Esmeralda Topi
Në një seancë që nisi me një simbolikë, në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, Kuvendi u përfshi shumë shpejt nga retorika e ashpër politike.
Para se të niste debati maratonë për projekt-buxhetin 2026, drejtimin e seancës për pak minuta e mori 14-vjeçarja Sofi Xhafo nga shkolla “Naim Frashëri”, e cila u kujtoi deputetëve të mendojnë “për të ardhmen e fëmijëve, për ëndrrat e tyre”. Por vetëm pak minuta më vonë, skena politike shqiptare u kthye në terrenin e zakonshëm të përplasjes.
Në sallë, me vonesë, hynë fillimisht zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, tashmë e pandehur nga SPAK për tenderin e tunelit të Llogarasë dhe pak minuta më pas Kryeministri Edi Rama. Demokratët, sapo ai mori fjalën, u ngritën në këmbë dhe i kthyen shpinën.
“Faleminderit për lehtësimin që i bëni fjalimit tim,” ironizoi Rama. “Më mirë shpina juaj sesa fytyra juaj”
Rama në mbrojtje të Ballukut
Fjalimi i kryeministrit për projektbuxhetin 2026 nisi me një tjetër mbrojtje të hapur të zëvendëses së tij. Ai akuzoi opozitën se po ushtron “prokurorinë popullore” dhe po përdor çështjen e Ballukut si armë politike.
“Përsa kohë do të vazhdoni të bëni këtu ’prokurorinë popullore’ për aq kohë do vazhdoni të jeni aty ku jeni dhe gjithmonë e më të tkurrur’’, tha Rama.
Opozita, nga ana tjetër, e akuzon zëvendëskryeministren se ka përcaktuar fituesin e tenderit të Tunelit të Llogarasë në shkelje të kritereve standard, një procedurë që, sipas tyre, i kushtoi buxhetit të shtetit të paktën 50 milionë euro.
“Zonja është marrë e pandehur dhe ky është fakt publik, por ty çfarë të detyron të vish në foltore dhe të bësh avokatin e një të pandehure për abuzim me fonde publike në vlerën e 50 mln eurove,” kundërshtoi kryetari i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi.
Por Rama e hodhi poshtë si “aritmetikë të tipit 7×7 = 42”.
“Për sa i përket tunelit të Llogarasë, ai 50 milionë euro është si 450 milionë euro i inceneratorit,” tha ai, duke barazuar shifrat e opozitës me akuza të pambështetura.
Menjëherë pas fjalës së mbajtur, Rama e braktisi seancën.
Balluku: “Jam nën sulm personal”
Kur Balluku mori fjalën për projektbuxhetin, demokratët që kishin disa javë që e kërkonin për llogaridhënie braktisën sallën. E vetme në gjysmërrethin e saj, ajo sulmoi opozitën për standarde të dyfishta ndaj SPAK-ut dhe për “tifozeri sedentare që lutet për rotacion me dosjet e SPAK-ut”.
Ajo deklaroi se nuk do të komentojë çështjen penale që po hetohet, por do të vijojë ta ndjekë “me diskrecion të plotë”.
“Nuk do të prononcohem kurrë për çështje në hetim pasi kanë rrugën e tyre, të cilën do e ndjek me diskrecion të plotë, derisa e vërteta të marrë formë të prerë cilado qoftë ajo”, theksoi Balluku.
“Ju nuk falni suksesin, as brenda radhëve tuaja, as jashtë tyre,” shtoi më tej ajo në një fjalim të shkurtër dhe emocional.
Debati u tensionua kur deputeti Agron Shehaj ndërhyri duke i kujtuar statusin e të pandehurës zonjës Balluku. Pas disa paralajmërimeve, kryetari i Kuvendit e përjashtoi nga seanca zotin Shehaj, ndërsa mazhoranca kërkoi 5 minuta pushim.
Kur seanca rifilloi, vendi i Ballukut ishte bosh.
Dosja
Më 31 tetor, SPAK i komunikoi Ballukut akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera”.
Sipas dosjes hetimore, zv.kryeministrja Belinda Balluku akuzohet se kontrolloi në çdo hap procedurën e prokurimit me vlerë 18,9 miliardë lekë për tunelin e Llogarasë dhe paracaktoi fituesin.






