BallinaPertejProtokolli i vendosur nga ISHP për transportin publik nuk po zbatohet

Protokolli i vendosur nga ISHP për transportin publik nuk po zbatohet

AURORA SHPATAJ

Transporti publik që rinisi aktivitetin në mes të qershorit, pas izolimit nga pandemia, duhet t’i nënshtrohet një protokolli të caktuar, për shmagien e përhapjes së Covid-19. Ky protokoll prej 3 pikash gjendet i publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Foto e marrë nga faqja zyrtare e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

A respektohen këto 3 rregulla në transportin publik?

Faktoje bëri një vëzhgim në 7 linja autobusësh që operojnë në kryeqytet:  Kamza, linja e Insitutit Bujqësor, Tirana e Re, linja Kashar-Berxull, linja e Kombinatit,  Vorë-Qendër dhe linja e Porcelanit. Ne verifikuam secilën nga 3 pikat e protokollit se në ç’masë respektohet.

 

Rregulli 1: 70% kapaciteti i lejuar në autobusë

*Qytetarët në stacion në zonën e qendrës duke pritur urbanet,foto:Aurora Shpataj.

Nga një vëzhgim në stacionin e autobusit të linjës së Unazës konstatuam një numër të madh njerëzish në pritje. Si rregull, duhet të hipin në autobus aq sa të mos tejkalohet kapaciteti prej 70%.

*Autobus i linjës Vorë-Qendër i tejmbushur me qytetarë, foto: Aurora Shpataj

“Skam kohë të pres, duhet të shkoj në punë, përndryshe më heqin. Po të pres urbanin tjetër vjen me vonesë dhe nuk është se ndryshon gjë, se edhe ai urban plot do jetë!”-tregon një zonjë rreth të 40-ave, ndërsa po nxitonte për të arritur orarin e punës.

Edhe qytetarë të tjerë tregojnë se qëndrojnë tërë kohën me frikë se mos infektohen, por pranojnë të hipin në autobusët  mbushur plot në oraret e pikut, pasi nuk kanë zgjidhje tjetër.

“Rri me dorë në zemër tërë kohën se mos infektohem. Po më duhet të lëviz se duhet të shkoj në punë se fëmijët duhet të ushqehen”-tregon një mesoburrë për Faktoje.

*Autosus i linjës Kopshti Zoologjik-Stacioni i trenit, foto:Aurora Shpataj

*Autobus i linjës Vorë-Qendër i tejmbushur me pasagjerë, foto:Aurora Shpataj

Pas verifikimit në 7 linja të transportit urban, konstatuam se sidomos në oraret e mëngjesit dhe pasdites, nuk respektohet masa për mostejkalimin e 70% të kapacitetit të pasagjerëve në autobusë.

Rregulli numër 2: Të gjithë pasagjerët, të pajisur me maska

Faktoje, në vëzhgimin e kryer në 7 linjat urbane konstatoi se një pjesë e pasagjerëve nuk I mbajnë maskat gjatë udhëtimit. Një prej linjave ku kjo masë nuk respektohet është ajo Insitut-Qendër, sidomos në orët e mëngjesit, ku grumbullimi është më i madh.

*Autobus i linjës Institut-Qendër, disa pasagjerë nuk mbjnë maskë, foto:Aurora Shpataj

Gjatë verifikimit në autobusët e linjës së Tiranës së Re, shumica e qytetarëve ishin të pajisur me maska.

*Autobus i linjës së Tiranës së Re, foto: Aurora Shpataj

“E mbaj maskën se nuk e di kush hyp e kush zbret nga urbani. Mund të jetë i infektuar e nuk ka shenja. Unë vij çdo ditë nga Durrësi dhe situata në transportin publik është jashtë kontrolli. Asnjë nuk e kontrollon, për të mos folur pastaj që të marrë masa. Zoti na ruajt!”-shprehet për Faktojen një zotëri që pret të vijë autobusi.

Ndërkohë një tjetër qytetare tregon se maska nuk ka asnjë vlerë, kur autobusi është gjithmonë plot.

“Ti e ke urbanin gjithmonë plot, njerëzit qëndrojnë gjtihmonë ngjitur,ça vlere ka maska pa distancë. Kjo një leckë është, vetëm një mjet kundër luftës së Covidit.”-tregon për Faktojen një studente e inxhienierisë.

Pas vëzhgimit që realizoi, Faktoje konstatoi se masa për mbajtjen e detyruar të maskës në autobus, zbatohet pjesërisht.

Rregulli nr. 3 ruajtja e distancës sipas piketave të vendosura.

Nga vëzhgimi i Faktoje në 7 linja autobusësh në Tiranë, mungojnë piketat të cilat tregojnë distancën që pasagjerët duhet të mbajnë.

*Autobus i linjës së Kamzës, mungojnë piketat për ruajtjen e distancës foto:Aurora Shpataj

*Autobus i linjës Tirana e Re, mungojnë piketat për ruajtjen e distancës foto:Aurora Shpataj.

Nga linjat urbane që vëzhguam, vetëm në një autobus të Porcelanit kishin vendosur piketat për ruajtjen e distancës.

*Urbani i linjës së Porcelanit, me piketat për ruajtjen e distancës, foto:Aurora Shpataj.

 

Faktoje konstatoi që as rregulli për vendosjen e pikateva për ruajtjen e distancës, nuk respektohet në shumicën e linjave urbane që morëm në verifikim.

Gjetjet e Faktoje lidhur me mosrespektimin e protokollit në transportin urban, janë pasqyruar edhe nga Qendra e Konsumatorit Shqiptar, një organizatë jo fitimprurëse.

“Qendra e Konsumatorit Shqiptar u ka dorëzuar disa kërkesa për informacion strukturave të ndryshme, veçanërisht Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit në bashkinë Tiranë në lidhje me respektimin e masave anticovid në transportin publik urban. Duhet theksuar që ankesat kanë ardhur drejtpërdrejt nga konsumatorët. Kryesisht kanë qenë studentë të cilët ankoheshin për mosrespektimin e tyre, mungesën e hapësirave, mosrespektimin e distancës, por edhe mosmbajtjen e maskës si nga stafi i shërbimit të transportit urban, ashtu edhe nga vetë pasagjerët. Këto ankesa iu drejtuan Agjencisë për  Mbrojtjen e Konsumatorit në bashkinë Tiranë, e cila mbi bazën e kërkesës dhe ankesës inspektoi linjat përkatëse dhe mori masat.”-shprehet Ersida Teliti, drejtoresha ekzekutive e qendrës së “Konsumatorit Shqiptar”.

Sot Tirana vazhdon të mbetet qyteti me numrin më të lartë të të infektuarve me 12937 raste aktive dhe më një mesatare ditore prej 250-300 të prekurish nga covid-19.

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img