29 qendra shëndetësore verore u premtuan se do të hapen gjatë sezonit turistik 2021, prej datës 15 qershor. Sipas Ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, këto qendra që janë pjesë e një program që zbatohet prej 7 vitesh, këtë vit do të kishin fokusin kryesor identifikimin e hershëm dhe izolimin e rasteve të dyshuara me virusin Covid-19. Ministria e Shëndetësisë nuk jep një informacion të qartë për buxhetin e dedikuar për këto qendra, ndërsa nga verifikimi në terren mungojnë disa prej qendrave shëndetësore si dhe bërja e testeve të shpejta për identifikimin e hershëm të COVID-19, nuk bëhet nga pushuesit.
“170 mjekë dhe infermierë të mirëtrajnuar, barna dhe materiale mjekësore, si dhe teste të shpejta për COVID-19 në çdo qendër shëndetësore verore,” do të lajmërohej në rrjetin social Facebook të ministres së Shëndetësisë Ogerta Manstirliu, kjo më qëllimin e një sezon turistik veror të sigurtë.
Screenshot nga faqja zyrtare e Ministrisë së Shëndetësisë.
Vetëm një muaj më pas, në një tjetër deklaratë të Manastriliut përgjatë një vizite në qendrat shëndetësore verore të qytetit të Durrësit, numri i personelit mjekësor do të ulej me 40. Arsyeja e këtij këtij ndryshimi të numrit nuk u bë kurrë publike.
“Rreth 130 mjekë dhe infermierë në qendrat shëndetësore verore ofrojnë shërbim 24/7 për emergjencat, në 29 pika turistike nga veriu në jug. Në çdo qendër shëndetësore verore ofrohet falas edhe testi i shpejtë i Covid-19, me synim identifikimin e hershëm dhe izolimin e rasteve të dyshuara me virusin e rrezikshëm.”- u shpreh ministrja Ogerta Manastirliu.
Fondi i buxhetuar për qendrat shëndetësore verore, mbetet ende mister
Faktoje dërgoi një kërkesë zyrtare për informacion Ministrisë së Shëndetësisë për buxhetin, që i është dedikuar hapjes së këtyre qendrave shëndetësore verore.
Kërkesa për informacion drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë.
Pas skadimit të afatit ligjor për të kthyer përgjigje, Faktoje e ankimoi kërkesën tek Komisioneri për të Drejtën e Informacionit. E vetëm pas kësaj procedure, përgjigjja e vetme që erdhi prej Ministrisë së Shëndetësisë ishte, që nuk arrijnë të kuptojnë termin “fond” dhe cilës fushë i përket, në lidhje me mirëmbajten e qendrave shëndetësore verore të vitit 2021.
Përgjigja nga Ministria e Shëndetësisë
Faktoje bëri gjithashtu dhe një kërkim në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë për të parë se sa është kostoja për hapjen e qendrave shëndetësore verore, por asgjë nuk ishte reflektuar.
Një kërkesë të dytë zyrtare për informacion Ministrisë së Shëndetësisë, iu dërgua në lidhje me vendodhjen e qendrave shëndetësore verorore.
Kërkesa zyrtare për informacion drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë.
Përgjigjja e Ministrisë së Shëndetësisë.
Pas listës së Ministrisë kur specifikohen vendndodhjet, Faktoje vizitoi çdo qendër shëndetësore verore nga Thethi në Ksamil, për të vëzhguar ofrimin e shërbimit nga personelin e mirëtrajnuar, kryerjen e testeve të shpejta me qëllim identifikimin e hershëm të COVID-19, pajisjen e autoambulanca, etj.
Tabela e ndërtuar pas vëzhgimit që Faktoje zhvilloi në terren ku shfaqen gjendja e qendrave shëndetësore.
Mungesa e 5 qendrave shëndetësore verore
Më 23 qeshor 2021 Faktoje verifikoi në terren se qendrat shëndetësore në Vlorë, Orikum, Radhimë mungonin pavarësisht se sezonin turistik ishte zytarisht i hapur, ndërsa qendra e dedikuar për zonën e Palasës ishte si godinë, por nuk ofronte shërbime për pushuesit.
Rreth tre javë më vonë, më 13 korrik 2021, Faktoje konstatoi që në Plazhin e Currilave në Durrës, mungonte gjithashtu dhe qendra shëndetësore verore e planifikuar. Kjo konfirmohet dhe nga pushuesit e zones dhe nga punonjësit e bizneseve në këtë zonë.
“Nuk ka qendër shëndetësore verore këtu. Mos u lodhni, nëse jeni sëmurë shkoni tek qendra shëndetësore në qendër, ose tek e lagjes”- tregon një kamarier shërben në një nga baret.
Të njëjtën përgjigje marrim nga një pushuese.
“Në dijeni në time nuk ka qendër shëndetësore verore. Nëse je sëmurë duhet të shkosh tek qendra shëndetësore e lagjes.”- shprehet një pushuese.
Edhe më datë 26 korrik nga verifikimi në terren kostatuam se në Qeparo lart në fshat dhe në zonën e plazhit nuk ka qendër shëndetësore.
“Nuk ka qendër shëndetësore verore”- shprehet kamarieri i një biznesi në Qeparo.
E një banor tjetër shprehet:
“Nuk ka,ne shkojmë në Himarë.Maksimumi është 20 minuta larg”.
Identifikimi dhe Parandalimi i COVID- 19
Mjekët dhe infermierët që shërbejnë në këto qendra shëndetësore, tregojnë se fokusi kryesor, identifikimi i hershëm dhe izolimi i rasteve të pushuesve me COVID-19, nuk po realizohet. Pushuesit shkojnë drejt qendrave shëndetësore për pickime, probleme gastro-instestinale, por jo për të bërë testet e shpejta. Gjithashtu, në jo pak raste këto qendra përdoren edhe nga banorë të zonës, të cilët zgjedhin të shkojnë pranë tyre për shkak të afërsisë në vendodhje.
“Jemi 3 mjekë dhe infermierë. Qendra shëndetësore shërben për pushuesit, por vijnë dhe banorë për shkak se e kanë afër. Bëjmë teste të shpejta kur dyshojmë se ka simptoma, por nuk para preferojnë t’i bëjnë.”- tregon për Faktojen infermieri i qendrës shëndetësore verore të Plazhit të Divjakës.
Foto nga qendra shëndetësore verore në plazhin e Divjakës
Edhe banorët e kësaj zonë pranojnë të njëjtën gjë.
“Kur erdhën në fillim thanë që ishte vetëm për pushesit dhe për Covidin meqë vijnë këto të huajt, tani shkojmë dhe ne. Nuk kemi pse lodhemi duke shkuar tek qendra shëndetësore e lagjes, direkt vijmë këtu.”- tregon një banor i zonës.
“Qendra shëndetësore verore është e dedikuar vetëm për pushuesit në plazhe, por në qendër vijnë dhe banorë e ne nuk i refuzojmë. Ne jemi 3 mjek dhe 3 infemierë. Jemi 24 orë hapur. Bëjmë teste të shpejta Covidi, edhe pse pushuesit nuk para preferojnë shumë t’i bëjnë.”- shprehet një mjek/infermier i qendrës në zonën e Plazhit të Durrësit.
Foto nga qendra shëndetësore verore në zonën e Plazhit në Durrës.
Mungesa dhe testeve të shpejta dhe e personelit mjekësor
Një problematikë tjetër që Faktoje konstatoi ishte mungesa e personelit dhe testeve të shpejta të Covid-19, veccanërisht në zonën e veriore të Shqipërisë.
Me datë 29 korrik 2021, Faktoje ishte në qendrën shëndetësore verore në Theth. Edhe pse një ndër pikat pikat më të vizituara përsa i përket turizmit malor, në këtë qendër shëndetësore personeli mjekësor mungonte, ashtu si dhe testet e shpejta të Covid-19. Këtë e konfirmon dhe një pushues pasi kishte marrë ndihmë e parë në qendër.
“Nuk kanë teste të shpejta Covidi, vetëm një infermiere punon aty që i bën të gjitha me aq sa mundet. Barnat qëndrojnë në raft, e në këtë vapë se di sa të efektshme janë.”– tregon një pushues pasi kishte marrë ndihmën e shpejtë në qendër.
Foto nga qendra shëndetësore verore në Theth
Në pikën turistike të Razmës qendra shëndetësore verore ndodhet brenda ambienteve të qendrës, që shërben gjatë gjithë vitit. Ajo çfarë konstatoi Faktoje në terren ishte mungesa e personelit mjekësor.
“Unë shërbej këtu në raste se ka nevojë për dhënien e ndihmës së shpejtë. Ka raste dhe kur shkoj nëpër shtëpi se këto janë kushtet, fatkeqësisht. Teste të shpejta anticovid nuk kam bërë deri më tani.”-tregon mjeku i qendrës, ndërsa lëshon një recetë mjekësore për një paciente.
Foto nga qendra shëndetësore verore në Razëm
Në qendrën shëndetësore verore të Valbonës, është vetëm një infermier, i cili është 24 orë në shërbim të pushuesve.
“Vetëm unë shërbej tek qendra shëndetësore verore. Nuk kemi asnjë personel tjetër mjekësor. Është goxha e vështirë.”- tregon ai.
Foto të qendrës shëndetësore verore Valbonë
Testet e shpejta për identifikimin e COVID-19, mungojnë edhe në Darëzezë të Fierit.
“Jemi 24 orë hapur, jemi të pajisur me medikamente dhe barna për ndërhyrjen e ndihmës së shpejtë, ndërsa teste të shpejta covidi nuk kemi.”- na konfirmon personeli i qendrës shëndetësore verore në plazhin Darëzezë në Fier.
Foto të qendrës shëndetësore verore Darëzezë.
20 ambulanca për 29 qendra shëndetësore verore
Nga vëzhgimi në terren Faktoje vuri re se, se jo në të gjitha qendrat shëndetësore verore kishte në dispozicion, autoambulanca për shërbime emergjence.
Në qendrën shëndetësore verore në Rrjollë të Shkodrës, tregojnë për mungesën e ambulancës dhe se i drejtohen qendrave të tjera në afërsi për të kërkuar këtë shërbim.
“Nuk kemi ambulancë e shpesh ndodh që thërrasim Velipojën ose Shkodrën, kush është më e lirë vjen, por vonon gati 20 minuta e me shumë. Ne bëjmë ndërhyrjen e parë, pra ndihmën e shpejtë e në varësi të situatës marrim vendimin nëqoftëse duhet dërguar për mjekim më të specializuar.”- shprehet mjekja e qendrës shëndetësore verore.
Foto të qendrës shëndetësore verore Rrjollë
Edhe në zonën e Razmës, tregojnë për të njëjtën gjë.
“Nuk qëndrojmë 24 orë hapur. Jemi një mjek dhe infermier, kemi teste të shpejta Covidi, por pushuesit nuk janë të predispozuar t’i bëjnë. Ne nuk kemi ambulancë, në rastet kur nevojitet lajmërojmë qendrën më të afërt që të na vijë në ndihmë.”- shprehet infermierja e qendrës shëndetësore të Razmës.
Qendra shëndetësore verore Razëm
Kërkesës për informacion në lidhje me ambulancat, Ministria e Shëndetësisë u përgjigj se janë 20 autoambulanca, për 29 qendra shëndetësore verore.
Përgjigjja e Ministrisë së Shëndetësisë
Sa u kanë shërbyer qendrat shëndetësore verore pushuesve?
Gjatë verifikimit të Faktoje për situatën e qendra shëndetësore duket se në zonat që presin një numër të madhe turistësh, si Jugun i Shqipërisë, apo dhe pikat bregdetare në Adriatik, situata paraqitet më e mirë, pasi ka personel mjekësor të mjaftueshëm, si dhe kanë teste të shpejta COVID. Qendrat shëndetësorë verore që ndodhen në Ksamil 1 dhe 2, Dhërmi, Drimadhas, Himarë, Borsh si dhe Pogradec janë të pajisura me staf mjekësor dhe teste të shpejta covidi. E njëjta situatë shfaqet dhe për qendrat shëndetësore verore të Durrësit dhe Kavajës specifikisht të Gjirit të Lalëzit, Plazhi i Shkëmbit të Kavajës, Plazhi i Golemit, Plazhi i Malit të Robit.
Edhe në zona turistike më në veri si Velipoja dhe Shëngjini, situata është e mirë, këtë e konfirmon stafi i qendrës shëndetësore verore të Velipojës.
“Jemi 24 orë hapur, shërbejmë për pushuesit, por vijnë dhe banorë të zonës. Bëjmë teste të shpejta anticovid për personat që kanë simptoma. Jemi 3 mjekë dhe 3 infermierë, kemi autoambulancë që na shërben për lëvizje në rastet e emergjencës.”
Qendra shëndetësore verore në Velipojë
Sipas një raportimi të Ministrisë së Shëndetësisë të bërë më datë 7 gusht, hapja e këtyre qendrave shëndetësore verore ka shërbyer për 20 mijë pushues.