ANXHELA RUÇI
Një urdhër i kryeministrit Edi Rama mbi masat shtrënguese kundër përhapjes së koronavirusit, ndalonte çdo lëvizje të mjeteve apo këmbësorëve në pikat kufitare. “Faktoje” bëri një verifikim në pikëkalimin kufitar të Kakavijës, ku hyrje-daljet ishin bllokuar plotësisht me përjashtim të transportit të mallrave. Të paktët që hyjnë si këmbësorë përmes kufirit, firmosin formularin ku vetëkarantinimi është një detyrim.
————————————————————————————————————————————————————
Nga data 15 mars, kryeministri Edi Rama njoftoi se për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, të gjitha kufijtë tokësorë do të mbyllen për të gjithë udhëtarët me autobus, mikrobus, apo autoveturë.
Postimi i Edi Ramës ne Facebook
Pas hyrjes në fuqi të këtij urdhri “Faktoje” ka bërë një vëzhgim në pikën kufijtare të Kakavijës, një nga portat hyrëse/dalëse me shtetin fqinj, Greqinë.
Sipas informacioneve, transporti i udhëtarëve me autobus, mikrobus apo vetura hyrëse në kufi ishte ndërprerë. Ndërsa qarkullimi për transportin e mallrave vazhdonte lirisht.
Pika Kufitare Kakavijë
Ndërsa për daljet nga Shqipëri drejt Greqisë, lejohej të qarkullonin personat me leje qëndrimi në shtetin grek, ata me pasaporta greke dhe autoveturat me targa greke.
Të vetmit që mund të hynin në Shqipëri ishin shtetasit të cilët plotësonin një formular deklarimi, në të cilin pranonin se do të vetëkarantinoheshin, në të kundërt ndaj tyre do të merreshin masa administrative deri në ndjekje penale.
“Faktoje” ka siguruar një formualar deklarimi të cilën e plotësojnë të gjithë shtetasit që hyjnë në Shqipëri.
Danieli, punëtor sezonal në Greqi na tha se pasi ka hyrë në Shqipëri ka firmosur këtë formularin ku njoftohet për detyrimin që ka të qëndrojë në shtëpi dhe pa kontaktuar me njerëz të tjerë, të paktën për 14 ditë.
Ai tha për “Faktoje” se sapo koronavirusi filloi të përhapej në Greqi, fabrika ku ai punonte u mbyll, gjë që e detyroi të kthehej në Gjirokastër. Edhe pse nuk ka pasur kontakte me shumë njerëz, Danieli e ndjen veten të rrezikuar duke parë përmasat që koronavirusi ka marrë në shtetin fqinj, por edhe në Shqipëri tashmë.
Që nga e marta e 24 marsit, masat në kufi janë ashpërsuar, duke ndaluar totalisht hyrjen e shtetasve, edhe atyre që më herët mund të qarkullonin në këmbë.
Ndërsa puna në kufi vazhdon normalisht për transportin e mallrave.