INVA HASANALIAJ
Punësimi ose më saktë mungesa e vendeve të punës vazhdon të mbetet një nga problemet shqetësuese për qyetarët shqiptarë. Megjithatë vetëm gjatë muajit mars nga zyrat e punës në gjithë vendin janë punësuar 1396 persona. Kjo shifër u deklarua nga kryeministri i vendit Edi Rama gjatë një dalje publike në zyrat e punësimit në datën 30 mars.
“Dua ta filloj nga rezultati i muajit mars: 1396 persona që kanë filluar punë. Është një rezultat shumë inkurajues po të kemi parasysh rolin që kanë luajtur zyrat e punës, sepse bëhet fjalë për 1396 persona, të cilët kanë filluar punë falë zyrave të punës”- tha kryeministri Rama.
Nisur nga kjo deklaratë “Faktoje” vendosi të komunikojë me Shërbimin Kombëtar të Punësimit për të parë më nga afër situatën e shifrave.
Në përgjigje të kërkesës që kemi bërë drejtuar këtij institucioni, na kanë ardhur jo një por tre përgjigje të cilat, çuditërisht jo vetëm nuk përkojnë me shifrat e dhëna nga kryeministri por edhe me vetw strukturat e brendëshme të SHKB (Shërbimi Kombëtar i Punësimit).
Në përgjigjen e parë na thuhet se gjatë muajit mars 2018 janë punësuar 1,960 individë, prej tyre 868 femra dhe 495 kryefamiljarë.
Në përgjigjen e dytë shkruhet se pas verifikimeve të fundit të bëra nga ky institucion rezulton se nga data 1 – 31 mars 2018-të janë punësuar 1,735 individë.
Vetëm në përgjigjen e tretë ritheksohet se janë punësuar 1,735 individë. Megjithatë asnjë prej shifrave të dhëna nuk korrespodon me shifrën e deklaruar nga kryeministri.
Nisur nga kjo përplasje informacionesh kjo deklaratë konsiderohet PA KATEGORI.