Qeveria e Shqipërisë do duhet të paguajë 26 milionë lekë për të rimbursuar gjobat e vendosura nga autoritetet e shteteve të tjera ndaj rreth 250 qytetarëve shqiptarë pasi thyen afatin 90-ditor të qëndrimit. Kryeministri Rama kishte lajmëruar më herët se Qeveria e Greqisë si edhe qeveri të tjera nuk do penalizonin askënd për shkeljen e afatit, të kushtëzuar nga mbyllja e kufijëve si pasojë e pandemisë “Covid-19”.
Kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetin social “Facebook” më 31 mars njoftoi se qytetarët shqiptarë që gjendeshin në Greqi dhe thyenin afatin 90-ditor të qëndrimit, nuk do gjobiteshin.
Miq që jeni në Greqi me leje 90 ditore! Qeveria greke nuk do t’ju penalizojë për shkelje të pavullnetshme të afatit si pasojë e mbylljes së kufirit! Kufiri është i mbyllur prandaj qëndroni pa lëvizur, mbroni veten dhe familjet tuaja – shkruante kryeministri Edi Rama.
Por, rreth 150 qytetarë shqiptarë u gjobitën nga autoritetet greke, ndërsa rreth 100 të tjerë nga vendet e tjera, si pasojë e thyerjes së lejeqëndrimit prej 90 ditësh.
Gjobë e vendosur nga autoritet greke
Qeveria e Shqipërisë, me një vendim të datës 15 qershor, këkoi një fond shtesë prej 26 milionë lekë të reja me qëllim kompesimin e gjobave të vendosura nga autotitetet greke, shtetasve shqiptarë.
Vendimi për alokimin e fondit 26 milionë lekë
Përveç faktit se gjobat u vendosën nga autoritetet e shteteve të tjera, qytetarët shqiptarë duhet të aplikojnë pranë Drejtorisë së Tatimeve, në të cilën duhet të dorëzojnë disa dokumente, që vërteton marrjen e gjobës, si dhe kryerjen e pagesës, të dhënat individuale të llogarisë bankare, emrin e bankës dhe IBAN, si dhe një numër kontakti personal. Dhe pasi pranë Tatimeve depozitohet arkëtimi që vërteton pagesën e gjobës, kryhet rimbursimi i gjobës në të njëjtën masë në llogarinë bankare të përcaktuar nga individi përfitues.
Efekti financiar prej 26 milionë lekësh, do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2020, dhe ky fond tashmë i ka kaluar Ministrisë së Financave, në zërin e shpenzimeve operative.
Përfitues të rimbursimit do të jenë të gjithë ata qytetar që kanë marrë gjobën nga data 10 mars deri më 1 qershor 2020, të cilët kanë mbetur jashtë vendit si pasojë e mbylljes së kufijve për shkak të përhapjes së COVID-19.