BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookRama nuk bojkotoi ambasadoren amerikane në eventin e Universitetit

Rama nuk bojkotoi ambasadoren amerikane në eventin e Universitetit

Kryeministri Rama nuk bojkotoi një ceremoni ku ndodhej edhe ambasadori amerikane për shkak të “acarimit të marrëdhënies mes tyre”. Lajmi i publikuar në vigjilje të zgjedhjes së kreut të ri të SPAK, kur aludohej për një përplasje mes Ramës dhe Kim, është verifikuar si i pavëërtetë.

Nevila Gjata

Që mes Kryeministrit Edi Rama dhe ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka pasur këndvështrime të ndryshme, kryesisht mbi mënyrën se si e shohin zbatimin e reformës në Drejtësi, ky nuk është më sekret. Rasti i fundit ishte zgjedhja e kreut të SPAK. Megjithatë, kujdesshëm ata kanë ruajtur raportin e tyre në publik. Ashtu siç edhe nuk e kanë bojkotuar njëri-tjetrin publikisht, siç citon analistin Arjan Çani portali lajmifundit.al, në lajmin e publikuar më 16 dhjetor, pikërisht ditën kur votohej për kreun e ri të SPAK.

Thellohet krisja Rama – Yuri Kim, kryeministri bojkoton takimin në momentin që hyn ambasadorja e SHBA”, titullohet artikulli i këtij portali që ka tërhequr vëmendjen e shumë lexuesve në rrjet. Në brendësi të lajmit, portali citon gazetarin Arjan Çani, i cili e bëri publike këtë “ngjarje” në një emision televiziv ku ndodhej i ftuar. Bojkoti, u aludua se kishte ndodhur gjatë ceremonisë së 65-vjetorit të Universitetit të Tiranës, event i zhvilluar në 15 dhjetor.

“Faktoje” verifikoi më tej ceremoninë në fjalë, por dhe takimet publike të ditëve të fundit të dy personaliteteve për të vërtetuar pretendimin e një sjelljeje publike armiqësore mes Ramës dhe Kim.

Në datën 12 dhjetor në mbrëmje ambasada amerikane njoftoi për një takim të gjatë të zonjës Kim në zyrën e kryeministrit Rama, ku sigurisht është folur edhe për zgjedhjen e kreut të SPAK.

Një ditë para pjesëmarrjes në ceremoninë e 65 vjetorit të Universitetit të Tiranës, në 14 dhjetor,  kryeministri Edi Rama shtroi darkën me përfaqësuesit e trupit diplomatik. Ambasadorja amerikane Yuri Kim ishte prezente në krah të zonjës Rama dhe u shfaq tepërt e afërt me të dhe kryeministrin në videot e shpërndara gjatë darkës. Përmes disa fotosh publikuar në disa media ajo u shfaq në një përqafim me Ramën.

(screenshot e ambasadores amerikane Yuri Kim dhe bashkeshortes se kryeministrit, Linda Rama)

Ndërkohë, përsa i përket ceremonisë së 65 vjetorit të Universitetit, në videon e transmetimit live të eventit, mund të vihet re se kryeministri  Edi Rama është larguar më herët nga eventi për shkak të axhendës së tij. Dhe ky nuk është rasti i parë ku Kryeministri ftohet dhe largohet pas fjalës që mban. Atë ditë Rama ishte edhe në dy aktivitete të tjera publike.

Ndërkohë, në video dhe nga të pranishmit, konfirmohet se ambasadorja amerikane ishte prezente në aktivitet edhe pse nuk mbajti një fjalë përshëndetëse. Skena e largimit të kryeministrit për ta bojkotuar publikisht në një sallë të mbushur me dhjetra të ftuar të tjerë, ngjan pak e besueshme apo ndoshta tepër e fshehtë për t’u konsideruar si një qëndrim publik.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img