Pretendimi: Qeveria japoneze u kërkoi falje qytetarëve të saj për pasojat katastrofike të vaksinave kundër Covid-19.

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————-

Në rrjetet sociale po qarkullon pretendimi se qeveria japoneze u ka kërkuar falje qytetarëve, duke pranuar se “dhënia e vaksinave për COVID-19 ka sjellë pasoja të paparashikueshme dhe katastrofike.”

Artikulli i mësipërm i referohet një deklarate nga “Kazuhiro Haraguchi, ish-ministri i Brendshëm i Japonisë”, i cili “kërkoi falje për cunamin e vdekjeve që ndodhën në mesin e popullsisë së vaksinuar, duke thënë ‘Ju kërkoj falje të gjithëve. Kaq shumë kanë vdekur dhe nuk duhet të kishin ikur’.”

Në fakt, Kazuhiro Haraguchi është pjesëtar i Partisë Kushtetuese Demokratike të Japonisë, partia kryesore opozitare e vendit. Ai ka shërbyer si Ministër i Brendshëm në 2009. Tani, ai nuk mban ndonjë pozicion ekzekutiv dhe nuk ka qenë pjesë e qeverisë gjatë pandemisë Covid-19, sipas biografisë në faqen e tij zyrtare. 

Ai nuk mban ndonjë post drejtues në parti, nuk është pjesë e qeverisë dhe nuk ka pasur asnjë përfshirje në masat për të luftuar pandeminë Covid-19 në vend.

Si rrjedhim, deklaratat e tij nuk pasqyrojnë dhe nuk mund të përshkruhen si pozicioni zyrtar i qeverisë japoneze. Në fakt, Japonia vazhdon të rekomandojë vaksinimin kundër Covid-19.