Pretendimi: Ukraina goditi gabimisht spitalin e fëmijëve në Kiev
Verdikti: E pavërtetë
Vjolanda Peca
Të paktën 31 njerëz u vranë dhe më shumë se 150 u plagosën në 8 korrik, si pasojë e sulmeve më të rënda me raketa të Rusisë në muajt e fundit ndaj Ukrainës. Ngjarja që ka goditur më shumë opininin publik ishte sigurisht sulmi ndaj Spitalit të Fëmijëve në Kiev.
Në rrjet po qarkullon ende retorika ruse se ishte një raketë ukrainase e sistemit NASAMS ajo që goditi këtë spital. Kjo narrativë është ushqyer nga një citim i zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e cila është bazuar në dëshmitarë okularë që kanë parë modelin e raketës përpara shpërthimit të saj.
Ky pretendim është i pabazuar dhe i kundërshtuar nga fakte të shumta dhe të verifikuara.
Së pari, OKB-ja ka bërë një analizë të videos dhe një vlerësim në vendngjarje, duke sugjeruar se spitali u godit nga një raketë e lëshuar nga Rusia, ndonëse ekipi i OKB-së ende nuk ka arritur në një përfundim. E njëjta analizë hedh poshtë idenë se raketa ishte nga sistemi NASAMS, duke e përjashtuar këtë mundësi.
Gjithashtu, Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) ka raportuar se ka gjetur mbetje në vendngjarje nga një raketë ruse Kh-101. Kjo raketë është e njohur për lëshimet nga ajri dhe fluturimet në lartësi të ulëta për të shmangur radarët.
Shpëtuesit dhe vullnetarët pastrojnë rrënojat dhe kërkojnë viktimat pasi një raketë ruse goditi spitalin kryesor të fëmijëve të vendit Okhmadit në Kiev, Ukrainë, të hënën, 8 korrik 2024
Ndërkohë, pretendimet për disa foto që tregojnë mbetje të raketave mbrojtëse ajrore ukrainase janë të pasakta, pasi disa nga këto foto kanë qarkulluar që nga viti 2022 dhe nuk lidhen me incidentin e fundit.
2 foto të postuara në Telegram nga një media ukrainase me mbishkrimin, “Mbetjet e raketave janë gjetur në Kiev pas një sulmi masiv me raketë”.
Në përfundim, provat dhe faktet e mbledhura tregojnë qartë se pretendimi se një raketë ukrainase NASAMS goditi spitalin e fëmijëve në Kiev është i pabazuar dhe i pasaktë.