Nga Sebi Alla – Dy vite më parë në fushatën elektorale për zgjedhjet lokale, kandidati i PS-së Ermal Dredha, (i dorëhequr nga posti i kryebashkiakut që nga 10 shtatori), premtoi ngritjen e qendrave sociale ditore për moshën e tretë dhe gjithashtu edhe një mensë sociale. “Gjatë mandatit tim në drejtimin e Bashkisë Vlorë do të punoj fort për: Krijimin e qendrës ditore për moshën e tretë në secilin rajon të qytetit si dhe ngritjen e një mense sociale bashkiake për shtresat në nevojë”, premtoi Dredha.
Qendër lojërash
Faktoje.al verifikoi në terren nëse ishin ngritur dhe si funksiononin qendrat sociale për moshën e tretë në një qytet me popullsi të madhe, ku në faqen e saj zyrtare bashkia thotë se popullsia kap shifrën e mbi 100 mijë banorëve. Në ambientet e “Shkollës Industriale” gjashtë muaj më parë funksiononte një nga qendrat sociale, por nga vëzhgimi i Faktoje rezulton se godina është në rikonstruksion dhe qendra u transferua në një nga ambientet e Zyrave të Gjendjes Civile Vlorë.
“Ne jemi transferuar pas nisjes së rikonstruksionit në godinën e mëparshme. Aktualisht qendra ofron shërbim për 37 të moshuar. Disa nga shërbimet që ofrojmë janë leximi i gazetave, argëtim nëpërmjet lojërave të ndryshme dhe piknik në zona historike. Gjithashtu ka shërbim shëndetësor si matja e tensionit apo glicemisë”, thotë për Faktoje.al, administrator i qendrës Asllan Hysa. Ai gjithashtu na konfirmoi se kjo qendër nuk ofronte ushqim që pas transferimit. “Besojmë se duke nisur nga janari i vitit të ardhshëm do të vihet në zbatim edhe trajtimi ushqimor”, tha Hysa.
Qëndrimi i bashkisë


Bashkia Vlorë, në një përgjigje zyrtare për Faktoje.al thotë se janë funksionale dy qendra sociale për të moshuarit. “Bashkia Vlorë ka të ngritura dy qendra ditore për të moshuar ku ofrohen shërbime ditore si: vakte ushqimore tre herë në javë, kafe cdo ditë, vizitë mjekësore si psh, matje tensioni dhe ambjent ku të moshuarit të kalojnë kohën e lirë nën shoqërinë e njeri-tjetrit. Qendra e parë është funksionale në partneritet me një organizatë joqeveritare”, tha zyrtarisht Bashkia Vlorë.
Gjysma e “pjatës”

Po cila qendër ofron ushqim? Në një nga lagjet e Vlorës, në zonën e njohur si “tregu i orizit” 50 të moshuar hanë një vakt falas në një gjelltore. Për këtë Bashkia ofron vetëm gjysmën e pagesës së ushqimit dhe pjesa tjetër mbulohet nga një shoqatë humanitare, e cila prej 16 vitesh ofron këtë shërbim për të moshuarit. “Ne jemi shoqatë jo qeveritare dhe prej 16 vitesh ofrojmë shërbim ushqim falas për rreth 50 të moshuar”, tha për Faktoje.al, në një bisedë telefonike, sekretari i saj Skerdilajd Hallullaj. Por, sipas tij, një nga organizatat e huaja mbështetëse është larguar dhe duke qenë në vështirësi financiare kërkuan që një pjesë e fondeve të mbulohej nga Bashkia Vlorë, në mënyrë që të mos ndërpritet ky shërbim.
“Bashkia Vlorë ka miratuar fondin prej 1 milionë e 50 mijë lekë në vit për të mbuluar gjysmën e shpenzimeve të një vakti ushqim për 50 persona në pesë ditë të javës”, thotë Hallullaj, ndërsa kosto ditore është 9 mijë lekë, ose 180 lekë personi.
Ai gjithashtu theksoi se për 16 vite kjo shoqatë i ka përballuar shpenzimet kryesisht nga “Kryqi i Kuq”.
“Bashkia Vlorë në bazë të planit social 2024-2027 ka aplikuar dhe ka fituar projektin e ngritjes së një qendre të re për të moshuar. Kjo qendër do të frekuentohet nga të moshuar të 5 rajoneve të bashkisë Vlorë”, thotë Bashkia, por pa specifikuar se kur do të jetë funksionale.
Përfundimi
Premtimi i bërë më 10 maj 2023, nga kandidati Dredha, tashmë i dorëhequr, për krijimin e qendrës ditore për moshën e tretë në secilin rajon të qytetit si dhe ngritjen e një mense sociale bashkiake për shtresat në nevojë do e konsiderojmë premtim të pambajtur.