.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëRama: Gjatë muajit Shkurt do të vijnë mbi 40 mijë doza nga Pfizer

Rama: Gjatë muajit Shkurt do të vijnë mbi 40 mijë doza nga Pfizer

Brenda muajit shkurt, bazuar në raportimet e Ministrisë së Shëndetësisë, kanë mbërritur në Shqipëri 16 380 doza të vaksinës anticovid dhe jo 40 mijë sa deklaroi kryeministri Edi Rama. Nga verifikimi i deritanishëm, rezuton se duke llogaritur edhe dozat e mbërritura në muajin janar, në mungesë të plotë të transparencës, nuk plotësohet as gjysma e sasisë së premtuar nga kryeministri.

…………………………………………………………

Gjatë një deklarate për shtyp në datën  02/02/2021 kryeministri Rama njoftoi se kishte marrë konfirmimin se gjatë muajit Shkurt do të vinin mbi 40 mijë doza vaksinash anti Covid-19 nga kompania  Pfizer.

Këtë deklaratë kryeministri Rama e bëri ndërsa qeveria ishte duke pritur 1170 dozat nga kjo kompani. Në Institutin e Shëndetit Publik, në Tiranë, mbërritën të hënën në mbrëmje, (02/02/2021) nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, 1 mijë e 170 vaksina anti Covid-19 të kompanisë Pfizer, (BioNTech-Pfizer).

Faktoje pyeti  kompaninë, Pfizer sesa do të ishte sasia e vaksinave që kjo kompani do të dërgonte për Shqipërinë gjatë muajit shkurt :

Në përgjigjen e saj kompania na njoftoi se sasia e dozave dhe koha e mbërritjes së tyre janë pjesë e një marrëveshjeje konfidenciale me qeverinë shqiptare.

Nga kërkimet tona në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë rezultojnë dy deklarata publike të bëra nga ministrja Manastirliu në datën  15/02/2021 dhe 22/02/2021.

Pas kësaj deklarate mbrëmjen e datës 15 shkurt 2021, Kryeministri Rama priti në aeroportin Nënë Tereza mbërritjen e 7020 dozave të vaksinës anti covid.

Sërish pas kësaj deklarate kryeministri Rama bëri publike mbërritjen 8190 dozave të radhës në Aeroportin “Nënë Tereza”.

Nga të dhënat zyrtare të publikuara rezulton se gjatë muajit shkurt, në vendin tonë kanë mbërritur 16,380 doza vaksinash antiCovid-19.

Edhe më herët Faktoje ka ndjekur këtë çështje duke arritur në përfundimin se nga deklarata në deklaratë numri i vaksinave të premtuara nga ajo fillestarja vinte në rënie.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend në datën 1 mars 2021 ministrja Manastriliu deklaroi se sot do të mbërrijnë 15,210 doza të vaksinës Pfizer.

Nuk kaluan as 24 orë nga kjo deklaratë kur vetë institucioni përmes një njoftimi për gazetarët njoftoi se kjo sasi pritet të mbërrijë një ditë më vonë.

Nga verifikimet e kryera, rezulton se nga rreth 40 mijë vaksinat e premtuara nga kryeministri Rama, që duhej kishin mbërritur në vendin tonë brenda muajit shkurt, ka mbërriutur më pak se gjysma.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img