Qeveria u zotua t’i kthente çdo qindarkë profesionistëve të lirë pas shfuqizimit të tatimit 15% që bëri Gjykata Kushtetuese. Ministri i Financave Petrit Malaj premtoi se paratë do të ishin në llogaritë e profesionistëve brenda dhjetorit të kaluar. Verifikimet tregojnë se procesi nuk është mbyllur ende. Deri në fund të 2024-ës tatimet rimbursuan mbi 6 milionë euro për 95% të profesionistëve të lirë.

Esmeralda Topi

Pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi tatimin 15% ndaj profesioneve të lira, ministri i financave Petrit Malaj premtoi rikthimin e çdo qindarke të parapaguar. ‘…brenda muajit dhjetor 2024 do kthen të gjitha fondet e marra nga profesionet e lira”, premtoi Malaj më 21 nëntor.

Një javë më vonë, qeveria vendosi kthimin e parave përmes një akti normativ. ‘Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme miratoi aktin normativ për kthimin e këstit të tatim fitimit të parapaguar nga profesionistët e lirë.’tha Malaj pas mbledhjes.  

Sipas tij, nga vendimi do të përfitonin 6,450 tatimpagues, me një fond prej 501 milionë lekësh.

Fakt

Të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve tregojnë se në fakt numri i përfituesve arrin në 8137 tatimpagues. Deri në fund të dhjetorit të kaluar tatimet kanë rimbursuar paratë për 7751 profesionistë të lirë, apo 95% të totalit.  Vlera e parave të kthyera shkon mbi 6 milionë euro.

Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve

Administrata tatimore pranon se procesi nuk është mbyllur sikurse u premtua. “Janë 386 tatimpagues që nuk janë rimbursuar akoma.Arsyet e vonesave lidhen me mosplotësimin e të dhënave të llogarive bankare në sistemin e-filing.”, argumentojnë tatimet.

Procesi i rimbursimit sipas tyre do të përfundojë pasi tatimpaguesit të plotësojnë informacionin e nevojshëm, lidhur me të dhënat bankare. Por profesionistët e auditimit ligjor ngrenë dyshime se vonesat lidhen me të tjera arsye.

Burime të tjera që kemi komunikuar në rrugë jo zyrtare, na kanë thënë se thesari ende nuk ka përmbushur pagesat në tërësi, duke ngritur pikëpyetje mbi koordinimin ndërinstitucional dhe përputhjen e informacionit mes administratës tatimore dhe sektorit të thesarit që kryejnë pagesat. Kjo gjë duhet konfirmuar nëse është e vërtetë dhe zgjidhur sa më parë pasi çdo ditë që kalon është padrejtësi për të gjithë ata që presin të paguhen.’, pohon Julian Saraçi për Faktoje.al

Sipas tij rastet e mbetura pa shlyer kërkojnë trajtim të barabartë dhe të drejtë.

“Në këtë kontekst, është e rëndësishme të theksohet se, pavarësisht gabimeve ose mangësive të mundshme në deklarimet e llogarisë bankare në sistem, çdo profesionist i lirë ka të drejtën ligjore të aplikojë për rimbursim në çdo kohë brenda afatit ku kjo e drejtë parashkruhet me ligj.”, pohon Julian Saraçi, auditues ligjor.

“E drejta për rimbursim nuk mund të kufizohet nga gabime teknike apo mangësi në plotësimin e të dhënave, E drejta për rimbursim kufizohet vetëm kur parashkruhet ose kur pagesat kthehen.”, përfundon ai.

Përfundim

Nisur nga të dhënat e mbledhura, premtimin e ministrit të Financave Petrit Malaj për kthimin e parave ndaj profesionistëve të lirë brenda muajit dhjetor 2024, e kategorizojmë pjesërisht të mbajtur.