.

.

BallinaFaktometerE vërtetëQeveria propagandon fondin për fermerët, por ata po falimentojnë nga shtrenjtimi kostove

Qeveria propagandon fondin për fermerët, por ata po falimentojnë nga shtrenjtimi kostove

Në nëntor 2021, gjatë diskutimit të buxhetit në Kuvend, ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca garantoi mbështetje dhe subvencion për fermerët. Por nga një verifikim i Faktoje, rezulton se për fermerët situata financiare po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Një emigrant i kthyer nga Holanda për të investuar në Shqipëri në vitin 2009, thotë se subvencionet janë ndër më të ulëtat në rajon, kosotot janë trefishuar dhe mbështetja e qeverisë është e pamjaftueshme për të mbuluar humbjet. Edhe ekspertët, të cilët e konsiderjnë alarmante situatën e fermerëve, apelojnë qeverinë të ofrojë mbështetje të menjëhershme.

———————————————————–

“Buxheti 2022 garanton fondin më të madh për mbështetje të drejtpërdrejtë dhe në investime për fermerin”- deklaroi ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend në tetor 2021.

Nisur nga kjo deklaratë, Faktoje bëri një verifikim për buxhetin e Ministrisë së Bujqësisë për fermerët në dy vitet e fundit. Sipas të dhënave, për vitin 2022 buxheti për fermerët është 3.2 miliardë lekë.

Screenshot nga faqja e Ministrisë së Financave

Për vitin 2021, eksperti i Bujqësisë, Ervin Resuli thotë për Faktoje se buxheti ka qenë në vlerën e rreth 22 milionë eurove, ndërsa buxheti në vitin 2022 është 4 milionë euro më shumë se një vit më parë. Por, sipas tij, krahasuar me vendet e rajonit, fermerët shqiptarë kanë mbështetjen më të ulët nga qeveria.

“Ndër vite konsiderohet fondi më i madh, por në krahasim me veten, sepse në krahasim me Rajonin dhe Ballkanin ne e kemi 3.2 miliardë, që i bie rreth 26 milionë euro

Ndërkohë Kosova mbështetjen direkte për fermerët e ka 50 milionë euro, kështu që ka diferencë të madhe me Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë dhe Serbinë.”- sqaron eksperti.

Por, si e përshkruajnë fermerët situatën? Faktoje udhëtoi drejt Bashkisë Dimal, e njihur si Ura Vajgurore në fund të muajit janar, në fermën e lopëve të Dashamir Çelës, një emigranti që dikur ka jetuar në Holandë dhe në vitin 2009 u kthye për të investuar në vendin e tij. Ai tregon se e ka nisur investimin fillimisht me 3 lopë dhe sot ka 40 krerë lopë, viça dhe mështjerra. Zoti Çela shprehet se për këtë vit ende nuk është shpallur fondi për fermerët.

Fermeri Dashamir Çela në Dimal, 27 janar 2022

“Kanë 36 milionë lekë (të vjetra) kosto vjetore lopët, me çmimet që kanë qenë vjet, sepse sivjet janë rritur çmimet dhe e kalojnë 55-60 milionë lekë. Këto 6 muajt e fundit po punojmë me zero fitime, vetëm po na rriten çmimet. Unë kam investuar mbi 200 mijë euro për këtë fermë. Për këtë vit akoma nuk është shpallur fondi për fermerët. Shpallja e subvencioneve duhej të ishte bërë. Po të isha me këto mend të vitin 2009 nuk do investoja kurrën e kurrës lekë në Shqipëri. Po të kisha mundësi sot, do i shisja direkt dhe do ikja nga ky vend. Mirë vetë, por po marr edhe fëmijët në qafë. Këtu do më ngelen fëmijët rrrugëve. Bujqësia dhe blegtoria nuk kanë mbështetje në këtë vend!”- theksoi ai.

Ferma e lopëve në Dimal, janar 2022

Zoti Çela rendit edhe probleme të tjera me të cilat po përballen sot fermerët.

“Ne jemi në disfavor edhe me vendet e rajonit përsa i përket subvencioneve në bujqësi. Ne marrim nga qeveria 100 mijë lekë në vit për krerë lopë. Kjo mbështetje është zero për ne. Nafta sot është 1800 lekë, plehrat kimikë i ke të paktën të trefishuar, plehrat kimike po ashtu. Të gjitha gjërat janë 2-3 fish më lart dhe me aq lekë, ne zëre se jemi pa mbështetje.

Kemi pasur një skemë në vitin 2018 që ishte 100 lekë (të vjetra) për litër qumësht. Edhe ajo ishte abuzive si skemë, por ishte gjysma e së keqes me atë që po shohim këto vite. Në vitin 2019 e hoqën këtë skemë dhe vunë atë 100 mijë lekë për lopë dhe kjo skemë vazhdon edhe sot. Nuk po kërkojmë mbështetje si vendet e Europës, por të paktën si vendet e rajonit.

Ferma e lopëve në Dimal, janar 2022

Ne i kemi kërkuar Ministrisë së Bujqësisë 100 lekë për litër qumësht pa limit. Jo që të fitojmë nga kjo, por të paktën të amortizojmë humbjet që kemi, sepse janë shumë të mëdha.”- tregon i shqetësuar fermeri Dashamir Çela.

Ferma e lopëve në Dimal, janar 2022

Ai tregon gjithashtu për përvojën që pati me aplikimin për grant nga fondet e IPARD për ndërtimin e një stalle moderne, duke pretenduar se në mënyrë të padrejtë Bashkia ka refuzuar t’i japë lejen për ngritjen e saj.

“Vitin që kaloi, mora iniciativën të aplikoja për ndërtimin e një stalle me grantin nga fondet e IPARD-it. Në shtator dola fitues te IPARD-i për ndërtimin e stallës dhe më kërkuan lejen e ndërtimit. Ua çova zotërinjve të Bashkisë, e mbajtën 2-3 javë dhe në fund thanë nuk ta japim dot lejen. Arsyet ishin që nuk respekton distancën. Ne respektojmë 100 m nga shtëpia më e afërt dhe 10 m nga kufiri”- thotë fermeri nga Dimali.

Në lidhje me këtë çështje, eksperti i Bujqësisë, Ervin Resuli, ngre shqetësimin në lidhje me buxhetin e ulët që qeveria shqiptare përcakton për fermerët dhe blegtorët:

“Në traditën e buxheteve, për sa i përket fermerëve dhe blegtorëve, ato nuk kanë qenë asnjëherë të mjaftueshëm. Ne kemi rastin e fundit, ku aplikojnë 12 mijë fermerë dhe përfitojnë 6-7 mijë prej tyre. Dhe kjo, jo se nuk janë fitues, por nuk kanë fond për t’i disbursuar. Përveç kësaj, në krahasim me rajonin, Shqipëria mban nivelin më të ulët të parave nga buxheti i shtetit për mbështetjen drejtpërdrejtë për fermerët.” – thekson Resuli.

Eksperti i Bujqësisë konfirmon se gjatë vitit 2021 ka pasur një rritje të çmimeve për inputet bujqësore, drithërat, por edhe karburantit.

“Përgjatë gjithë 2021, inputet bujqësore, farërat, drithërat për ushqimin e blegtorisë, çmimi i karburantit, në tërësi kanë pësuar rritje, deri në dyfshimin për disa zëra, sidomos për plehrat kimikë dhe inputet bujqësore. Ajo çka e rëndoi edhe më keq gjendjen e fermerit, ishin ndryshimet në paketën fiskale që u bënë në nëntor, e cila i ngarkoi edhe më shumë çmimet, sidomos inputet bujqësore, farërat dhe makineritë bujqësore, të cilat u rritën me 10%, morën tarifë doganore. Edhe agregatet bujqësore ishin paTVSH, në janar kanë marrë TVSH 20%. Në tërësi ka një rritje dhe shtrenjtim të të gjitha çmimeve që përdoren për bujqësinë dhe blegtorinë”-shprehet Resuli

Ai i bën thirrje qeverisë që të mbështesë konkretisht fermerët, pasi situata po përkeqësohet dita-ditës.

“Ne kemi ngritur herëpas’here zërin, por ka rënë në vesh të shurdhër, për aq kohë sa nuk janë marrë në konsideratë. Sipas të dhënave të INSTAT, në 4 vitet e fundit ka një përgjysmim të numrit të krerëve dhe ky është një alarm i kuq dhe qeveria duhet të ndërhyjë menjëherë. Po flasim për kafshë të gjalla, që për t’i rikthyer sërish në prodhim kërkon vite të tëra. Duhet bhuxhet, duhet strategji afatshkurtër dhe afatgjatë. Po flasim këtu për një total prej rreth 350 mijë familje fermerësh, ndërsa rreth 60 mijë fermerë janë të regjistruar me NIPT pranë tatimeve”- përfundon eksperti.

Ditën e djeshme, ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca njoftoi se ishte miratuar në Keshillin e Ministrave, VKM nr. 101, datë 9.2.2022 mbi Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2022,

“Është një lajm shumë i mirë për bujqësinë shqiptare. Kemi miratuar në Këshillin e ministrave vendimin për skemën mbështetëse të vitit 2022. Është një skemë, e cila do të mbështesë bujqësinë shqiptare për rritjen e produktivitetit, rritjen e konkurrueshmërisë, rritjen e tregjeve ku fermerët tanë mund të grumbullojnë produktet e tyre, për të forcuar flotën e peshkimit në Shqipëri. Një skemë mbështetëse, e cila do të zgjerojë skemën e përfituesve të skemës së naftës, e cila do të ulë kostot e prodhimit për fermerët tanë”, deklaroi ministrja Krifca. Vendimi do të hyjë në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img