhëton në 20 janar drejt ShBA për të dëshmuar në çështjen McGonigal

Verdikti: E pavërtetë

Barbara Halla

Në ditët e para të janarit qarkulloi në media lajmi se kryeministri Edi Rama do të merrej në pyetje nga autoritetet amerikane në lidhje me hetimin mbi ish-agjentin e FBI-së, Charles McConigal. Më konkretisht, pretendohej se Rama do të udhëtonte drejt Uashingtonit më 20 janar për t’u marrë në pyetje dhe për të dëshmuar si “person në dijeni” lidhur me hetimin për korrupsion të zyrtarit amerikan.

Kjo deklaratë, e nisur në një studio televizive në News24, u pasua nga portale të ndryshme dhe më pas u përsërit edhe në diskutimet publike të politikanëve opozitarë duke aluduar se Rama rrezikonte “fatin e Maduro-s” në SHBA.

Pretendime të tilla mbështeten vetëm në burime të paidentifikuara dhe pa prova konkrete, dhe veçanërisht pa asnjë referencë zyrtare nga autoritetet amerikane ose ndonjë njoftim të Departamentit të Drejtësisë ose Ambasadës Amerikane që të konfirmonte një ftesë të tillë apo një thirrje për t’u marrë në pyetje një kryeministri në detyrë.

Me kalimin e datës 20 janar, nuk pati asnjë njoftim nga qarqe zyrtare që Rama kishte shkuar në Uashington, as që ai ishte marrë në pyetje apo kishte një seancë gjyqësore në ndonjë gjykatë federale amerikane. Në këtë ditë, Rama iu përgjigj ftesës së marrë nga presidenti Trump për të qënë pjesë e Bordit të Paqes, ndërkohë që një ditë më pas u shfaq publikisht në Kryeministri me familjarët e viktimave dhe në homazhet në bulevardin Dëshmorët e Kombit, në 15-vjetorin e protestës së 21 janarit.

Vetë Rama i ka ironizuar pretendimet për një gjyq amerikan, duke i quajtur fantazi të opozitës dhe duke mohuar ekzistencën e çështjeve penale kundër tij në SHBA. Këto pretendime, siç e ka treguar Faktoje, janë shtuar që prej arrestimit të presidentit venezuelian, Nicolas Maduro me datë 3 janar, por nuk bazohen në fakte apo deklarata zyrtare.