.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëPër Shqipërinë janë OK, për Europën JO

Për Shqipërinë janë OK, për Europën JO

ANXHELA RUÇI & MERXHAN DACI

Një deklaratë e kryeministrit Rama në 2018-n sugjeron se për atë vit nuk ka patur asnjë rast të kthimit të produkteve bujqësore shqiptare të destinuara për eksport. “Faktoje” konstaton se për vitet 2018 dhe 2019 janë 14 raste të sinjalizuara nga Agjencia Europiane e Ushqimit me nivel të lartë pesticidesh. Sipas legjislacionit shqiptar, këto produkte ishin brenda normës.

………………………………………………………………………………………………………………………………………………………

Nga qindra mijëra ton prodhime vendase të eksportuara nuk na është kthyer mbrapsht nga BE një kg i vetëm për çështje sigurie, në kuptimin e përmbajtjes ushqimore”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama më 26 tetor të vitit 2018 në një takim me fermerët.

“Faktoje” verifikoi këtë deklaratë duke marrë të dhëna nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), eksportues të produkteve bujqësore dhe fermerë.

Sipas të dhënave të AKU për vitin 2018 nga Sektori i Inspektimit janë trajtuar 6 raste të produkteve bujqësore të konstatuara me probleme të cilësisë. Sinjalizimi për problemet me cilësinë ka ardhur nga agjencia europiane RASFF (Food and Feed Safety Alerts). Krijuar në 1979-n, RASFF, shmang shumë rreziqe të produkteve të pasigurta ushqimore për konsumatorët europianë.

Produktet e gjetura me probleme për 2018-n me burim Shqipërinë, sipas raportit të RASFF, janë kastravecët, lule misri, hithrat, domatet, specat dhe mollët të cilat kishin përmbajtje të pesticideve dhe sëmundjeve. Këto produkte kishin si destinacion Greqinë dhe Gjermaninë.

Njësoj si në vitin 2018 raste me cënimin e cilësisë ka pasur edhe në vitin 2019, (8 të tilla). Probleme janë identifikuar në kastraveca, lule shtogu, kunguj, speca dhe mollë të cilat janë gjetur me përmbajtje pesticidesh. Destinacionet e këtyre produkteve kanë qenë Kroacia, Greqia, Sllovenia dhe Gjermania.

Masat që ka marrë AKU-ja kanë qenë gjobat dhe deri tek mbyllja e subjektit në shkelje. Megjithatë për shumë nga produktet e eksportuara që AKU i ka cilësuar si brenda standardeve, vendet pritëse i kanë raportuar si me probleme.

Si është e mundur që dy autoritete me të njëjtin objekt pune, AKU dhe RASFF, japin versione të ndryshme për cilësinë e të njëjtit produkt?

AKU tha për “Faktoje” se për produktet që janë konstatuar me probleme nga RASFF, për legjislacionin tonë, (baza e të cilit është Udhëzimi Nr. 5, datë 14.05.2014) rezultojnë me një nivel brenda normës së lejuar në ndryshim nga ai i vendit pritës.

AKU, ligji dhe eksperti

AKU e ka detyrim ligjor të ushtrojë kontrolle për cilësinë e produkteve të import-eksportit në pikat kufitare. Ashtu siç pranohet nga përgjigja zyrtare që AKU ka dhënë për “Faktoje”, jo çdo herë ky kontroll kryhet.

Përgjithësisht, çdo kalim produkti që eksportohet, inspektohet nga AKU në PIK (Pikat e Inspektimit Kufitar), por kemi ndeshur edhe përballë faktit kur subjektet nuk janë paraqitur në sportelet e inspektorëve të AKU për kryerjen e kontrollit përkatëse”.

Sipas Alban Zusit, ekspert i sigurisë ushqimore, “Ligji për Sigurinë Ushqimore” është shumë problematik.

Ne kemi një sistem të fragmentarizuar të sigurisë ushqimore. AKU në fakt kontrollon vetëm një pjesë të tregut, por se cfarë ndodh në fushë dhe në stallë ky nuk është problemi i AKU. Fermeri është totalisht pa asnjë lloj kontrolli. Ai mund të bëjë gjithçka dhe askush nuk mban përgjegjësi për të”.

Fakti që në Shqipëri nuk kryhen kontrolle konfirmohet edhe nga eksportuesi në zonën e Myzeqesë, Mystehak Goga.

Analiza ne nuk i bëjmë se s’kemi laboratore, po i bëjnë ata që marrin. Përderisa ata i kanë bërë dhe i kanë pëlqyer do të thotë se jemi OK”, tha ai për “Faktoje”.

Eksperti Zusi, ngre një tjetër problem për produktet bujqësore jo të destinuara për eksport. Përgjithësisht, për produktet e eksportit bëhen analiza, ndërkohë për produktet për konsum të brendshëm nuk është e njëjta siguri.

Nisur nga deklarata fillestare e kryeministrit Rama, se asnjë kilogram i produkteve bujqësore shqiptare nuk është kthyer, AKU konfirmoi për “Faktoje” se në  6 raste në vitin 2018 në disa vende europiane janë gjetur produkte shqiptare me probleme për çështje sigurie ushqimore, por ato nuk janë kthyer pasi vendet pritëse i kanë asgjësuar.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img