Heqja e detyrimit për mbajtjen e maskës në rrugë, hyn në fuqi nga 1 qershori, por në Tiranë prej ditësh qytetarët lëvizin pa barrierën mbrojtëse. E njëjta situatë edhe në mjetet e transportit publik urban, ku mbajtja e maskës do mbetet një detyrim në fuqi. Edhe pse javët e fundit Ministria e Shëndetësisë raporton për ulje drastike të të prekurve nga Covid 19, pandemia nuk ka mbaruar, ndaj shumë kufizime janë ende në fuqi, por nuk po respektohen.
Komiteti Teknik i Ekspertëve më datë 27 maj deklaroi lehtësimin e disa kufizimeve, ndër të cilat edhe heqjen e detyrimit për mbajtjen e maskës në ambientet publike.
“Duke filluar nga data 1 Qershor të hiqet detyrimi për mbajtjen e barrierave mbrojtëse në ambientet e jashtme. Por, do të vijojë të mbetet detyrimi i mbajtjes së maskës në ambientet e mbyllura si dhe në mjetet e transportit publik.”-u shpreh gjatë konferencës zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli.
Screenshot ilustrues që tregon rregullat anticovid që do hyjnë në fuqi me datë 1 Qershor
(Mos) Zbatimi i rregullave para 1 qershorit
Ende shumë ditë para daljes publike të Komitetit të Ekspertëve, Faktoje kishte konstatuar mosmbajtjen e maskës në rrugë nga shumica e qytetarëve. Në një vëzhgim në javën e fundit të majit, nga vëzhgimi në disa rrugë të Tiranës vihet re shkelja e këtij rregulli.
Qytetarët që lëvizin pa maska në rrugë, foto:Aurora Shpataj
Nga raportimet e Policisë së Shtetit, pavarësisht se numri i qytetarëve pa maskë është rritur, postimi I fundit në faqen e saj në facebook, për masat administrative për mosmbajtjen e maskës, i përket rreth dy muajve më parë.
Faktoje komunikoi me zëdhënësin për mediat, Gentian Mullaj, i cili tha:
“Nga tetori e deri më tani janë rreth 91 mijë. Me plus-minus lëviz.”
Ndërkohë në autobusë, mbajtja e maskës është detyrim që mbetet në fuqi për një afat të pacaktuar, sipas Komitetit Teknik të Ekspertëve, por qytetarët po e injorojnë këtë rregull duke lëvizur pa maska.
Qytetarë që lëvizin pa maska në autobusë, Tiranë 28.05.2021
Faktoje, më datë 28 maj bëri një vëzhgim në disa linja të transportit urban që operojnë në kryeqytet. Në çdo linjë Faktoje konstatoi se pasagjerët nuk mbanin maskë.
Në linjën e Stacionit të Trenit, konstatuam se jo vetëm nuk mbahej maska, por numri i madh i pasagjerëve e bënte të pamundur edhe ruajtjen e distancës.
Autobus i linjës St.Trenit-Qendër-Sauk, 28 maj foto: Aurora Shpataj
“Nuk mund ta mbaj maskën në urban, më merret fryma. Plus që është verë tani, urbanët janë plot e përplot.”-shprehet një zonjë rreth të 60-ve.
Edhe qytetarë të tjerë shprehin të njëjtin shqetësim për tejmbushjen përtej kapaciteteve të linjave të urbanëve.
“Ja, shikoje! Këtu dimër-verë njësoj janë. Gjithmonë janë të tejmbushur, gati-gati i hipim njëri-tjetrit në shpinë. Edhe po të presësh kot që pret, se edhe urbani tjetër që do vijë do jetë plot.”- tregon një zotëri, ndërkohë që pret autobusin e linjës së Kamzës.
Vëzhgimin e vijuam në stacionin e autobusit të linjës së Kinostudios ku konstatuam sërish një numër të madh njerëzish në pritje dhe të papajisur me maskën mbrojtëse.
Autobus i linjës Kinostudio-Kombinat, qytetarët pa maska, 28 maj, foto: Aurora Shpataj.
Edhe në linjën e Kasharit qytetarët nuk e respektojnë rregullin për mbajtjen e maskës si pjesë e protokollit të vendosur nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.
Autobus i linjës së Kasharit, 28 maj. Foto Aurora Shpataj
Këtë konstatim e bëmë në të gjitha linjat urbane që vëzhguam në terren.
Qytetarët në stacion në zonën e qendrës duke pritur urbanet,foto:Aurora Shpataj.
Faktoje edhe më parë ka bërë disa artikuj mbi problematikat në transportin urban gjatë pandemisë. Edhe këtë herë, qytetarët nuk e respektuan autoritetin publik, por u bënë vetë vendimmarrës për heqjen e maskave, shumë përpara komunikimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve.